2 Shkurt, 2023

PROFIL/ Skënder Sallaku, një jetë me të qeshura: Balerini dhe kampioni i mundjes që u kthye në emblemën e Tiranës

 PROFIL/ Skënder Sallaku, një jetë me të qeshura: Balerini dhe kampioni i mundjes që u kthye në emblemën e Tiranës

Nga Albert Vataj

Kujtesa është një ndriçim shpirti, me të cilin dritëhedhim mbi ngjarje dhe momente, personazhe dhe episode, të cilat feksin hera-herash ashtu beftas, si për të tentuar të na mbajnë të lidhur me të shkuarën, me çfarë nuk meriton të shuhet prej harrimit. Sot në përvjetorin e vdekjes së Skënder Sallakut, më shumë se sa ndërmendja, është mirënjohja ajo që na thërret, si në një solemnitet të shenjtë për ta kujtuar atë, si një ëndje për të rihapur skenat, prejnga Sallaku hyri tek ne, u bë pjesë e dashurave tona, për të jetuar me humorin dhe për ta bërë këtë magji të krijimit, mylmesën e një jete, tejet të trysnuar nga paniku dhe përsekutimi asgjësuese. Të risjellësh në kujtesë Skënder Sallakun aktor të humorit, do të ishte i paplotë kjo përtëritje në memorie, nëse e shkëpusin njeriun e guximshëm, të riun dhe ëndrrat e tij, ambiciet dhe përmbushjet e ngulmëta, që ishin dhe mbeten thelbësore për atë çfarë ishte dhe mbeti tek ne ai, aktori i dashur, i sa e sa roleve, ai që jetësoi në skenë tipe dhe karaktere, identitete dhe personazhe, të cilat më shumë se si të tillë, mbeten shpirtërorja e Skënder Sallakut.Shkrues dhe interpretues brilant i skeçeve dhe parodive, askujt nuk do ti shkonte në mënd se ai burri shtatshkurtër pati ëndërr të bëhej balerin ku dhe aspiroi në fillimet e tij.

Dhe që do të thoni ju, ai që u vlerësua me tituj dhe nderime, “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit”, “Mirënjohja e Qytetit”, “Urdhri i Punës i Klasit të Dytë”, ai ishte edhe kampion kombëtar i mundjes klasike.

Skënder Sallakun, emblema e e Varietesë së Tiranës, një nga përfaqësuesit më të spikatur të humorit tiranas, ai skaliti emrin e ti në artin skenik të humorit si një rast unik, duke jetuar me të qeshurën dhe duke patur gjithçka të jetës së tij humorin. Është krijuar një stereotip, se të gjithë aktorët janë me humor dhe e qeshura është çdogjëshmëria e jetës së tyre, rasti i Skënder Sallakut bën përjashtim, ai nuk ishte vetëm një aktor humori, por edhe një njeri me shpirt plot dritë dhe të qeshurën të veshur si petk. Por, siç tregojnë edhe kolegët, kishte raste kur ai ishte serioz dhe asgjë nuk e çante këtë koracë që mbante atë të kyçur në momente të ndryshme të jetës. Artisti Skënder Sallaku u lindi në Tiranë më 25 janar 1935.

Që në fëmijëri të hershme ai shfaqi një pasion dhe dëshirë të madhe për aktrimin dhe sidomos për zhanrin e humorit. Rrugëtimi për të përmbushur ëndrrën e skenës së humorit, si për të gjithë edhe ai, Skënder Sallaku, veç mundit dhe sakrificave, punës, punës së palodhur dhe një vullneti të paepur, për të arritur gjithçka me meritë, u desh të sfidonte edhe makinacionet e regjimit komunist, ndaj së cilit, si ka thënë vetë Sallaku në një intervistë, ai fitoi me të qeshura. Rrugëtimi në skenën e Varietesë së Tiranës më 1956, mbylli portën e mundësit ambicioz dhe kampionit, për t’i çelur të ardhmen përmes siparit të skenës së humorit, skenë të cilën ai e deshi dhe i kushtoi gjithë jetën.Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Fizkulturës, ai ndoqi edhe një kurs kualifikimi për akrobat në Cirkun e Pekinit.

Karriera e artistit zgjati për më tepër se gjysmëshekulli, ku falë aftësive të tij të shkëlqyera plastike, pantomimike etj., interpretoi në më tepër se 1000 role në skenë dhe ekran, të cilat do të mbeten gjatë në kujtesën e artdashësve dhe si një thesar për trashëgiminë artistike, kryesisht në zhanrin e komedisë. Një karrierë 52-vjeçare ishte jo vetëm një jetë në skenë, por çdoditshmëria e përjetuar me pasion dhe përgjegjësi të lartë, obliguese, jo vetëm ndaj spektatorit që e priti dhe e përcolli në qindra shfaqje me duartrokitje dhe ovacione, por edhe ruajtja e atij ekuilibrit të brishtë të ideologjisë dhe censurës që përgjonte me sy skifteri skenën e humorit. Të bëje art në diktaturë ishte një heroizëm.

Çdo sprovë dhe kulmim krijues, çdo shaka apo batutë ishte majëprehtë në humor dhe viktimat mbeten të shumta, por Skënderi, dhe jo vetëm ai, arritën të shpëtonin, arritën të mbanin të gjallë të qeshurën, këtë ballsam për shpirtrat e plagosur e vullnetet e drobitura. Disa nga interpretimet më të spikatura të Skënder Sallakut janë në shfaqjet: “Gaz dhe punë”, “Ditari i një bojaxhiu”, “Ekipi”, “Dosja jonë” , “Kur hiqen Maskat”, “Estrada në ekran”, e pafund komunikim skenik me të qeshurën, ku ai la gjurmë në traditën e artit tonë komik, një nga gjinitë e marrëdhënies estetike me publikun më delikatet. Por ai qëndroi në skenë nga fillimi deri në fund, duke na dhuruar të qeshura, duke ndarë me ne shpirtin e tij plot dritë dhe dëshirimin e madh, se, e qeshura është të jetuarit shëndetshëm . “Kam nisur të “qesh” qysh në moshën 16 vjeç.

Me një grup amatorësh të Pallatit të Kulturës hyra në balet, e nisa pra si balerin. Në vitin 1953 u krijua estrada e kufirit, duke kaluar si aktor në këtë estradë. Dhe më 1956 kalova në estradën e Tiranës deri në ditën që dola në pension”, rrëfeu ai në 70-vjetorin e lindjes për “Standard”.“E qeshura është jeta ime. Nuk mund të rri pa qeshur, të gjitha situatat e gëzueshme i krijoj nga ky shkak. Vetëm që të prodhoj tek njerëzit buzëqeshje. Madje, nuk përmbahem edhe në hidhërim, prapë se prapë e lëshoj nga një batutë me qëllim që njerëzit të qetësohen, për t’u mos mbushur me shumë ligështi.” kujtonte ai.Ai ishte një aktor brilant i humrit dhe një njëri me shpirt të madh. Ai na mësoi jo vetëm se si të qeshim, se si të mbushim shpirtin plot dritë dhe zemrën me të rrahura gazmimi, por edhe si mundë të jesh i njerëzishëm dhe mirënjohës për miqtë dhe kolegët. Ai kujtonte se “një nga njerëzit që më ka mbetur më afër dhe që më ka ndihmuar gjithë jetën, është ime shoqe. Kur merrja materialin, ajo e shtinte në duar e niste për të studiuar duke më udhëzuar se çfarë ishte më e sakta për mua dhe çfarë nuk bënte. Madje, Vitorja ka shkruar edhe vetë, por ka qenë dhe një nga akrobatet më të mira që ka pasur Shqipëria. Ajo ka qenë një nga bazat kryesore mbështetje për mua. Mjaft mbështetje kam pasur edhe prej shkrimtarëve, duke filluar nga humoristi i vjetër Dionis Bubani, i cili ka shkruar për mua qysh në moshën 18 vjeç, e më pas vijnë me radhë Koço Devole, Pëllumb Kulla, Filip Çakuli, Bujar Kapexhiu etj,. Më pëlqen humori që bëhet në Durrës, sidomos nga Fadil Hasa.

Po ashtu janë shumë simpatikë parodistët e Vlorës, ndërsa Zef Deda është ajka e humorit shkodran”.Kështu jetoi ai shpirt i begatuar nga e qeshura dhe mirësi. Kështu krijoi dhe interpretoi në skenat e mëdha dhe ato të argëtimeve në fshatra e ndërmarrje, katunde e ferma, ku ai, ai, Skëndër Sallaku, i vlerësoi të gjithë dhe e çmuan të gjithë, dhuroi të qeshura, si gjënë më të shtrenjtë që pati dhe u shpërblyer me zemrat dhe dashurinë e të gjithëve, atyre që e ndoqën nga skena në skenë, por edhe atyre që ishin dhe mbeten pjesë e jetës së tij, derikur ai vendosi të ndalonte. Skënder Sallaku u nda nga jeta më 11 shkurt 2014 në moshën 79-vjeçare nga një sëmundje e pashërueshme, prej së cilës ai vuajti për disa vite, por pa u nënshtruar, duke u përpjekur të bëjë më të mirë në ditët që i kishin mbetur, duke shkruar materiale komike. Iku për të mbetur përgjithnjë ai Skënder Sallaku i roleve të pavdekshme, i humorit taranas, i atij sharmit ëmbëlak të plakut babaxhan, burrit sarhosh, katundarit naiv, e shumë e shumë përjetësime të tjera, që janë pjesë e fondit të Varietesë së Tiranës, janë thesar i artit tonë komik. Figura emblematike si Skënder Sallaku do të jenë shembull frymëzimi për brezat e rinj të aktorëve komikë, atyre që më shumë se të na bëjnë të qeshim, ata duan të na dhurojnë çaste relaksi dhe ballsam shërimi. Shpirtrat tanë të plagosur kanë nevojë të ushqehen me dritën e perëndishme të të qeshurës, siç ka nevojë dita për dritën e diellit që të shndritë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *