28 Shtator, 2023

PS duhet të mendojë që tani për zëvendësuesin e Ramës, që të mos përfundojë si PD

 PS duhet të mendojë që tani për zëvendësuesin e Ramës, që të mos përfundojë si PD

Nga Bedri Islami

Që nga viti 2005 socialistët, të cilët sapo filluan mandatin e tyre të tretë, drejtohen nga Edi Rama, një figurë politike e së djathtës, konvertuar në socialist, por që shpesh herë pak gjëra ka të përbashkëta me të majtën.

Deri në mbarimin e mandatit të tretë të tij, Rama, si pak kush tjetër, do të festojë 20-vjetorin e drejtimit të partisë, drejt së cilës synoi dy herë dhe e mori të tretën, dhe do të bëhet gati për një mandat të katërt. Gjithnjë ka një fund.

Pyetja ime duket tejet e parakohshme.

Mirëpo, në politikë ka gjithnjë një “mirëpo”, përballë vetes ka një precedent të pazakontë, të semit të tij politik, Berishës, i cili, 8 vite pasi emëroi me dorë të hekurt dhe e toleroi liderin e ri të partisë së tij, tani është përballë tij, në një betejë që, sa më shumë do të zgjasë, aq më tejet do të rëndohet forca e tij politike, ku dikur ishte bashkë themelues.

Shembulli i Berishës është nga më domethënësit, se si një politikë e hallakatur dhe e pakujdesshme mund të sjellë lëvizje tektonike të pamenduara, të cilat krijojnë krisje e ndarje. Berisha e mori Lulzim Bashën nga e panjohura e tij politike, si një dendy sorollatës, ku e gjithë merita e tij ishte e ndarë në dy pjesë: hetues – përkthyes në zyrat e UNMIK-ut, njësia për sundimin e ligjit në Kosovë, por që zyrtarë të lartë të saj, edhe në çastet e fundit, vendosën urat e bashkëpunimit me strukturat e hetimit dhe të gjykimit në Serbi, dhe, e dyta, miqësia e Lulzim Bashës me vajzën e kryeministrit të ardhshëm, çka do e bënte atë djalin politik të Berishës.

Rruga e Bashës drejt pushtetit kaloi nga zyra e Berishës, i panjohur nga askush, i mbrojtur si pak të tjerë, i ledhatuar dhe i përkëdhelur, duke i fshehur skandalet dhe duke i veshur meritat e pakund ndodhura, e, tani, Berisha është në fakt kundërshtari i madh i tij, nesër mund të jetë dëshmuesi i shumë paudhësive, të bëra sëbashku apo veç e veç.

Basha, djali plangprishës, i vendosur në vendimin e tij për të larguar Berishën, i njohur thellë me atë çfarë ka ndodhur në bashkëjetesën e tyre politike, tani ka vendosur t’i përgjigjet babait që nuk do e vriste, duke dërguar sejmenët e tij politikë në studio televizive për ta mbrojtur, pa e ditur se kështu bëhen qesharakë dhe të pabesuar. Është gjithçka në natyrën e përplasjeve brenda llojit, megjithëse deri në fund do e ruajnë njëri tjetrin. “korbi – korbit nuk ia nxjerr sytë”- është një thënie e vjetër, por, nëse vjen një ditë e tillë, atëherë gjërat që do të qartësohen, edhe pse të ditura, do të jenë tronditëse dhe fatale për jetën e tyre. Në të njëjtën kohë çlirim për të tjerët.

Ky është precedenti përballë Edi Ramës. Edhe ky i fundit e mban forcën e tij politike me dorë të hekurt, si e mbante Berisha; është diktues i vendimeve njëjtë si shemri i tij politik; tribal dhe, kur ia del të të detyrojë nuk denjon të të bindë. Ndërtimi i tre kabineteve të ndryshme është shembulli i drejtuesit autokrat, i cili vërtet ka të drejtën e ngritjes së strukturës qeveritare, por nuk duhet të harrojë se ka qenë gjithnjë një njësi , e cila, fuqishëm, e ka mbështetur, edhe kur nuk ka qenë e bindur nëse ishte gjëja e duhur.

Sot për sot Edi Rama është i vetmi drejtues i së majtës. Tjetër nuk ka. Largimi i Gramoz Ruçit, që ishte gjithnjë njeriu i domosdoshëm në hije, ka bërë që mjaft nga të majtët e forcuar nga pushteti dy mandatësh, ta shohin Ramën si një personalitet të shenjtë dhe, duhet pranuar, ngritja kundër disa praktikave korruptive apo PPP-ve të ditura si shkallë e lartë korruptive, u duket si një veprim i përbindshëm, që dërgon ujë te kundërshtari. Nëse vazhdon me këtë mentalitet, e majta, sidomos në delirin e pushtetit, nuk do të reformohet më tej, ajo do të deformohet.

Edhe vetë Edi Rama e di se nuk është i përjetshëm në pushtet. Vetë ai ka pranuar se, në çastin e humbjes së pushtetit, do të largohet krejtësisht nga politika. Çfarë do të ndodhë me të majtën kur të vijë çasti i largimit të tij.

8 vite si lider i opozitës dëshmuan se nuk janë të mjaftueshme të bësh një lider, sidomos kur e kap prej veshi dhe e vendos në karrigen e shefit të partisë.

Do të kapë edhe Rama një të panjohur nga veshi dhe ta bëjë liderin e partisë që e bëri kryeministër, për të paktën 12 vite, me mundësi që të ketë edhe mandate të tjerë?

Në sfondin politik të së majtës, ndoshta errësuar nga lideri i plot fuqishëm, nuk ka asnjë figurë që të ngjallë besimin e liderit të së ardhmes. Të mbajtur pranë tij në kohra të ndryshme, si ishte rasti i Saimir Tahirit, tani janë të largët. Shumë figura politike, senatorë të së majtës, që, edhe pse nuk mund të ishin liderë, të paktën do të ishin mësues të shkëlqyer, tani janë mënjanuar, kanë heshtur ose i kanë lënë në heshtje. “Këshilli i të Urtëve” është një përrallë dimri që askush nuk e mban mend. U mënjanuan figura si Fatmir Xhafaj apo Pandeli Majko, nuk afrohet më Namik Dokle apo Servet Pëllumbi, Arta Dade apo Valentina Leskaj, disa nga të cilët u larguan përmes fjalëve të mirënjohjes dhe, pastaj, të heshtjes. Tani, si duket, i ka ardhur koha e distancimit nga Erion Veliaj apo Ditmir Bushati, e pak më vonë, si të padëshiruar mund të jenë edhe Erion Braçe apo Mimi Kodheli.

Dy zgjedhjet e fundit të Edi Ramës, duke vendosur Damian Gjiknurin në postin e sekretarit të përgjithshëm të PS-së, dhe Taulant Ballën në drejtimin e Grupit Parlamentar Socialist, nuk sjellin risi, nuk përbëjnë lajm dhe, as njëri e as tjetri nuk shihen e perceptohen si drejtues të mundshëm të së majtës. Nga brezi i zonjave e zonjushave ministre e sekretare shteti , gjetje politike më shumë se sa administrative, është e vështirë të ndjesh se lidhja e tyre me të majtën është e qenësishme. Më shumë e rastësishme dhe sipas shijeve kryeministrore.

Edi Rama e ka detyrën e përgatitjes së vazhduesit të tij dhe kjo nuk bëhet në një ditë dhe rastësisht.

Asnjë lider në këto 30 vite nuk ka pasur pushtetin e Ramës, që nga maja kryeministrore e deri në pushtetin më të paktë në bazë. Në kohën më të largët, nëse gjërat zvarriten, do të ketë edhe pushtetin presidencial, korrik 2022, nëse Ilir Meta nuk shkarkohet më parë nga posti i tij, gjë që, si duket, nuk do të ndodhë.

Pushteti i tepërt e lodh liderin dhe e përqendron tek autokracia vetjake. Duke e vënë atë mbi partinë që drejton e duke e kthyer mekanizmin shtetëror mbi forcën drejtuese.

Në opozitën e tanishme, në betejën mes ish liderit dhe liderit, ndodh një fenomen politik , i cili, aq sa duket i papritur, aq është i njohur. Nga luajalizmi ndaj Berishës shumë vetë mbrojnë një çështje që e dinë se nuk është e drejtë, për më tepër e gabuar.

Edhe tek e majta ndodh e njëjta gjë. Nga luajalizmi ndaj Edi Ramës, e majta në pushtet, hesht dhe mbron devijime të rëndësishme që cenojnë të ardhmen, si shtimi i PPP-ve, nganjëherë tejet të frikshme, rritja marramendëse e borxhit publik, reformat që nisin e nuk mbarojnë në shëndetësi apo në arsim, dhe gjithçka sillet rreth numrit Një.

Si çdo asamble që qëndron gjatë në pushtet, Rama dhe e majta ka prirjen të bëhet një autokraci kolektive.

Është koha e duhur për të menduar për të ardhmen. Autokracia politike e humb gjithnjë cilësinë pa të cilën nuk mund të qeveriset, ndjenjën e së mundshmes. Pra, është e mundur që të mendohet për një ditë të ardhshme.

Në çdo sistem dhe në çdo kohë, për të qeverisur duhet përkrahja e klasave të mesme. Nuk mund të ketë qeverisje të mirë e të dobishme nëse në një vend polarizimi në dy grupime të mëdha: të pasur shumë dhe të varfër shumë, sjell përplasje. Është përplasje e pa evitueshme.

Në tetë vitet e deri tanishme pushteti po e humb betejën me klasën e mesme. Ajo po shkon drejt ngrirjes, kur pikërisht aty duhet t jetë magjia e një force politike të së majtës. Oligarku financiar , ashtu si ka mbështetur t djathtën në pushtet e sot të majtën qeverisëse, nesër kthen përsëri nga forca e pushtetit, sepse nuk ka as bindje politike as detyrime të përjetshme. Ka interesa.

Ndaj, nuk është herët, që e majta të krijojë elitën e saj politike, të denjë për të qeverisur dhe ndërtuar një shoqëri të së mirës, edhe kur “era” Rama do të jetë në mbarimin e saj të natyrshëm.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *