Pse Jorida Tabaku nuk flet për ortakëritë e Vjollca Hoxhës dhe Ben Blushit me inceneratorët?!

Afera e inceneratorëve, një dosje e cila tashmë është edhe në dorë të SPAK, është koncesioni më i akuzuar në Shqipëri, e quajtur edhe si afera e shekullit.
Pas një hetimi të SPAK për inceneratorin e Elbasanit, është vënë në pranga një ish-ministër, ndërsa janë shpallur në kërkim Stela Gugallja, pronarja e inceneratorit si dhe Klodian Zoto personi që ka ndërtuar inceneratorin, nëpërmjet kompanisë së tij ITS.
Për këtë aferë është ngritur edhe një Komision Hetimor Parlamentar, i cili drejtohet nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.
Komisioni Hetimor, ka thirrur për të dëshmuar një listë dëshmitarësh, por bie në sy “mbrojtja” që po i bëhet ortakëve mediatikë, të pronarëve të inceneratorëve.
Janë thirrur shumë dëshmitarë, por jo ortakët e miliona eurove.
Kujtojmë këtu se media ka zbuluar me dokumente zyrtare, pagesat e kompanive të inceneratorëve për gazetarë, media, apo edhe portale periferike dhe jo vetëm.
Nëpërmjet dokumenteve ekskluzive, media ka zbuluar edhe ortakëritë e pronarëve të inceneratorëve në kompani të tjera, me pronarë apo edhe ish-drejtues mediash.
Bëhet fjalë për ortakëritë e pronarëve të inceneratorëve në kompani të tjera, me aksioneren e Top Channel, Vjollca Hoxha dhe ish-drejtorin e këtij televizioni Ben Blushi.
Ben Blushi, është ortak me pronarët e inceneratorëve në kompaninë Em Capital Group, e themeluar në Bullgari, por që marrëdhënien tregtare e ka bashkëshortja e tij Eva Blushi.
Në këtë kompani, janë ortakë Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Eva Blushi.
Më tej, është kjo kompani, e cila vjen në Shqipëri, dhe për 2.2 milion dollarë blën 51% të Valtelina Kafe, e cila mban emrin tregtar Lori Kafe. Dhe që “rastësisht” ka të njëjtët pronarë me Top Channel.
Kjo ndodh në kohën që ky televizion drejtohej nga Ben Blushi dhe Vjollca Hoxha.
Një tjetër kompani, ku Blushi dhe Hoxha dalin hapur me emrat e tyre është Kudo Pay.
Tek kjo kompani bashkëaksionerë janë Stela Gugallja, pronarja e inceneratorit të Elbasanit, e shpallur në kërkim, si dhe Ben Blushi dhe Vjollca Hoxha.
Pra, janë të paktën tre kompani që tregojnë ortakëritë e Ben Blushit dhe Vjollca Hoxhës, me pronarët e inceneratorëve. Por, as Blushi dhe as Vjollca Hoxha nuk janë në listën e dëshmitarëve të thirrur nga Jorida Tabaku.
Për më tepër, Top Channel, që paguhet në skema të ndryshme nga inceneratorët, duket se është ekrani i preferuar i Lulzim Bashës.
Ndërsa deputetja e Bashës, Jorida Tabaku hesht për ortakëritë miliona euro.
Jorida Tabaku hesht se nuk e di, apo hesht se aq di dhe aq duhet të thotë?
Por, fakti është se inceneratorët s’kanë dy të verteta. E vërteta është një dhe vetëm një.