Qytetari kërcënon Erion Veliajn: Do e djegim në mes të Bllokut me acid, kemi kallashë e benzinë në shtëpi

19 janari ka qenë afati i fundit për disa banesa që do të shemben në Laprakë, dhe për këtë arsye që në mëngjes aty kanë shkuar forcat e policisë.
Por ato kanë hasur në rezistencën e banorëve që preken nga prishja e banesave, të cilët kundërshtojnë.
Një prej qytetarëve i cili preket nga shembja e banesave te zona e ‘5 Majit’ në Tiranë ka paralajmëruar se mund ti hedhin acid kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliajt.
Ai tha se çdo njëri prej tyre ka në banesë një kallash të fshehur apo një benzinë. Ai tha se nuk është vështirë të gjendet se ku ndodhet Veliaj, të shkojnë të maskuar duke i hedhur acid në fytyrë.
“Çdokush e ka një kallash të fshehur dhe një benzinë, kur të dali Veliaj në bllok nuk është vështirë ti dalim me kapuc dhe ti hedhim acid në fytyrë”, tha ai për kamerat.
Banesat e tyre do të prishen, në kuadër të projektit të rindërtimit.
Disa prej banorëve janë shoqëruar nga policia pasi kundërshtuan shembjen e shtëpive.
Ata kanë kundërshtuar shembjen e banesave, pasi nuk janë dakordësuar me marrëveshjen me Bashkinë, të cilën e cilësojnë të njëanshme.
Banorët ishin lajmëruar për prishjen e objekteve, ndërsa sot ishte afati i fundit që ato të lironin banesat.
Sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, sigurohet se të gjithë banorët që preken nga ky projekt do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re. Po kështu, poseduesit e banesave në proces legalizimi, tashmë do të përfitojnë të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë, në godinat e reja që po ngrihen në të njëjtën zonë.
“Sipërfaqja ndërtimore në objektet e reja për banim, që përfitojnë poseduesit e ndërtimeve të klasifikuara si ndërtime pa leje (banesa), është 100 për qind e sipërfaqes së objektit pa leje”, thuhet në vendimin e qeverisë.