28 Janar, 2023

Pse Rama i kërkoi me anë të Sokol Ballës, Lavrovit, foton e refuzuar të takimit në Moskë

 Pse Rama i kërkoi me anë të Sokol Ballës, Lavrovit, foton e refuzuar të takimit në Moskë

Nga Kastriot Myftaraj

Gazetari i afërt me Edi Ramën Sokol Balla ka pasur një rol interesant në marrëdhëniet e Ramës me Rusinë. Në nëntor 2016, kur Rama u intervistua nga Sokol Balla në emisionin e këtij “Top Story” në Top Channel, Rama qartësisht kishte vënë në gojën e Ballës një pyetje për vetveten. Balla e pyeti Ramën:

“Në kuadrin e dialogut, a do të takoheshit me Vladimir Putin?”

Edi Rama u përgjegj:

“Nuk ka qenë asnjëherë në rendin e ditës një gjë e tillë, por nëse do të vendosej nuk do të nguroja ta takoja.”

Ishte e qartë se Rama po i kërkonte publikisht një takim Presidentit rus Putin.

Edi Rama nuk mori përgjigje nga Moska për dëshirën e tij për të takuar Putinin.

Në 26 shkurt 2020 Edi Rama vizitoi Moskën në cilësinë e kryesuesit të radhës së OSBE-së. Por ndërsa gjendej ende në Moskë, Rama deklaroi në një intervistë pikërisht për Sokol Ballën se qeveria shqiptare i kishte kërkuar asaj ruse që vizita e tij në Moskë të ishte e dyfishtë, edhe një vizitë dypalëshe përveçse e lidhur me kryesimin e OSBE-së. E thënë qartë Rama bëri të ditur se ai kishte kërkuar tashmë edhe zyrtarisht një takim me Presidentin rus Putin. Dihet se Putin i pret vetë të gjithë kryeministrat e huaj që vizitojnë Moskën, pasi Rusia është republikës presidenciale, ku pushteti është i përqëndruar në zyrën e Presidentit.

Është një tregues shumë domethënës ai që Rama nuk priti që të kthehej në Tiranë, por duke qenë ende në Moskë, në një intervistë të tij për Sokol Ballën që realizoi nga Moska një edicion special të emisionit të tij që tashmë mbante emrin “Real Story”, shprehu publikisht zhgënjimin që nuk iu mundësua takimi me Putin: “Për arsye agjende, apo se di tamam arsyen, agjenda u fokusua vetëm te Ministri i Jashtëm. Por do ta takoja Vladimir Putin, nuk ka arsye pse të mos takohesh.”

Që një kryeministër të ankohet publikisht se nuk është pritur nga presidenti i vendit ku ka shkuar për vizitë, dhe këtë gjë e bën në kohën kur gjendet ende në atë shtet, ky është një vetëposhtërim i pangjarë në historinë botërore politike dhe mund të ndodhë vetëm nëse ky shtetar (Rama) është në gjendje paniku pasi shantazhohet me diçka.

Gjatë kësaj vizite Rama donte së paku një fotografi krah për krah me Lavrovin. Kur e pa se Lavrovi nuk kishte ndërmend që t’ ia mundësonte as këtë, Edi Rama ia bëri me shenjë Sokol Ballës, me të cilin kuptohet mirë, dhe Balla i kërkoi një fotografi Lavrovit. Sokol Balla e ka treguar vetë këtë histori.

Sokol Balla në përfundim të konferencës për media Lavrov-Rama i kërkoi një fotografi Lavrovit ndërsa ky ishte duke u larguar. Që Lavrovi pranoi pa dëshirë, kjo kuptohet duke parë foton që publikoi vetë Balla, ku shihet se Lavrovi nuk ka asnjë grimë buzëqeshjeje në fytyrë ndryshe nga Balla që buzëqesh vesh më vesh.

Fotoja na zbulon edhe dicka tjetër sa të cuditshme aq edhe domethënëse sa i përket marrëdhënieve të Ramës me Rusinë. Meqënëse Balla e kërkoi fotografinë, duhet të ishte ai në krah të Lavrovit. Por në fotografinë e publikuar nga Balla duket se në krah të Lavrovit është Edi Rama ndërsa Balla është në cep pas Ramës. Në krah të Lavrovit në anën tjetër është Baton Haxhiu.

Kuptohet që Balla është zhvendosur pak që t’ i hapë vend Edi Ramës që ky të shkojë e të ngulet në krah të Lavrovit, duke ia marrë këtij kështu foton e përbashkët që nuk kishte dashur t’ ia bënte të mundur. Fotoja sigurisht që është parë edhe nga Putin, të cilit Lavrovi i është shfajësuar. Putin me ironinë e tij do ta ketë qetësuar, duke i thënë:

-Sergei Viktorovic, gjithsesi kjo foto tregon se me sa sukses ka punuar KGB. Ne i kemi përgatitur aq mirë agjentët tanë shqiptarë, sa edhe fëmijët e tyre dijnë si të veprojnë në situata të tilla. Nuk të ka mundur kryeministri shqiptar por KGB dhe besoje kur ta thotë një cekist!

Pasi u bë fotoja Lavrovi nuk mungoi ta fyejë Ballën dhe tërthorazi Ramën. Vetë Balla na rrëfeu se në fund Lavrov i kërkoi pesë dollarë për foton.

Me këtë Lavrovi bëri të ditur me ironi diplomatike se kryeministri shqiptar e detyroi të fotografohet me të duke përdorur për këtë qëllim një gazetar të paguar prej tij. Kërkesa e Lavrovit për pesë dollarët për foton kishte një nënkuptim në adresë të Ramës: Tani paguaje lakeun tënd për shërbimin!

Por Lavrovi e kuptoi megjithatë domethënien e sjelljes së Ramës. Rama donte t’ i thoshte Lavrovit dhe Putinit, se ai e kishte në zemër dashurinë për Rusinë, të ngulitur nga babai dhe nëna, por ata duhet ta mirëkuptonin që ishte i detyruar t’ i shërbente SHBA, e cila e kishte marrë Shqipërinë si trofe me përfundimin e Luftës së Ftohtë.

Edhe Sokol Balla, një gazetar me shumë përvojë dhe dinak, ishte i vetëdijshëm për shërbimin që po i bënte Ramën dhe arsyen se përse Rama po e kërkonte fotografinë.

Është tregues i pështjellimit të politikës amerikane në Shqipëri, që Sokol Balla edhe pasi kësaj ngjarjeje në Moskë mbetet gazetari i parapëlqyer i ambasadës amerikane në Tiranë. Kur i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Gabriel Escobar vizitoi Shqipërinë dhjetorin e kaluar, ai i dha një intervistë ekskluzive Sokol Ballës në mjediset e ambasadës amerikane në Tiranë. Pasi u transmetua intervista, Sokol Balla doli në ekran me një kravarë ku paraqitej flamuri amerikan. Me sa duket z. Escobar nuk kishte pranuar që të intervistohej nga një gazetar me një kravatë të tillë, duke e parë këtë si shprehje të proamerikanizmit të rremë vetëtallës që arrin efektin e kundërt.

Mënyra sesi Rama e siguroi fotografinë në krah të Lavrov tregon se Rama është njeri i shantazhuar nga Rusia për shkak të së kaluarës së babait të tij në Rusi dhe të lidhjeve të nënës së tij me KGB-në sovjetike, kur ajo ishte studente në Poloninë komuniste, ku studentët e besuar shqiptarë u përdorën nga KGB për të spiunuar polakët antisovjetikë.

Fotoja e publikuar nga Sokol Balla na zbulon edhe enigmën e krimit të Qerretit tetorin e kaluar ku u vranë katër rusë, ndër ta edhe vëllai rus i Edi Ramës, nga martesa e parë e babait të tij në Rusi. Me ngjarjen e Qerretit edhe Putin e ka kuptuar se Rama si bir i prindërve agjentë të KGB-së kishte tejkaluar edhe pritshmëritë e kësaj të fundit për trashëgiminë familjare të përgatitjes agjenturore.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *