30 Nëntor, 2022

Presioni ndërkombëtar për vettingun po shtyn PS-PD drejt hapjes së ‘dosjeve të vjetra’

 Presioni ndërkombëtar për vettingun po shtyn PS-PD drejt hapjes së ‘dosjeve të vjetra’

Presioni i ndërkombëtarëve për të zgjatur afatet e komisioneve të vettingut po i shtyn socialistët dhe demokratët që të rihapin dosjet e vjetra të reformave.

PD ka kushtëzuar votën pro ndryshimeve kushtetuese për zgjatjen me dy vite të afatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit me vettingun në politikë, reformën zgjedhore sipas propozimeve të saj dhe reformën administrativo-territoriale.

Socialistët kanë këmbëngulur publikisht se vettingu në drejtësi dhe zgjatja e afateve të komisioneve të tij nuk duhet ngatërruar me asnjë çështje tjetër politike, por jopublikisht po lëvizin në drejtimin e adresimit të propozimeve të PD-së në Kuvend, të paktën për reformën zgjedhore dhe reformën administrativo-territoriale.

Sinjalet u dhanë në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit ditën e martë, kur në emër të shoqërisë civile u paraqitën disa propozime për ndërhyrje në Kushtetutë. PS thotë se ndërhyrja është e nevojshme për të korrigjuar disa problematika që kanë nisur nga ndarja e 2015-s, duke e lexuar këtë ndarje si të suksesshme.

Gazetasi.al mëson se socialistët janë të gatshëm që të pranojnë propozime deri te ndryshimi i kufijve ndarës mes bashkive, të rishikojnë kompetencat e bashkive dhe këshillave bashkiakë pa prekur numrin aktual prej 61 bashkish. Propozimi i hershëm i Partisë Demokratike nga ana tjetër është që numri i bashkive të jetë 100 në mbarë vendin.

Në lidhje me reformën zgjedhore, ajo që ndan palët është objekti i komisionit të posaçëm që duhet të ngrihet në Kuvend për këtë qëllim. PS e PD kanë akuzuar njëra-tjetrën për mungesë vullneti politik në këtë drejtim.

Dallimi i madh mes palëve është që PS kërkon që të adresohen rekomandimet e OSBE/ODIHR, përfshi këtu edhe rekomandimin për depolitizimin e administratës zgjedhore. Me rekomandimet e ndërkombëtarëve është dakord edhe PD, por me përjashtim të depolitizimit të administratës zgjedhore. Sipas opozitës, ky hap është i parakohshëm, pasi vetë administrata publike e vendit është thellësisht e politizuar.

Për vettingun në politikë janë të pakta mundësitë që të gjendet dakordësia. PS e kundërshton nismën, ndërsa PD këmbëngul në këtë drejtim duke ja adresuar këtë proces SPAK-ut, ndërsa vetë kjo strukturë e refuzoi këtë propozim, duke deklaruar se do të mbingarkonte këtë prokurori. Skeptikë për këtë janë shfaqur edhe ndërkombëtarët.

Mbeten të pakta mundësitë që PS e PD të gjejnë dakordësi për këtë çështje, por nëse do të kishte sadopak shpresa për vettigun politik e sigurtë është që kjo detyrë nuk do t’i besohet SPAK-ut, por një strukture të re, ose ekzistuese tjetër.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *