27 Mars, 2023

Quhet ‘Shtëpia e Lirisë’, por emri që meriton është një tjetër…

 Quhet ‘Shtëpia e Lirisë’, por emri që meriton është një tjetër…

Viktor Malaj

Të gjithë të eturit për liri, të gjithë të dashuruarit me demokracinë dhe gjithë të pasionuarit pas drejtësisë tani mund të gjejnë strehën e tyre të sigurt. Ajo sapo është shpallur dhe quhet “Shtëpia e Lirisë”. Ajo nuk është si “strehat vorfnore” të shekullit të kaluar që ofronin thjesht ushqim dhe fjetje, por është shtëpia luksoze e projektuar me mençuri nga arkitektët e famshëm Berisha-Meta dhe e ndërtuar me mundim gjatë këtyre tre dhjetëvjeçarëve nga skuadrat e tyre besnike politiko-juridiko-mediatike.

Është e vërtetë që Sali Berisha, si përfaqësues i denjë i arkitekturës së para 1990 dhe si drejtues i asaj të pas viteve ’90, e pati shpallur partinë “e tij”, pra Partinë Demokratike Shqiptare, si “shtëpia e lirisë” në fillim të viteve ’90, mirëpo, për shkak të rrethanave kombëtare dhe ndërkombëtare, kjo shtëpi doli një gjë pa vlerë, pa shije estetike dhe pa funksione dobiprurëse. Sigurisht, që faji nuk ishte i Kryearkitektit dhe grupit të tij të afërt të punës që gjërat rrodhën krejt ndryshe nga si ishin shpallur e premtuar dhe që shumica e shqiptarëve e refuzuan ose e braktisën shtëpinë “e re” si të papërshtatshme dhe, madje, të dëmshme. Faji kryesor bie mbi popullin që nuk mundi dhe nuk diti kurrë ta kuptonte misionin dhe vlerat e “shtëpisë së lirisë”.

Meqenëse shtëpia e vjetër e lirisë u shkërmoq dhe shumica e shqiptarëve e konsiderojnë si “shtëpia e mashtrimit, hipokrizisë dhe korrupsionit”, lindi nevoja e rithemelimit të një shtëpie tjetër lirie. Nëse e para sundohej nga Vëllai i Madh, z. Sali Berisha, e dyta do të bashkëdrejtohet nga dy vëllezërit nga “nëna”, Berisha dhe Meta. Në fund të fundit, bashkimi bën fuqinë dhe dy mendje kanë vlerë më shumë se një e vetme, dy gjysma me dizajn të kundërt “e djathtë- e majtë”, jo vetëm i japin hijeshi, por edhe e bëjnë më funksionale “Shtëpinë e Lirisë” të saposhpallur, dhe, rrjedhimisht, e bëjnë më të besueshme të ardhmen e saj për banorët dhe fqinjët përreth.

Krahasuar me tridhjetë vjet më parë, grupi arkitekturor ka besueshmëri më të madhe sepse në tri dekada me rrënime dhe ndërtime, të cilat, megjithëse kanë zënë brenda shumë shqiptarë, kanë sjellë edhe një “të mirë”. Arkitektët politikë kanë nxjerrë shumë mësime, pa ndjerë kurrfarë përgjegjësie për shembjet e ndodhura dhe, prandaj, nuk kanë arsye të kërkojnë ndjesë për dëmet e shkaktuara.

Unë kam vënë re që shumica dërmuese e shqiptarëve nuk e kuptojnë dhe as e besojnë misionin e vërtetë dhe qëllimmirë të vëllezërve arkitektë. Sërish nuk është faji i arkitektëve, por yni. Në fund të fundit, këta nuk janë të vetmet figura historike të botës që nuk janë mirëkuptuar nga bashkëkohësit e tyre, sepse këta punojnë për të ardhmen dhe i përkasin asaj. Intelekti ynë i dobët dhe prapambetja e madhe e zhvillimit tonë kulturor janë shkaqet kryesore të këtij keqkuptimi të madh midis nesh dhe atyre.

Arkitektura politike është shumë e ndërlikuar dhe e vështirë për t’u kuptuar, sidomos nga shtresat e ulëta të shoqërisë. Duke qenë e tillë, ajo i ka yshtur shumicën e shqiptarëve të shtrojnë pyetje të panevojshme dhe të padobishme si: Si mund të besosh tek një individ që me vullnet të lirë konvertohet tak-fap, brenda pak ditëve nga propagandues 22-vjeçar i doktrinës së ekstremit të majtë, në një udhëheqës që drejton për 30 vjet formacione politike të ekstremit të djathtë? Pyetja është krejt e pavend sepse ky Muji quhet Sali Berisha. Edhe më e pavend është pyetja: Mund të konsiderohet “shtëpi e lirisë” një parti politike si PD, në forumet kryesore drejtuese të së cilës pas tri dekadash nuk ndodhet asnjë prej themeluesve të saj përveç “kryearkitektit”?! Pyetja nuk vlen përderisa “kryearkitekti” është po ai, zoti Sali Berisha.

Ne jemi popull i pagdhendur. Shumica jonë është e paditur prandaj edhe pyet: A mundet që themeluesi i “shtëpisë së lirisë” të shpallet nga institucionet ndërkombëtare të shtypit si “armik i shtypit të lirë”, nga qeveria amerikane si “minues i demokracisë” dhe nga shtypi perëndimor si “ordiner i rrezikshëm” dhe drejtues i “një regjimi gangsterësh”?! A mund dhe a duhet të ndodhë që në një “shtëpi lirie” të rrihen deputetë, gazetarë dhe ish-të përndjekur politikë nga diktatura që kishte ndërtuar “shtëpinë me gjethe”, apo të rrihen, burgosen dhe vriten gazetarë e opozitarë si dhe të fyhen, poshtërohen e kërcënohen kundërshtarët politikë? A mund të jetë arkitekt i “shtëpisë së lirisë” dikush që sulmon institucionet qendrore të shtetit dhe vetë godinën e “shtëpisë së lirisë” për t’i marrë me dhunë e armë meqenëse nuk i merr dot me vota?! A mund të jenë pjesë e lirisë dhe demokracisë falsifikimi dhe dhunimi i proceseve zgjedhore ndërpartiake dhe brendapartiake, siç ka ndodhur vazhdimisht tek ne gjatë mbretërimit të Kryearkitektit?!

Mungesa e intelektit i ka bërë shumicën e shqiptarëve të pyesin veten dhe njëri-tjetrin: A mundet që në një “shtëpi lirie” dy arkitektët bashkëdrejtues dhe bashkëpremtues të bëhen milionerë pa pasur asnjë biznes përveç atij politik, ndërsa shumica e “banorëve” të “shtëpisë së lirisë” t’i kalojnë dimrat nën dridhjet e pasigurisë së jetës e pronës dhe stinët e nxehta t’i kalojnë të djersitur nga ankthi që shkaktojnë mungesa e mjeteve elementare të jetesës dhe torturat e sistemit imoral të drejtësisë të ideuar e ndërtuar nga po këta arkitektë politikë? Kaq e madhe dhe e vërtetë qenka liria e sistemit të këtyre ideatorëve, propaganduesve dhe zbatuesve sa të na bëjë të besojmë se dikush që shihet e dëgjohet duke planifikuar vjedhjen e parave tona në buxhetin e shtetit, në fakt ishte duke menduar dhe ideuar shërbimet sublime ndaj nesh?! etj.etj.

Gjithë çështja është se çfarë duhet të kuptojmë ne shqiptarët me “liri”, domethënë lirinë e të gjithëve apo lirinë e më të fortit mbi të dobëtin? Të gjithë atyre që janë mosbesues, unë iu bëj thirrje të vijnë sa më shpejt në “Shtëpinë e Lirisë”, atje ku çfarë thuhet nuk bëhet dhe bëhet çfarë nuk thuhet; ku liri quhet zaptimi i pronës së huaj dhe ndërtimet pa pyetur kurrfarë autoriteti shtetëror, kodi moral dhe normë bashkëjetese; ku kjoskëzimi i vendit shpallet liri ekonomike dhe lulëzimi i piramidave financiare mbrohet si kapitalizëm i pastër; ku pasuria e krijuar me mundin e gjithë popullit iu jepet për “pesë aspra” një grushti biznesmenësh “të suksesshëm”; ku një rrugë e ndërtuar me gati dyfishin e kostos reale shpallet si “Rruga e Kombit” dhe ku nënshkruesit e marrëveshjeve antikushtetuese me fqinjët vetëshpallen atdhetarë të klasit të parë dhe gjeneralë të mbrojtjes së rendit kushtetues.

Nxitoni pra të mbërrini sa më shpejt në “Shtëpinë e Lirisë”, atje ku të rrahin e të vrasin nëse proteston kundër tyre, dhe këtë e konsiderojnë sjellje demokratike, ndërsa nëse dikush tjetër përdor gazin lotsjellës kundër protestuesve që sulmojnë godinat shtetërore apo i bije me grusht tavolinës së zyrës së vet në prani të 3-4 protestuesve, e shpallin aktin më të lartë diktatorial; atje ku shpifja shpallet mjet demokratik dhe kanosja liri mendimi; atje ku drejtuesit kryesorë ngrysen republikanë dhe zgjohen monarkistë; ku bashkarkitektët kanë pallur tash tridhjetë vjet dhe s’kanë folur asnjë ditë, pasi askush në Shqipëri nuk mban mend një ide apo thënie të mençur dhe të dobishme të tyre; ku në darkë vëllezërit arkitektë e shpallin njëri-tjetrin “kriminel, kapobandë, hajdut, vrasës, grabitës, trafikant droge e fëmijësh” dhe në mëngjes, të penduar për mëkatin e darkës, e krahasojnë sivëllaun e vet me verën e vjetër që rrit shijen me kalimin e kohës; atje ku, pasi vëllai i madh është shpallur non grata nga qeveria amerikane për probleme të rënda korrupsioni dhe si minues i demokracisë, vëllai tjetër pohon se tani ai “është bërë më tërheqës dhe demokrat” dhe se, së bashku, do të luftojnë rreptë korrupsionin, do të vendosin drejtësinë dhe rikthejnë demokracinë e rendin kushtetues.

Shtëpia e Lirisë na premton të sjellë ndryshimin, domethënë na premton atë që pati premtuar 30 vjet më parë, atë ndryshim që ne ” e shijuam ” dhe, gjithnjë për fajin tonë, na u duk i hidhur prandaj e refuzuam aty e tutje. ” Shtëpia e Lirisë “, vërtetë mund të jetë shumë më e vogël se para 30 vitesh por ajo i ngjan sot një gjarpri me dy kokë ku, kur plagoset njëra kokë e tërheq tjetra për ta shpëtuar. Lum kush futet në barkun e tij dhe shijon vrerin e ëmbël dhe trullosës që ai ofron, siç e ka ofruar prej kaq kohësh. Vraponi dhe mos humbni kohë t’i provoni sërish ata që i keni provuar tridhjetë vjet dhe, në fund të fundit, nëse premtimet e tyre të lashta, të zbukuruara me mantele moderne, ju rezultojnë sërish mashtrime dhe hipokrizi, vazhdoni t’iu besoni, por ndërroni emrin e shtëpisë tuaj të banimit, duke i vënë emrin e saj të vërtetë dhe të merituar: La casa de papel.** Nëse ndodh që shtëpia e re ju zë brenda, mos thërrisni për ndihmë por kujtoni thënien popullore: koka bën, koka pëson.

* Sarah Silverman – Aktore dhe shkrimtare amerikane.

** La casa de papel – Titulli i një drame televizive spanjolle që ka si subjekt planifikimin, zbatimin dhe pasojat e një grabitjeje të madhe dhe vepra të tjera penale bashkëshoqëruese dhe, pastaj përgatitjen për një grabitje tjetër të ideuar nga i njëjti “Profesor”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *