Pse Berisha i trajton si budallenj mbështetësit e tij demokratë

Nga Mustafa Nano
Krerët më të lartë të politikës dhe të shtetit ishin të ftuar në katedralen Shën Pali të Tiranës, ku Arian Dodaj, kryeipeshkëvi i ri i dioqezës Tiranë-Durrës po merrte detyrën pas emërimit që atij i bëri Papa Françesku në fund të vitit të shkuar. Ishin të gjithë atje, me përjashtim të Sali Berishës. Nuk dihet pse ky i fundit nuk ka shkuar. Ndoshta nuk ka dashur të jetë në të njëjtën sallë me Lulzim Bashën, i cili është armiku më i ri i tij, ndoshta edhe më i madhi ndër armiqtë e shumtë që ai ka patur në vite.
Por Berisha ka bërë një zbulim. Më saktë, ka lexuar në mënyrën e vet një foto të shkrepur në atë aktivitet. Një kamera fotografike ka kapur nga sipër sallën, ku janë të ulur të pranishmit. Duket se ceremonia e dorëzimit/marrjes së detyrës nuk ka filluar ende, pasi të ftuarit janë me kryet ulur. Kryeministri Rama është në rreshtin e parë. Në krahun e tij të djathtë është e shoqja, Lindita, e krah saj është Lindita tjetër, kreu i kuvendit.
Në të djathtë të kësaj të fundit është presidenti i Republikës, pas të cilit është kreu i PD-së (i PD-së që njeh Celibashi), Lulzim Basha, që ka në të majtën e vet ambasadorin spanjoll në Tiranë. Siç vihet re edhe në foto, Rama e Basha janë diagonal, në pamundësi për të komunikuar me njëri-tjetrin. Por Berisha ka zbuluar se ata po bëjnë pikërisht atë gjë, po komunikojnë me njëri-tjetrin. Po e bëjnë në telefon. “Edhe në Shtëpinë e Zotit në vend të ndjekin meshën, flasin me njëri-tjetrin”, ka shkruar ai në facebook gjashtë orë më parë.
Ky shënim në Facebook ka dy shpjegime: 1. Berisha është idiot; 2. Berisha i trajton miqtë e tij të Facebook-ut si idiotë. Unë e përjashtoj të parën, ndonëse jo 100% e jo në çdo rast. Por besoj 100% të dytën. Po shpjegohem, edhe pse është e qartë se nuk ka vend për shpjegim, duke u marrë me pohimin e Berishës, i cili – ka nevojë të thuhet kjo gjë? – fut ujë nga të gjitha anët. Së pari, ai kërkon të denoncojë e turpërojë një njeri pse ai komunikon me kundërshtarin e tij politik. Mbi këtë bazë e ka ngritur këtë “akuzë”.
Ju kujtohet para nja dy javësh? Shpiku që Basha ishte takuar me Veliajn e Ballën në shtëpinë e Irfan Hysenbelliut, të cilit i kishte vdekur nëna atë ditë. Më pas doli që ia kishte futur kot, dhe është për të ardhur keq që të gjithë u vunë të verifikonin nëse kishte qenë, apo jo, e vërtetë, e askush nuk bëri pyetjen: “Ja, ta zëmë se janë takuar rastësisht, e pastaj? Ç’të keqe ka këtu?” Duhet t’i shkonte mendja Bashës të parit për t’i bërë këto pyetje, e për t’i dhënë munxët kësaj logjike të çmendur. Por jo. Basha bëri të kundërtën. Basha u fye, dhe u mbrojt. Tha që kjo është një shpifje.
Madje, për ta bërë të qartë e të plotë përmasën e tronditjes së tij prej kësaj “shpifjeje të ndyrë”, tha: “E kuptoni se deri në ç’pikë ka arritur Berisha? E kuptoni se sa i lig është që arrin deri në mashtrime kaq të mynxyrshme?” Ufff! E thonë pastaj: Sa anti-PD-ist është Much Nano! Po si të mos jem? Si të mos jesh? Në skenën politikë shqiptare nuk ka dy parti që ndahen nga ideologjia, morali, apo ku di unë se çfarë tjetër. Jo, ka dy parti që janë njësoj në të gjitha gjërat, por ndahen veç në një gjë: Te PS-ja gjen pakëz logjikë e common sense, ndërsa te PD-ja nuk gjen fare.
Por po kthehem aty ku isha, dhe do të eci më tej me teknikën e pastrimit të fushës prej argumentave një e nga një. Po supozoj se arsyetimi që sapo bëra, e që e mbylla me një “ufff” është një broçkull. Po supozoj pra se Berisha, Basha e të tjerë si ata, kanë të drejtë: kush takohet, apo komunikon, me kundërshtarin, është një maskara, e kush nuk ia jep dorën kundërshtarit, kush e sheh atë si armik, kush vjell vrer e tërbim kundër tij, ai është një fisnik, një burrë i madh, një shembull moral.
Dhe po vihem të gjej nëse është e vërtetë se Basha e ka bërë këtë poshtërsi. Tani, nëse Basha e ka bërë mendjen top ta bëjë këtë turp të paparë, unë pyes: “Pse duhet vallë që ai të rrezikojë ta bëjë aty, në prani të të tjerëve e në prani të kamerave? Pastaj, ç’urgjencë vallë ka pasur që të komunikonte edhe aty, pikërisht në atë moment, “në shtëpinë e Zotit” (edhe ky përkufizimi i një kishe si “shtëpi e Zotit” është idiotësi, por ky është muhabet më vete)? Nuk mund të priste sa të shkonte në zyrë, e prej andej të fliste për qejf? Nuk mund ta bënte këtë ende pak para se të shkelte në “shtëpinë e Zotit”, ose pak pasi të dilte prej andej?
Ecim më tutje, duke e pastruar fushën edhe prej kësaj që sapo thashë. Po supozoj këtë herë se Bashës nuk i ka pritur puna, se Bashës nuk i rrihet dot pa folur me Ramën, se Basha, me ta parë atë, nuk i reziston dot tundimit për të shkëmbyer shikime apo fjalë, se Basha është i marrosur pas tij. Po më ndiqni? Po? Ok, e bëmë edhe këtë supozim. Tani nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të provojmë, më saktë verifikojmë, pretendimin e Berishës. E di, është gjëja më e ngeshme që po bëj në jetën time, por më duhet ta bëj. Unë i hyra tanimë kësaj loje. Dhe më duhet ta çoj deri në fund.
Gazeta Panorama më ka ardhur në ndihmë në këtë pikë. Ajo, që e ka marrë seriozisht mëtimin e Berishës, siç ka bërë gjithë kohën me çdo gjë të Berishës (se mos vetëm Panorama? Të gjithë e kanë marrë seriozisht këtë njeri. Edhe unë atë po bëj me këtë shkrim), ishte vënë në kërkim të këtyre provave. Dhe e kishte gjetur atë që kërkonte. Kushedi sa duhet të jenë lehtësuar kur e kanë shtënë në dorë! Është fjala për një fotografí, e cila provonte se Basha e ka alibinë që e nxjerr të larë prej akuzës mbi këtë krim: ai po i mban kryet ulur, ngaqë po lexon programin e ceremonisë, dhe as që kishte fare celular në dorë, siç mund ta shihni në foto. Është vetëm Rama me celular në dorë. Kështu që Berisha ka gënjyer.
Ia dola më në fund ta provoj këtë gjë. Urra!