4 Dhjetor, 2022

Prokurorja Edlira Cufi nëpër makina me banditët e Shkodrës, ja si u zbulua

 Prokurorja Edlira Cufi nëpër makina me banditët e Shkodrës, ja si u zbulua

Një raport i shërbimeve sekrete, pasuar me hetime të përfaqësuesve të SHBA-BE në Tiranë, i ka ndërprerë sot karrierën në drejtësi prokurores së Shkodrës Edlira Cufi.

Komisioni i Vetingut njoftoi sot shkarkimin nga detyra të prokurores Cufi për shkak të problemeve të theksuara me pastërtinë e figurës. Edlira Cufi u paraqit në Komisionin e Vetingut në 15 shkurt 2022 për t’u njohur me rezultatet e verifikimit.

KPK-ja kishte administruar një raport të Drejtorisë për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, hartuar në bashkëpunim me Shërbimin e Informativ Shtetëror, për figurën e prokurores.

Fillimisht, DSIK-ja kishte paraqitur një raport pozitiv për gjyqtaren. Por, Komisioni i Vetingut, bazuar në disa indicie dhe gjetje, i ka kërkuar DSIK-së rifreskimin e raportit.

DSIK-ja, në bashkëpunim me SHISH, kanë hartuar një raport të dytë, tashmë negativ, duke ngritur dyshime për përfshirje të prokurores Edlira Cufi në veprimtari korruptive si dhe për kontakte të papërshtatshme me personazhe të përfshirë në krim të organizuar.

Sipas raportit të verifikimit, bazuar edhe në raportin e shërbimeve sekrete, prokurorja Edlira Cufi ka përdorur që nga viti 2012 një makinë tip “Volksëagen Golf”.

Makinë e kishte marrë në një pikë shitjesh makinash në Shkodër, e cila administrohej nga A. H., i dënuar disa herë për prostitucion dhe shitje droge në Itali.

Prokurorja nuk e kishte deklaruar në deklaratat e pasurisë përdorimin e makinës. Edlira Cufi e deklaron këtë makinë vetëm në vitin 2019, pra pas 7 vitesh, pasi e blen për 2 mijë euro.

Prokurorja tha se pronarin e makinës e kishte njohur vetëm kur kishte kryer aktin e blerjes. Trupa gjykuese e pyeti prokuroren nëse kishte pasur në dorë ndonjë dosje të këtij personi. Ajo e mohoi hetimin e A. H.

Por Komisioni i Vetingut kishte siguruar prova që tregonin se A. H. ishte proceduar në vitin 2012 për veprën penale “trafikim i mjeteve motorike”.

Dosja e tij ishte mbyllur pikërisht nga prokurorja Edlira Cufi. Dhe procedimi përkon pikërisht me vitin kur prokuroja merr makinën në përdorim tek pika e shitjes së automjeteve të A. H.

Nga ana tjetër, rreth A. H. kishte bërë kërkime edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Vetingut, i cili ka rrëzuar shumë gjyqtarë dhe prokurorë me prova të befasishme.

ONM-ja kishte zbuluar se A. H. ishte dënuar në Itali disa herë për shfrytëzim prostitucioni dhe shitje droge, gjatë periudhës 2008-2019. Nga ana e saj, prokurorja u shpreh se nuk kishte pasur dijeni se A.H. ishte personi të cilit i kishte mbyllur dosjen.

Ajo tha se ky person ishte me një emër tjetër B.H., që gjendej në dosjen hetimore. Por, në vendimin e mbylljes së dosjeve, personi me aktivitet kriminal në Itali, rezultonte si A. H.

KPK-ja ka konstatuar se prokurorja Edlira Cufi ka udhëtuar jashtë vendit me një person të proceduar për krim të organizuar.

Po ashtu, ajo ka udhëtuar drejt Malit të Zi dhe me persona të tjerë që kanë qenë të proceduar penalisht.

Prokurorja tha se udhëtimet me këta persona kanë qenë rastësore. Edlira Cufi kishte udhëtuar jashtë me persona ndaj të cilëve kishte zhvilluar hetime.

Prokurorja kishte hetuar edhe një person, me të cilin kishte lidhje krushqie. Të gjitha këto elementë duket se kanë bindur Komisionin e Vetingut për ta shkarkuar nga detyra.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *