1 Shkurt, 2023

Qeveria propozon legalizim të marijuanës “shëndetësore”, opozita e cilëson nismën “çmenduri”

 Qeveria propozon legalizim të marijuanës “shëndetësore”, opozita e cilëson nismën “çmenduri”

Qeveria shqiptare ka në plan të autorizojë prodhimin privat të lëndës narkotike cannabis sativa me destinacion përdorimin “për qëllime mjekësore dhe industriale” dhe me kushtin që kompanitë prodhuese të kenë eksperiencë nga vendet e BE-së për këtë aktivitet dhe që sasia e tokës së përdorur për këtë kulturë të mos jetë më e lartë se sa 150 hektarë.

Një projektligj u publikua të enjten në faqen zyrtare të konsultimeve publike në Shqipëri, i propozuar nga Ministria e Shëndetësisë. Projektligji parashtron në detaje të gjithë procesin e kultivimit dhe përpunimit të lëndës narkotike dhe thotë se aktiviteti në fjalë do të mbikëqyret nga një agjenci e posaçme që do të krijohet.

Prodhimi dhe shitja e marijuanës për qëllime mjekësore lejohet në rreth 30 vende të botës, përfshirë edhe shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Gjithsesi, në një vend ku prodhimi dhe trafikimi i paligjahëm i kësaj lënde narkotike është një problem madhor prej shumë vitesh, iniciativa u prit me kritika të ashpra nga opozita.

Enkelejd Alibeaj, një deputet që drejton një nga dy grupimet e opozitës, e cilësoi nismën “çmenduri” e cila, sipas tij, do të lehtësojë më tej prodhimin e kanabisit për qëllime të trafikimit nën hijen e marijuanës mjekësore.

“Edi Rama është kryeministri i vetëm në Evropë dhe më gjërë që ish-ministri i tij brendshëm gjendet në burg, për shkak të përfshirjes në grupet kriminale të trafikut të kanabisit,” deklaroi Alibeaj.

“Por, të gjitha këto duket se ai ka harruar ose bën sikur, dhe tashmë nën maskën e kultivimit për qëllime mjekësore dhe industriale, kërkon të legalizojë prodhimin e kanabisit,” shtoi ai.

Aktualisht në Shqipëri rreth 40% e të burgosurve po vuajnë dënime që lidhen me trafikun e drogës.

Shqipëria ka një histori të pasur të kultivimit të kanabisit për qëllime trafikimi që nga rënia e komunizmit dhe për lidhje të shumëfishta të grupeve kriminale me politikën e vendit. Për rreth 15 vjet me rradhë deri në vitin 2014, fshati i Lazaratit, një bastion i Partisë Demokratike, u cilësua “kryeqyteti Evropian i kanabisit”, një zonë ku policia nuk guxonte të hynte dhe e cila u vu nën kontroll vetëm pas një operacioni të stilit pothuajse ushtarak të policisë në vitin 2014. Gjithsesi, që nga ajo kohë, prodhimi i kanabisit u bë një problem madhor për të gjithë territorin e vendit ndërsa qeveria e kryeministrit Edi Rama u akuzua se nuk kishte vullnet të luftonte kultivimin e drogës apo ishte bashkëpunëtore me trafikantët.

Në vitin 2017 e më pas, operacione të policisë italiane sollën goditjen e disa grupeve kriminale ndërsa hetimet e tyre vunë në pah lidhjet e drejtpërdrejta të trafikantëve me pushtetin.

Saimir Tahiri, ish-ministër i brendshëm në atë kohë, përfundoi më pas në burg i dënuar për abuzim me detyrën në një çështje të lidhur me një grup famëkeq të trafikut të drogës, me të cilët Tahiri kishte lidhje miqësore dhe biznesi.

Së fundmi, një operacion tjetër policor në Itali solli ngritjen e akuzave ndaj dy truprojave të Tahirit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *