1 Tetor, 2023

Pse Rama dhe Basha janë të ‘dënuar’ të bashkëqeverisin gjatë!

 Pse Rama dhe Basha janë të ‘dënuar’ të bashkëqeverisin gjatë!

Nga Aranit Muraçi

Me rikthimin Sali Berisha dhe Ilir Meta i kanë bërë dhuratën më të bukur Kryeministrin Edi Rama për të qëndruar sa më gjatë në politikë, duke qenë se drejton partinë më të madhe dhe është fituesi i zgjedhjeve parlamentare për herën e tretë radhazi, pa llogaritur ato lokale.

Ish kryeministri Sali Berisha vendosi t’i rikthehej tre muaj më parë politikës aktive, ndonëse nuk ishte tërhequr kurrë prej saj, me qëllimin kryesor, për të rimarrë drejtimin e PD-së. Ai e ka të qartë se do të ketë të vështirë të rimarrë PD-në, sikurse shihet si një pamundësi absolute të rikthehet sërish në pushtet.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, konfirmoi që drejtimin e partisë së saj do ta rimarrë Ilir Meta. Pak muaj i kanë mbetur nga posti i Presidentit, ndërkohë pas festave Meta do të presë me qetësi shkarkimin e mundshëm nga posti i Presidentit. Gjykata Kushtetuese pasi vendosi kundër tij për zgjedhjet e 30 qershorit, me siguri do t’i përgjigjet pas Vitit të Ri pozitivisht kërkesës për shkarkim.

Në LSI nuk ka diskutime, zhurmë, as pretendime dhe as nevojë për zgjedhje. Ajo është një parti e krijuar nga Ilir Meta dhe i përket atij. Meta ka krijuar një parti tipike për monarkitë saudite. Në një marrëveshje të fshehtë me Berishën që prej vitit 2001, Meta ka shijuar frytet si askush tjetër nga krerët e partive të vogla që u ngritën jashtë dypolaritetit partiak.

Meta dy dekada më parë në shenjë hakmarrjeje arriti një marrëveshje me Berishën për të përmbysur qeverinë e Fatos Nanon, me qëllim që ata të ndanin dhe të ndërronin përjetësisht pushtetet me njëri-tjetrin. Siç po tregon koha  ka pasur një marrëveshje të përjetshme mes tyre, e tëra për interesa personalë. Dhe kjo marrëveshje i fuqizoi aq shumë, saqë po të mos kishte ndikuar faktori ndërkombëtar edhe insitucionet kushtetuese do t’i ndanin me tapi.

Meta në fillim të marrëveshjes kishte bërë për vete 4-5 deputetë, ndërsa Berisha i ngriti menjëherë mocion mosbesimi Nanos, i sigurt se do të binte qeveria. Por Nano kishte nuhatur gjithçka në kohë, madje dinte saktësisht sa deputetë i kishin “rrjedhur”.

Kur në Kuvend pritej të votohej mocioni ndaj Nanos, Berishës i mungonin 6 deputetë, të cilët ishin sëmurë, u ishte prishur makina, ose kishin mbetur në trafik. Ishin kryesisht deputetë të partive aleate, të cilët u bënë pjesë të një prej skenave më komike që prodhoi tranzicioni.

Ëndrra e Metës ishte që me themelimin e LSI të merrte më vonë drejtimin e PS-së. Ai me këtë lëvizje ndihmoi Berishën, që të vinte në pushtet në vitin 2005, edhe pse PS doli forcë e parë. Meta qeverisi me Berishën në distancë në 4 vitet e para dhe u bashkua zyrtarisht me qeverisjen e djathtë në vitin 2009.

Para zgjedhjeve të vitit 2013 kur Meta iku nga koalicioni dhe u bashkua me PS-në, Berisha nuk tha asnjë fjalë kundër tij. Ishte kuptuar që Rama do të merrte pushtetin, madje besohet se ishte arritur një marrëveshje me ndërkombëtarët, kur kryeministri aktual vendosi t’ia dorëzojë Bashkinë paqësisht Bashës pas rinumërimit të Arben Ristanit.

I vënë nën presionin ndërkombëtar, pas tërheqjes taktike, Berishës i interesonte që me daljen në opozitë kreu i PD-së të ishte i komanduar dhe i besuari i tij, ndërsa Meta të ishte në qeveri. Nuk dihet nësa Rama apo ndërkombëtarët e propozuan për President para zgjedhjeve të vitit 2017. Qëllimi ishte që Meta, në përfundim të mandatit të Presidentit, të largohej përfundimisht nga politika dhe bashkë me të të ikte një herë e mirë edhe Berisha.

Meta e di që tani nuk më asnjë shans për të marrë drejtimin e së majtës. Ai shpreson që me ndihmën e Berishës të marrë drejtimin e së djathtës, pasi ky i fundit e ka shprehur se me lëvizjen e fundit nuk ka ambicje për të mbajtur poste të larta. Marrëveshja e dikurshme dhe halli i përbashkët e bën Metën që të japë garanci për veten dhe Berishën. Ata shpresojnë se duke rezistuar dhe duke u faktorizuar si opozita e vërtetë e vendit, paralelisht duke luajtur poltikisht me vendet e njohura kundër SHBA-ve (përfshirë edhe ndonjë vend të fuqishëm të BE-së), partnerët ndërkombëtarë do të lodhen një ditë dhe Berisha me Metën do t’i arrijnë qëllimit të tyre, sipas planit të vitit 2001.

Berisha prej 30 vitesh në pushtet nuk largohet pasi pretendon para elektoratit të tij, se vetëm ai e mbron demokracinë. Nuk ka sesi të largohet Meta, politikani tjetër më jetëgjatë dhe në pushtet duke mbajtur postet më të larta shtetërore pas tij.

Me protestat, djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve SHBA-të e kuptuan qartë që Berisha dhe Meta kanë krijuar secili një parti për veten, familjarët, miqtë dhe oborrtarët e tyre. Si të tillë ata nuk do të heqin dorë kurrë nga politika dhe pushteti.

E vetmja zgjidhje ishte distancimi i Bashës prej tyre, që SHBA para se t’i ndëshkonte të mund të shpëtonte opozitën. Kur Berisha u shpall ‘non grata’ nën akuza të forta për korrupsion nga DASH, vërehej ndër të tjera se kishte ndihmuar të pasuroheshin nga ndikimi i pushtetit edhe aleatët e tij.

Kuptohet qartësisht se e tërë lëvizja e Berishës pas përjashtimit erdhi kur pa që po i ikte partia në një drejtim tjetër. Koha do të provojë se ishte e vetmja rrugë që i kishte mbetur Bashës.

Berisha dhe Meta 20 vite pas marrëveshjes do të bashkohen zyrtarisht në një aleancë, për të rimarrë dhe ndarë pushtetin e opozitës. Ata e kanë të qartë që nuk mund të rikthehen më kurrë në pushtet. Opozita u duhet, sepse edhe ajo ka pushtet: I mbron nëse u kërcënohen pozitat nga “armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm”. Ata besojnë se kanë elektorat të mjaftueshëm, i mësuar dhe i përgatitur të sakrifikojë për ta sa herë që është e nevojshme, vetëm që lideri shpirtëror të realizojë ambicjet e tij. Më i theksuar ky besim vlen për Berishën.

Nga kjo aleancë e vjetër i kushtëzuar nga ndërkombëtarët Basha ka të drejtë t’i bashkohet Ramës dhe të bashkëpunojë me qeverisjen aktuale. Rama dhe Basha deri në zgjedhjet e ardhshme do të ndajnë postet e Presidentit, të qeverisë dhe të bashkive.

Ramës i intereson qëndrimi sa më gjatë në skenën politike i dyshes Berisha-Meta. Ndërkombëtarët nuk do të kenë kohë t’i kujtojnë kreut të qeverisë që ka bërë edhe gabime, apo që koha e tij mund të ketë përfunduar. Prej dyshes Berisha-Meta, Rama nuk do të vihet nën presion qoftë edhe nga elektorati, që vendos në zgjedhje për shumicën.

Në zgjedhjet e fundit ishin të shumtë të pakënaqurit në PS, por besohet se bashkë me elektoratin gri, ata e votuan Ramën pikërisht nga frika se mos kthehej Berisha me Metën. E konsideronin Bashën një “kukull’ në duart e tyre, prandaj po tentojnë sot ta asgjesojnë politikisht. Ata kanë besuar vazhdimisht se Basha ka qenë i paaftë të fitojë ndaj Ramës, mirëpo shpresonin te rotacioni dhe fakti që qëndronin ata pas tij. Si të tillë Berisha dhe Meta nuk e konceptojnë sot “pavarësinë” politike të Bashës, çka i bën ta akuzojnë publikisht si një njeri të marrë peng nga Rama.

Nga prania e tyre, as për Bashën nuk do të kenë rëndësi numrat. Sadopak mbështetës që të ketë Basha në elektorat, krahasur me Berishën dhe Metën, nëse ai shpreh një dëshirë, fjala vjen që tani për postin e Presidentit, Rama është gati që t’ia plotësojë. Në tre vitet e ardhshme Rama dhe Basha janë të dënuar të ndajnë pushtetin politik, kurse Berisha e Meta do të shërbejnë si ‘mburojat’ e tyre politike, derisa të lindë nevoja e të krijimit të një opozite të re. Rama i do përballë sepse u njeh skemat e vjetra për t’i kapur  “shah-mat” sa herë që luan.

Me pak pushtet në tavolinë Bashës pritet t’i shtohen radhët ndjeshëm, sikurse ndodhi me LSI-në që u rrit në kurriz të PD-së në tentativën e parë të Berishës, për të rritur partinë e Metës, që aleati i tij të mund të vendoste fatin e çdo qeverie pas 2013-ës. Rama e kuptoi hilen dhe në marrëveshje të fshehtë me Bashën, ia hoqi ‘elektoratin blu’ LSI-së duke ia rikthyer PD-së.

Duke kuptuar nevojën e krijimit të një klase dhe elite të re politike, Berisha dhe Meta ndihen më të rrezikuarit, sepse erdhën në pushtet direkt nga komunizmi dhe jo nga tranzicioni, si Rama dhe Basha, kështu që do t’ju duhet të largohen të parët.

Edhe ndërkombëtarët nëse do të investohen për një klasë të re e kanë të qartë: Pa u larguar Berisha dhe Meta nuk kanë sesi të ikin as Rama dhe as Basha dhe as të tjerë. Për më tepër dy të fundit kanë aktualisht shumicën absolute në Kuvend për të mbajtur dhe ndarë pushtetet, ashtu siç ishte plani një herë e një kohë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *