3 Shkurt, 2023

Pse na urren ne gazetarët kritik, Edi Rama?

 Pse na urren ne gazetarët kritik, Edi Rama?

Nga Armand Shkullaku

Edi Rama, gjithnjë e më shumë po u përngjan atyre liderëve që, të kapur vetëm pas pushtetit, i shpallin luftë kujtdo që kritikon apo nxjerr në pah anët e errëta të sundimit të tyre. Kryeminstri shqiptar, që sapo i ka hyrë vitit të dytë të mandatit të tretë, brenda pak ditëve, në stilin e njohur ballanik e lindor, sulmoi me ironi e cinizëm si raportin vjetor të Departamentit të Shtetit ashtu edhe atë të Reporters sans Frontieres që shënonte një rekord katastrofik të lirisë së medias në Shqipëri.

Sjellja e Edi Ramës, më shumë se sa për të analizuar marrëdhënien e tij me kritikën ndaj qeverisjes, ka vlerë për të kuptuar degradimin e pandalshëm të një politikani, që erdhi me pretendimin kurajoz të modernizmit të politikës shqiptare pas viteve të gjata të tranzicionit. Mënyra se si ai reagon ndaj çdo kundërshtie, qoftë brenda por tashmë edhe nga jashtë vendit, është simptomë e qartë e sëmundjes së autoritarizmit lindor, ku paaftësia mbulohet me arrogancë, dështimi me propagandë dhe abuzimi me sulme ndaj atyre që e tregojnë atë.

Kjo mënyrë e kryeministrit për të mos u marrë me thelbin e problemit por me ata që e evidentojnë atë, të sjell ndërmend sivëllezër të tij si në Ballkan ashtu edhe në Turqi apo Hungari viteve të fundit, sa herë që përballen me të vërtetat therrëse të abuzimit me pushtetin e tyre. Edi Rama, sa më shumë kohë kalon në pushtet, aq më pak ka aftësinë të pranojë e të reflektojë. Nëse dikur edhe e bënte diçka të tillë, sot e ka të pamundur. Abuzimi me pushtetin dhe degradimi i vazhdueshëm i qeverisjes, janë në ato përmasa sa çdo shenjë tolerance apo hapësire demokracie do të përbënte kërcënim për të.

Qëndrimi i fundit ndaj raportit të Reporters sans Frontieres vetëm sa na risolli ndërmend kush paraqitej se ishte dhe si u katandis politikani Edi Rama në sytë e publikut. Ai që në opozitë ishte në krahun e gazetarëve kritikë me qeverinë, që i përdorte si libra të shenjtë kritikat e mediave e organizatave ndërkombëtare, që tallej me Sali Berishën kur sulmonte BBC apo New York Times, sot në pushtet është një kopje e keqe e të njëjtit model të vjetër.

Kryeministri i dalë si personalitet nga bota e medias, nuk ngurron të sulmojë Zërin e Amerikës apo mediat gjermane kur nxjerrin sheshit vjedhjet industriale të votave nga banditët e lidhur me regjimin e tij. Njëjtë edhe me gazetarët e mediat e tjera botërore që treguan se si vendi i vogël ballkanik u shndërrua në rilindjen e madhe të marijuanës dhe kokainës. Çdo e vërtetë, që nga krimi e deri tek korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisë, ndeshi vetëm mohimin dhe deligjitimimin e mediave apo institucioneve ndërkombëtare që i raportuan ato.

Dhe nga Edi Rama nuk mund të pritej qasje tjetër edhe ndaj raportit të Reporters sans Frontieres. Ndonëse çdo gazetar në Shqipëri i jeton këto të vërteta çdo ditë, kryeministri nuk skuqet t’i mbulojë ato me cinizmin e propagandës dhe boshësinë e arrogancës. Por a ka njeri që nuk e di se si pushteti i tij e ka degraduar mjedisin mediatik në Shqipëri? Se si përdoren organet e reja të drejtësisë për të mbyllur aferat e pushtetit dhe shënjestruar gazetarët deri në atë pikë sa u desh ndërhyrja e gjykatës së Strasburgut? Si sillen policët pa numër identikimi ndaj gazetarëve gjatë ushtrimit të tyre të detyrës? Se si shpërndahen favore e prona publike për media që i lëpihen kryeministrit apo si paguhen gazetarët e oborrit me fonde nga borderotë publike? Se si fyen e intimidon vetë kryeministri çdo kënd prej gazetarëve që i jep bezdi me pyetje që tentojnë të kërkojnë përgjegjësi për qeverisjen e tij?

Mjafton të shikosh se kush prej mediave ka reaguar për shqetësimin e rënies së lirisë së shtypit në këtë pikë kaq të ulët, për të kuptuar hapësirën demokratike që pushteti i katërt gëzon në Shqipëri. Kush nga gazetarët ka investiguar për konçensionet dhe PPP, për inceneratorët dhe paratë e drogës në ndërtim, për vjedhjen e të dhënave personale dhe blerjen e votës, ata kanë qenë dhe nën kërcënimin e politikës dhe krimit.

Por raporti në fjalë nuk ka vlerë për rreshtimin e këtyre të vërtetave që ne të gjithë i dimë, por për provokimin e një reagimi që është edhe njëherë konfirmimi i lëngimit të medias nën një regjim. Edi Rama, në krye të një vendi që renditet i fundit në Ballkan, duhet klasifikuar tashmë si një armik i medias së lirë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *