PROFILI: Rezart Taçi, mashtruesi që u fuqizua nga lidhjet politike

SPAK-u vazhdon me intensitet punën e saj. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me autoritetet italiane ka zbuluar skemën financiare të një grupi kriminal.
SPAK ka shpallur në kërkim biznesmenin e njohur Rezart Taçi dhe ka vënë në pranga dy persona të tjerë që dyshohet të jenë të besuarit e Taçit. Ata dyshohen se janë marrë me pastrim parash, vlera e së cilës përllogaritet diku te 18 milionë euro.
Rezart Taçi njihet si mik i pushtetarëve tepër të lartë në Shqipëri, ose më saktë i Fatos Nanos dhe sidomos familjes Berisha.
Ai u bë i fuqishëm pikërisht falë këtyre miqësive, pasi realisht ka qenë thjesht një mashtrues.
Po kush është Rezart Taçi?
Me hapjen e pikave të “Taçi Oil”, pronari Rezart Taçi, që në mediat e huaja etiketohet si “manjati i naftës në Shqipëri”, ngjiti shkallët e suksesit, duke ndërtuar depozitat në Shëngjin dhe vende të tjera. Gjatë kohës kur Berisha ishte kryeministër ai bleu ARMO-n, gjigantin e përpunimit të naftës në Shqipëri.
Ai u kthye në një nga biznesmenët kryesorë për karburantet. Taçi bleu pas disa kohësh dhe një ndër televizionet më të rëndësishme të kohës, “TV Alsat”. Ai mori goditjen finale në vitin 2013 kur tatimet i bllokuan rafinerinë e hidrokarubureve ARMO.
Në vitin 2016 Taçi u arrestua në Zvicër me urdhër të Prokurorisë Publike të kantonit të Gjenevës në Zvicër, për akuzën e “mashtrimit”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Falsifikimi i vulave dhe i stampave ose i formularëve”.
Ky hetim kishte nisur pas kallëzimit të dy kompanive, një e regjistruar në shtetin panamez me emrin “Wallis Trading INC” dhe ajo holandeze me emrin “Trafigura Beheer Bv”. Të cilët me kompaninë e Rezart Taçit kishin një marrëveshje tregtare të nënshkruar që në vitin 2009 shkruan Abcnews.
Por Taçi njihet për lidhjet në nivele shumë të larta të politikës së këtyre 30 viteve.
Taçi kishte blerë edhe ekipin italian të Parma dhe me 6 shkurt 2015 tërhiqet nga ky klub futbolli italian.
Akuzat nga Italia për 362 milion euro
Mediet italiane kanë shkruar së fundmi se biznesmeni Rezart Taçi ka depozituar 362 milionë euro në Singapor. Sipas medieve italiane shuma e madhe është depozituar në një bankë, ku ka zyrat edhe kompania “Vetro Energy”, me të cilën ai dështoi të merrte kompaninë shtetërore të naftës, Albpetrol.
“ Rezart Taçi, biznesmen nafte, është përmendur në Itali si president i Parma-s. Tashmë është bërë edhe një herë objekt i lajmeve ndërkombëtare.
Sipas burimeve të akredituara gazetareske, në një bankë në Singapor janë derdhur 362 milion euro që i atribuohen Taçit dhe kompanive të tij.
Lidhja midis biznesmenit shqiptar, një mik i Silvio Berlusconit, aq shumë sa që ai ishte gjithashtu sponsori i Milanit me Taçi Oil-in e tij, dhe qendra financiare e Azisë Juglindore vjen nga larg: shuma ishte vendosur në Singapor Vetro Energy, e njëjta përmes së cilës Taçi tentoi blerjen e dështuar në Albeptrol, një kompani shtetërore e naftës në Shqiperi.”, shkruajnë mediet italiane.
Më 3 tetor të vitit të kaluar Gjykata e Apelit Tiranë shpallit të të pafajshëm biznesmenin Rezart Taçi, për akuzat për fshehje pasurie dhe mospagim taksash.
Gjykata e Apelit rrëzoi ankimimin e Prokurorisë, dhe ka lënë në fuqi vendimin e pafajësisë të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë. Prokuroria ngriti akuzën se Taçi nuk kishte paguar 8 milionë euro detyrime tatimi dhe taksash teksa ishte një nga administratorët e ARMO-s shkruan dosja.al me 29 maj 2020.
Me pas emrin i Taçit nuk u ndje më në shtypin e ditës, derisa sot SPAK shpalli kërkimin e tij për ta arrestuar.