9 Dhjetor, 2023

Pse Erion Veliaj duhet të arrestohet në moment?

 Pse Erion Veliaj duhet të arrestohet në moment?

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj i thirrur të martën në komisionin hetimor parlamentar për “aferën e inceneratorëve” dha dëshsmi kontradiktore lidhur me vendimmarrjen e Këshillit Bashkiak për kontratën konçensionare të inceneratorit të Tiranës.

Ai u pyet fillimisht nga kryetarja e komisionit Jorida Tabaku për një shkresë të datës 27 mars 2017, me anë të së cilës Veliaj jepte miratimin e tij për kontratën konçensionare të inicuar nga Ministria e Mjedisit, nëse ajo shkresë ishte bazuar në një vendim të Këshillit Bashkiak.

Veliaj tha se po, por kur iu kërkua t’i referohej vendimit, ai lexoi një vendim të Këshillit Bashkiak me nr.126 të datës 28 shtator 2017, që kishte të bënte me miratimin e buxhetit afatmesëm të bashkisë.

“Ti po gënjen nën betim”- iu drejtua Tabaku, pasi sipas saj, vendimi i Këshillit Bashkiak që po citonte Veliaj nuk kishte lidhje me kontratën konçensionare dhe se kishte shkelur ligjin e autonomisë vendore duke dhënë pëlqim personal për konçensionin pa marrë miratimin e Këshillit Bashkiak, i cili ka kompetencë për angazhimin e fondeve buxhetore.

“Une kam këtu vendimin Nr.106 te Keshillit Bashkiak te Tiranes i cili eshte per buxhetin e Tiranes, i cili siç gënjen z.Veliaj nuk e përmend landfillin e Sharrës. Eshte vendimi i cili miraton buxhetin vjetor. Këshilli Bashkiak i Tiranës ka një autoritet per te gjitha fondet e bashkisë Tirane”- tha ajo.

Por Veliaj insistoi se germa G e këtij vendimi autorizonte kryetarin e bashkisë. “Ngarkohet kryetari i bashkisë së Tiranës për zbatimin e detyrimeve”- tha ai.

Tabaku e akuzoi disa herë rrjesht se po gënjente dhe po jepte dëshmi të rreme nën betim, ndërsa Veliaj devijoi përgjigjet me retorikë politike pa arritur të sillte baza se ku e mbështeste vendimin për miratimin e konçensionit. Veliaj kaloi në sulme seksite ndaj Tabakut dhe akuza se ishte përfituese e ndërtimeve në Tiranë.

“Në këshill bashkiak shkohet për buxhetin dhe për pronën. Për sa kohë është prona shtet nuk ka arsye të shkosh në këshill se nuk është prona jonë”- tha Veliaj pas këmbënguljes së Tabakut se vendimi që ai i referohej nuk kishte lidhje me konçensionin.

“Në mars i jam përgjigjur shkresës që jam dakord në parim”- tha ai. Por Tabaku e pyeti se si ka angazhuar fonde buxhetore pa autorizimin e këshillit që në mars, pyetje të cilën Veliaj e cilësoi “histeri”.

Më tej Veliaj argumentoi se ashtu si ai edhe kryetarët e bashkive të vogla të qarkut Tiranë si ai i Kavajës apo Kamzës kishin bërë të njëjtën gjë si ai. “Ka dopio standard. Kavaja e ka miratu pa këshill bashkiak”- tha duke sqaruar se shkresa e tij ishte përgjigje vetëm për bashkinë Tiranë, jo për qarkun.

Të njëjtës çështje iu rikthye në pyetjet e tij edhe deputeti Belind Këlliçi, i cili pasi lexoi shkresën e marsit të firmosur nga Veliaj lexoi dhe një tabelë shifrash që i bashkangjitej kësaj shkrese që kishte të bënte me planin e angazhimit financiar për sasinë minimale të mbetjeve të trajtuara në landfillin e Sharrës. “Po ju pyes për një vendim për të futur në një marrëdhënie kontraktuale bashkinë me vlerë 91 milionë euro në vit”- tha Këlliçi duke e cilësuar këtë angazhim në shkelje të ligjit.

Por Veliaj e cilësoi shkresën e tij një angazhim në parim dhe tha se “pastaj e kam kaluar në këshill bashkiak kur më erdhi fatura”.

Por Këlliçi këmbënguli se angazhimi i tij “inoçent” ishte bërë fakt, pasi kontrata konçensionare u lidh në gusht të vitit 2017, dhe vendimi i Këshillit Bashkiak për buxhetin ishte marrë një muaj më vonë.

“Ju e keni shkelur qëllimisht ligjin”- i tha Këllici, duke paraqitur para komisionit një procesverbal të mbledhjes së Komisionit së dhënies me konçension, ku tre anëtarë të tij i kishin kërkuar 2 përfaqësuesve të bashkisë  në këtë komision “miratimin e kësaj kontrate me vendimin e këshillit bashkiak”. Sipas Këlliçit, përfaqësuesit e bashkisë Tiranë thanë që është i panevojshëm duke e miratuar konçensionin vetëm me firmën tuaj”.

Veliaj ripërsëriti mbrojtjen e tij se “për aq kohë sa toka është shtet nuk nevojitet vendim i këshillit bashkiak” dhe shtoi se shkresa e firmosur prej tij “ka qënë parimore”. “Pasi morëm faturën vajtëm në këshill dhe angazhimi buxhetor miratohet me shumicë te thjeshtë”- shtoi ai.

Por deputeti i PD-së e quajti kontradiktore dëshminë e tij, duke i kujtuar se këshilli e ka miratuar buxhetin një muaj pasi është lidhur kontrata dhe bashkia ishte detyruar të hynte në një marrëdhënie financiare.

Por, për deputetin demokrat dhënia e këtij konçensioni ishte paraprirë nga pakte verbale mes Veliaj dhe ish-ministrit Lefter Koka, i cili është para drejtësisë me akuzën për korrupsion dhe shpërndorim detyre për inceneratorin e Elbasanit.

“Që në vitin 2016 keni thënë do vijë një kompani hollandeze”- i tha ai Veliajt dhe më pas publikoi një shkresë të datës 1 shkurt 2017, letrën e Kokës dërguar ish-ministrit të Financave Arben Ahmetaj, ku sipas Këlliçit, Koka shprehet se “bashkia tiranë ka dhënë miratimin për 1 mln euro për vitin e parë” . “Ky ka lajthitur apo ka qenë marrëveshje verbale mes jush?” – e pyeti ai Veliajn. Por, kreu i bashkisë nuk dha përgjigje direkte.

Edhe për depozitimin e dherave në Landifillin e Sharrës, çështje për të cilën shoqata e Ndërtuesve akuzoi bashkinë se i detyrote të paguanin tarifë kompanisë konçensionare, kryebashkiaku Veliaj tha se nuk kishte një vendim të Këshillit Bashkiak.

Tabaku iu referua dëshmisë së drejtorit të Agjencisë Kombtare të Territorit për një leje të dhënë nga bashkia për depozitimin e dherave. “Është dhënë një monopol për dherat për kocençensionarin e Tiranes, që nuk është llogaritur në kontrate, por është 45 mln euro, sipas librave te shitje-blerjes së kompanisë” – tha ajo.

Ajo e pyeti disa herë Veliajn se “ku është vendimi i Keshillit Bashkiak për dherat qe i ke dhene 45 milione euro Stela Gugallias dhe Klodian Zotos”, por ai e cilësoi një marrëveshje mes privatëve dhe e akuzoi Tabakun se po bënte avokaten e ndërtuesve për interesa personale.

Deputetët demokratë i kujtuan Veliajt se një ditë më parë në komision ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku kishte dëshmuar se për depozitimin e dherave në inceneratorin e Sharrës kishte një vendim të Këshillit Bashkiak, por sërish Veliaj e cilësoi të panevojshëm një vendim të tillë.

Pse duhet arrestuar Veliaj

Erion Veliaj nuk e mbrojti dot nënshkrimin e tij për t’i hapur rrugë ngritjes së inceneratorit të Tiranës, duke shkelur ligjin dhe anashkaluar Këshillin bashkiak.

Në dokumentin këtu poshtë duket qartë se Erion Veliaj ka tejkaluar kompetencat e tij duke marrë edhe ato të Këshillit bashkiak. Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Veliaj nuk e ka tagrin për ta miratuar projektin për inceneratorin, pasi ai vetëm e propozon buxhetin e bashkisë, i cili miratohet nga Këshilli Bashkiak.

“Angazhimi për dakordësinë duhet të përfshijë marrjen e vendimit nga Këshilli Bashkiak përkatës, si autoriteti kompetent për miratimin e buxhetit, ndërkohë që aprovimi është dhënë nga autoriteti i kryetarit të Bashkisë që ka për kompetencë vetëm propozimin e buxhetit në këshill,” thekson KLSH.

 

Image

Por në dokumentin këtu, duket qartë se Veliaj e ka firmosur miratimin e tij në mars 2017, kontrata koncesionare është nënshkruar dhe vetëm në shator, ai ka marrë votën e Këshillit bashkiak. Kjo e ka bërë analistin ekonomik Pano Soko ta shohë atë si një kandidat serioz për burg, pasi ai i ka dhënë vetes një kompetencë për të miratuar një koncesion 90 milionë euro, me një kohëzgjatje 30 vjeçare, pa pasur kompetencë për këtë.

Menjëherë pas mbarimit të seancës së pyetjeve të Veliajt, Soko ka bërë këtë koment në Facebook-un e tij: “S’e kuptoj pse vazhdon akoma diskutimin ky Komisioni Hetimor?

Në momentin që Erion Veliaj pranoi që ka firmosur një vendim që ka lidhje me buxhetin e Bashkisë, pa Vendimin e Këshillit Bashkiak, komisioni duhej ndërprerë dhe oficeri i policisë gjyqësore duhet të ishte futur në sallë dhe të vijonte procedurën e ndalimit të zotërisë dhe shoqërimin në rajonin më të afërt policor. Çdo fjalë pas atij pohimi është thjesht për gajret”, ka shkruar ai.

Po t’i shtohen këtij skandali edhe piruetat e veliajt në Komisionin hetimor, ku ai u mundua të dredhojë duke treguar një tjetër dokument të Këshillit Bashkiak të Tiranës, që i përkiste shtatorit, ai është me të vërtetë ashtu sikurse thotë Pano Soko, një kandidat për SPAK. Por ky realitet është ende larg sepse jemi ende në kohën kur kryebashkiaku e përdor prokurorinë për të luftuar kundërshtarët, ndaj një hetim real do kërkojë ende kohë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *