Rama-Berisha-Meta-Basha dhe viktimat e 21 janarit, 11 vjet më pas (mos pyesni pastaj përse nuk bëhet Shqipëria)

Nga Bedri Islami
Çfarë ndodhi pas 21 janarit me protogonistët e ngjarjes? Dje, 21 janar, shefi i qeverisë Rama, solemnisht, së bashku me familjet e të vrarëve, vendosi kurora në kujtimin e tyre. Ritual që përsëritet tash dhjetë vite.
Lideri i opozitës së asaj kohe ka mbi 9 vite e gjysëm që është shefi i qeverisë.
Edi Rama ishte organizatori i demonstratës kundër autokracisë, oligarkisë politike e korrupsionit. E provokuar nga sejmenët e pushtetit të kohës një pjesë e zhvillimit të demonstratës krijoi dhunë.
Në momentin më të qetë të saj, kur protestuesit i kishin kthyer shpinën godinës së kryeministrisë, ndodhën 4 vrasje dhe dhjetra të plagosur. Më shumë se 300 vetë nga protestuesit u arrestuan, u grabitën rrugëve, u rrahën, u gjakosën, u burgosën dhe u dënuan përmes vendimeve arbitrare të një drejtësie të korruptuar. Që nga ajo ditë filloi rënia përfundimtare e Berishës dhe ngritja e domosdoshme e Edi Ramës.
Dje, 21 janar, Ilir Meta mori rrugën për në presidencë, vendndodhjen e të cilës po e shet si kullë trimërie. Meta ishte njeriu me bllok, në një aferë 700 mijë eurosh, pika e fundit e gotës që u derdh dhe nxiti njerëzit të protestojnë ndaj oligarkisë së furishme politike, mospërfillëse dhe cinike.
Megjithëse laboratorë shkencorë modernë të FBI saktësuan se videoja e regjistruar nga Dritan Prifti ishte e saktë, përsëri gjykata e Shqipërisë, nën trysninë e dyshes Meta – Berisha, e shpalli të pafajshëm. Ishte vendimi më absurd, më cinik, më brutal dhe i paturpshëm që shpallte fundin e sistemit të drejtësisë.
Çfarë ndodhi më pas me Ilir Metën? Edi Rama, pas marrëveshjes së 1 prillit, që hodhi poshtë gjakun e 21 janarit, e reabilitoi plotësisht kur e bëri fillimisht kryetar parlamenti dhe pastaj president. Asgjë nuk ka ndryshuar tek Ilir Meta. I pasur, mospërfillës, brutal, në një gjendje euforie dhe dalldisësh, tani këndon këngën e Hajredin Pashës dhe e shpall veten si Vojo Kushi apo Mic Sokoli.
Si president, me ndihmën e Bashës, mblodhi njerëzit me 2 mars për të rrëzuar qeverinë. Ora e tij ka mbetur në këtë ditë.
Sali Berisha ishte asaj dite kryeministër. Njeriu që urdhëroi vrasjet e 21 janarit. Që manipuloi haptas të gjitha provat, ngriti alibi të rreme dhe në fund, kur gjithçka u zbulua, u mburr se do të kishte vrarë edhe 300 vetë, e, njëri nga vrasësit, me snajper, do të ishte ai vetë.
Berisha, i shpallur non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit sot, përmes “foltoreve” synon të bëhet përsëri shefi i opozitës. I akuzuar si pushtetari me korrupsion të lartë dhe minues i demokracisë, dhunues i drejtësisë, mburret se e dhunuara prej tij nuk e ka thirrur e as nuk e ka akuzuar asnjëherë.
Lulzim Basha, aso kohe ministër i brendshëm. Njeriu që e di se çfarë ndodhi dhe ishte pjesë e krimit të pandëshkuar. Sot shefi de jure i opozitës. Në 11 vite pasuria e tij është bërë marramendëse, fuqia e tij financiare është në një nivel me oligarkët e fuqishëm; i paaftë për asgjë tjetër, që do të mbetet si njeriu i blindave, por do të vazhdojë të jetë, edhe pas gati 20 viteve në politikë, njeriu i passkenës, i njëjtë me Uriah Hipin e njohur, por pasuria e tij do të rritet.
Pas 21 janarit, përmes votës së vjedhur, fillimisht nga sulmi i Berishës ndaj institucionit të zgjedhjeve, dhe, pastaj, nga Ristani që futi duart deri në brryl në kutitë e votimit, u bë kryebashkiaku i Tiranës. Në katër vite mbahet mend për dashin që theri në dyert e bashkisë dhe tortën e pavarësisë. Nuk bëri asgjë tjetër.
Ndrea Prendi, ish komandanti i gardës, njeriu që qëlloi direkt për të varrë, ose të tjerët, pasi e goditën vranë me armën e tij, ushtaraku që ndërroi tytën e armës me atë të armës së shoferit të tij, njeriu që fshehu të vërtetën dhe, duke e fshehur atë, nuk u dënua veçse simbolikisht, ende pushon në vilën e tij në Gjirin e Lalzit, i qetë, i pandëshkuar dhe pa asnjë vrasje ndërgjegjeje.
Gjyqi kundër tij ishte grusht shteti i vërtetë, që nisi në çastin kur kërkesa e kryeprokurores së republikës për ndalimin e zinxhirit komandues të Gardës u hodh poshtë nga shefi i policisë… për një gabim drejtshkrimor, dhe përfundoi grushti i shtetit në sallën e gjyqit, mbushur me gardistë të Prendit që kërcënonin haptas gjykatën e prokurorinë.
Askund në botë nuk ndodh kjo, veçse në sistemet totalitare ku junta ushtarake sundon mbi ligjin. Sidoqoftë, ai është i qetë në vilën e tij. Për të, 21 janari, është histori e mbyllur. Ushtaraku që qëlloi qetësisht, nga bunkeri i kryeministrisë, qetësisht dhe me vetëdije, është i lirë, askush nuk merret më me të dhe, nëse do të kemi ndonjëherë ndërrim pushteti, mund të shpallet i pafajshëm.
Bamir Topi, presdenti i kohës, i quajtur në ato ditë nga Beriha si “horr i bulevardit” është sot kundërshtari i Berishës, thuajse armik me të, por partinë që krijoi e mori një dallkauk dhe ata që i shkuan disa javë prapa vrapuan të jenë përsëri në sqetullën e PD-së. Nuk mund të jetë “edhe i vetëm trim në luftë”, pasi lufta zhvillohet jashtë tij.
E kujtoni emisionin e Blendi Fevziut në “Opinion” natën e 21 janarit se si përpiqej të ngrinte alibinë e vrasjeve me çadra pistoletë? Paturpësisht! Fevziu është po aty. Asnjë brerje ndërgjegje. Edhe “të fala sandrit” është po aty. Miku i Berishës u bë miku i përnatshëm i Ramës! Kaq ishte!
Katër “grushshtetasit medialë”, çështja e të cilëve u mbyll si “dhuratë” qeveritare, kanë ndryshuar disi.
Mero Baze vazhdon të jetë kundërshtari i Berishës dhe, si duket, mes dy të këqija të opozitës, ka zgjedhur të keqen më të vogël, Bashën! Si hakmarrje ndoshta ndaj njeriut që desh i mori jetën, pas viteve të gjata të miqësisë.
Andi Bushati, armiku i Berishës, është sot mbështetësi i tij medial kryesor. Nuk dihet nëse e tërheq dhuna si nocion, apo si veprim. Friedrich Nietzsche shkruante se “ Nuk është lartësia e tmerrshme, por përkulja”.
Sokol Balla është në një televizion të njohur lajmesh, ndërsa Filipin nuk e heq dot kush nga istikami kundër së keqes!
Gardistët, që u shpërblyen me disa rrroga, të cilët Berisha i strehoi në selinë qeveritare, tani mund të jenë në strukturën fashistoide të opozitës, që e quajtën “ për mbrojtjen e votës”, ama shumë prej tyre kanë tani lokalet e veta të shtrenjta dhe luksoze.
***
Asnjërit nga përsonazhet kryesorë të kësaj ngjarjeje tragjike nuk i ndodhi gjë. Edi Rama u bë kryeministër. Prej më shumë se 9 viteve. Qeveris një kabinet të korruptuar dhe ka pas vetes afera që mund të kishin rrëzuar disa qeveri, para të cilëve inceneratori i Elbasanit mund të jetë vogëlimë. Oligarkët Berishës janë tani të tijtë! PPP-të “e famshme” janë mbytja e ardhshme financiare e këtij vendi. Me pushtetin që ka , mund të ikë nga qeverisja, vetëm kur të lodhet vetë.
Sali Berisha vazhdoi të qeverisë edhe 2 vite e 9 muaj pas vrasjeve. I shpallur non grata nga SHBA ka nisur luftën kundër të gjithëve dhe me të gjithë. Vazhdon të ketë vilën familjare në Lalëz, pronat e dhëndrrit në ish-kompleksin “Partizani”, fabrikat dhe pronat e të birit, zyrat moderne në zonën më të shtrenjtë të Tiranës, dhe, njëjtë si dikur, më shumë se gjithçka tjetër, lakmon vrasjet që nuk i bëri dot. Askush më shumë se sa ai nuk i ka bërë dëm këtij vendi.
Ilir Meta u bë kryetar parlamenti e më pas president. Në pushtetin ekzekutiv partia e tij qëndroi edhe 7 vite të tjera. U pasurua shtatë herë dhe u dalldis nga narcisizmi edhe më tepër. Daljet e presidencës i duken si bedena dhe barinjtë e rrugës i merr për jeniçerë. Mendja është gjë e madhe.
Basha u bë kryebashkiaku i Tiranës dhe tani lideri i opozitës. Mendohet se vetëm në zgjedhjet e fundit parlamentare, megjithëse në opozitë, pasuria e tij u shtua me disa milionë. Qarqet i la të qorollepsen në vajin e tyre. Tani ka krijuar një trupë rreth vetes që më shumë duken se blegërojnë, se sa flasin.
Të vetmit që humbën ishin të vrarët, familjet e tyre, të burgosurit, të arrestuarit dhe të torturuarit protestues. Mos pyesni pastaj, përse nuk bëhet Shqipëria!