3 Dhjetor, 2022

Pse lufta mes Berishës dhe Bashës për trashëgiminë e PD-së do të zgjasë përtej 11 apo 18 dhjetorit

 Pse lufta mes Berishës dhe Bashës për trashëgiminë e PD-së do të zgjasë përtej 11 apo 18 dhjetorit

Bedri Islami

Lufta për trashëgiminë e PD-së do të zgjasë edhe përtej 18 dhjetorit të këtij viti. Në fakt. Sipari sapo është hapur dhe askush nuk e di se si do të jetë fundi i tragjikomedisë që luhet në zyrat e Shqup-it politik. Nuk e di as Berisha, as Basha, megjithëse që të dy sapo i kanë hapur letrat mbi tavolinë. Basha e dërgoi gjuhën e tij aty ku i dhëmb dhëmbi: krahasoi idhullin e tij me presidentin serb Vuçiç , jo si shkallë sipërore pushteti, por si njerëz të mbrujtur me të keqen dhe që duan të dëmtojnë Shqipërinë. Ai e di fare mirë se kjo do të jetë akuza e ardhshme e Berishës për njeriun që e zgjodhi me dorën e tij, dhe, si ndodh në këto raste, mendoi se kush hedh akuzën e parë, ai është në të drejtën e tij.  Berisha e di fare mirë se si erdhi dhe kush e soll Fazlliçin në Shqipëri, të cilin e bëri më pas mik të familjes së tij. Ai i di farërat e fshehta, që kanë lindur e zhvilluar fillimisht në Prishtinë, për të shkuar drejt parajsës financiare, ku dy familjet u bënë së bashku për të marrë shpërblimin në “natyrë”.

Berisha ka ditur gjithnjë të fitojë luftën brenda vetes, por nuk ka ditur kurrë të bëjë paqen e domosdoshme dhe të zgjatur. Basha nuk ka fituar asnjë betejë, as brenda e as jashtë llojit, por ndjehet rehat në paqen e tij, sa kohë përmes saj mund të pasurohet. Nëse sot skërmit dhëmbët, mos u mundohuni të gjeni zemërimin e tij. Nuk është i zemëruar. Është i frikësuar nga ajo që mund të ndodhë me 11 dhjetor dhe hodhi idenë e 18 dhjetorit. Dikur Berisha paralajmëronte se, në rast se Edi Rama, pas 21 janarit, do të bënte një demonstratë tjetër, ai kishte gati kundër demonstrimin e tij, së bashku me katër snajperë, në katër qoshet e godinës kryeministrore. Basha ka mësuar nga zoti i tij i para pak muajve, por nuk ka as snajperë, as gjuajtës. Ai ka rreth vetes një klikë të emëruar, që , pasi e panë se Berishës i ranë pendët nga amerikanët, kanë  nisur të thërrasin si pallonj.

Është një punë e vështirë, por e urtë të ndalosh “foltoren” para çastit kur fitorja mund të kthehet në rraskapitje. Një “foltore” fitimtare do të jetë më e dëmshme se sa një shkrirje e PD-së. Berisha nuk mund të krijojë më një Berishë të ri. Ai , më mirë se të gjitha, e ka kaptuar se koha e tij ka shkuar, ai është një e kaluar që nuk bëhet kurrë një e ardhme.

Ai mund ta kishte hequr Bashën në vitin 2017 për dy ditë, pa asnjë foltore, pa ndihmën e askujt, as të atyre që janë luajalë ndaj tij, por e dinë se nuk është në të drejtën e tij, dhe as të atyre që nuk e dinë se çfarë bëjnë. Në humbjen e pazakontë të vitit 2017 largimi i Bashës ishte gjëja më e lehtë e mundshme. Berisha nuk e bërë këtë, sepse nuk ishte shpallur ende non grata nga Departamenti i Shtetit dhe, më shumë se sa te Basha, ai besoi te miku i tij i vjetër, Meta.

2 marsi i vitit të kaluar ishte parathënia e 11 dhjetorit të këtij viti. Epilogu do të jetë në ditën kur Ilir Meta nuk do të jetë më shefi i shkarkuar i presidencës. Traktati mes tyre, Berishës dhe Metës, synonte krijimin e një fronti të gjerë opozitar, nën drejtimin e një “skifteri” si Ilir Meta, që , edhe kur qesh të duket se gjëmon, e jo nën drejtimin e një lideri që edhe kur gjëmon, të duket sikur qesh. Në 30 vite Berisha dhe Meta e kanë konceptuar politikën përplasje, ndërsa Basha, që kur e sollën nga Prishtina , e ka perceptuar si përfitim.

Kur Basha e kuptoi se do të ishte e përkohshëm, atëherë, si duket, ai loboi fort, përmes emisarëve amerikanë që kërkonin shkundjen e tij, t’ia hiqni “prangat”, pra Berishën. Më shumë se te Sorosi, që nuk besoj se pyet fort për Berishën, ai duhet ta gjejë kundër lobimin ndaj tij tek të vetët. Sepse, duke mësuar nga ai, edhe ata kanë regjistrime. Në mos asnjë tjetër, Bardhi e ka dëshmuar se regjistron edhe të vetët.

Lulzim Basha nuk është një njeri që lufton. Ndoshta ngaqë, deri tani, i ka gjetur të gjitha gati. Vendin kryesor në KOP-in që u zhduk, duke lënë pas vetëm disa ministra të ardhur nga Kosova , prurje e zonjës Malltezi, tri herë ministër, kryebashkiak, drejtues i opozitës. Për asnjërin post nuk luftoi. Por, ai është më i lumtur kur nxit luftëra brenda llojit, se sa kur lufton për idetë e tij. Ai duhet pasur frikë në punët e fshehta të zyrës, që i ndan me kunatin, se sa në një përplasje brenda llojit. Të përjashtuarit prej tij janë bërë gjithnjë nga zyra, në momentin e fundit, kur nuk kishte kohë për asgjë tjetër. Deri në ditën që e provoi mbi kurrizin e tij politik, Berisha ia pranoi lojën e luftërave. Kur ai e goditi, Berisha u rebelua. Për të pasur luftë, i duhej një kauzë, që nisi me besë prerjen, vazhdoi me shkeljen e statutit nga Basha, vazhdoi me mospërfilljen e statutit nga vetë ai, kalo tek foltoret, për të vazhduar në një kuvend.

As njëri e as tjetri nuk e kanë të vërtetë luftën e tyre, sepse nuk e kanë të vërtetë kauzën me të cilën bëhet një luftë.

Basha e ngriti stekën. Kaloi tek përplasja e madhe politike, duke e krahasuar Berishën me një kriminel serb, ish ministër të qeverisë së Milloshevicit, Vuçiçin, armikun numër një të shqiptarëve në Kosovë. Me këtë i heq edhe alibinë përse ai u shpall non grata.

As njëri e as tjetri nuk janë puritanë. Që të dy , në kohën e tyre, puritanizmin që njeh si autoritet vetëm ndërgjegjen, e kanë mbajtur larg jetës politike. Tani ekziston vetëm në pak njerëz, që përsëri mbahen larg selisë, më shumë nga frika e përplasjes mes tyre.

Berisha ka ende në vetëdijen e tij perceptimin e politikës në stadin e fillimit të saj, kur u pranua si komunist besnik e militant. Basha nuk ka as ndërgjegje politike e as brejtje të saj. Ai mashtron me gjithçka, me atë lehtësi sa merr përfitimet e tij nga politika.

Këto dy njerëz kanë thirrur njëri tjetrin të përleshen, por me shpata të ndryshkura. Në fakt, Berisha mund të kuptonte se koha e tij ka shkuar, nëse do të donte; Basha do të donte t’a kuptonte kohën e tij por të mundte.

Berisha është një njeri që dehet me pushtetin, Basha është një politikan që dehet nga paraja. Mes tyre qëndrojnë disa nga aferat më të rënda të 30 viteve pluralizëm dhe ata vetë sapo kanë filluar t’i heqin pluhurin së shkuarës së përbashkët, gjithnjë duke u ruajtur, Berisha e di mirë se në aferat e Bashës është i përzier edhe i biri, ndërsa Basha e di se pas vendimeve kryeministrore është gjithherë dikush i familjes. Kështu janë bërë milionat.

Berisha është gojëtar i furishëm, njeri që beson lehtë dhe hakmarrës. Ai është nga ata drejtues që kanë ditur ta tërhiqnin popullin për ta çuar në greminë.

Basha është gojëtar dembel, nuk beson në asgjë, veç fuqisë së parasë dhe hakmarrjen e kërkon gjithnjë në një pjatë të ftohtë dhe në çastin e fundit.  Atë nuk e bren kurrë ndërgjegjja dhe as që është i shqetësuar për të ardhmen e opozitës. Ai është i trazuar se  ku do të jetë ai vetë. Nëse Berisha i mbyll foltoret, ai bëhet menjëherë “ burrë i mirë”, lider i shquar, bile historik. Basha nuk trazohet për asgjë, por e mban mend mirë se çfarë ka ndodhur. Dhe atë që e mban mend, nuk e harron, duke pasur një kujtesë të mirë. Çfarë nuk i kujtohet vetë, ia kujtojnë farisenjtë rreth e rrotull.

Berisha shpesh herë është rob i emocioneve, më shumë se çdo politikan tjetër. Basha është rob i parasë. Berisha bie shpesh pre e anktheve, një pjesë të jetës së tij e ka kaluar në një gjendje të ekstazës mistike, çka nuk ndodh kurrë me Bashën. Ai, edhe kur duket shpërthyes, është gati të qeshë, sepse nuk ka asnjë lloj emocioni në jetën politike.

Përplasja mes tyre do të jetë groteske dhe, në të njëjtën kohë, cinike. Basha nuk mund të rebelohet kurrë seriozisht, Berisha, edhe nëse rebelohet e di fare mirë se çdo gjë është e humbur.

Nga lojalizmi dhe vetëdija se Basha nuk është i duhuri dhe as nuk duhet të ishte aty ku është, shumë vetë, afër Berishës, mbrojnë një çështje që e dinë se nuk është e drejtë. Në kampin e Bashës, duke u mbrojtur pas statutit, pa dashje pohojnë se e drejta e tyre është në letrat që i kanë shkruar vetë, jo në forcën e tyre. E kur është zbatuar statuti në këtë parti: asnjë ditë e nga askush! Vetë Berisha ka qenë shkelësi më i madh. Të mbrohesh pas një kopertine është e njëjtë si të mos kesh asgjë tjetër pas vetes.

11 dhjetori dhe 18 dhjetori do të jenë dy farsa politike, më shumë të sajuara, se sa të lindura; të thirrura nga nevoja vetjake, se sa nga ide; të shtrembëra që në lindje dhe të këputura nga mungesa e vizionit.

Berisha, edhe nëse i duket se fiton, atëherë do të jetë më i humbur se sa sot. Do të jetë i leçitur.

Të ngresh në këmbë një strukturë që i  bie ndesh politikës së shtetit amerikan është t’i ngjash sagës së Sizifit.

Është betejë e humbur, diktuar nga një më i fuqishëm se gjithë të tjerët.

E keqja është se në opozitë nuk ka asnjë që mund t’i besohet fuqimisht. Sepse i kanë shkulur vlerat. Duke ruajtur antivlerën si monedhë besnikërie.

Shikoni ata që mban nën sqetull Lulzim Basha dhe do të kuptoni mediokritetin politik dhe mos dinjitetin njerëzor.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *