Prapaskenat në PS dhe dyshja Braçe- Xhafaj, të vetmit që “sfidojnë” Ramën

Nga Daniel Muçaku
PS-ja mbetet parti e madhe nisur nga historia e saj, ku rrënjët i shtrihen që nga 8 nentorit 1941. Ndër dekada ajo ka ngrënë shumë koka brenda stanit të saj, por prapë mbetet e pa përçarë dhe e pandarë siç ka ndodhur e po ndodh me PD-në.
Gjatë mandatit të kaluar parlamentar në PS, fill pas ikjes së PD dhe LSI nga parlamenti, kishte disa lëvizje që manifestonin ftohje ndaj lidershipit socialist, por nuk morën jetë sepse me krjimin e një mazhorance diku te 120 deputëtë me deputetët e “pazarit të Milotit”, kryeministri Rama i ktheu në “mumje” oponentët brenda partisë.
Në këto zgjedhje parlamentare, pavarësisht se nuk kandidoi disa zëra kundërshtarë, prapë nuk u arrit nga Rilindja të shkërmoqej dhe flakej ish-ministri Brendshëm Fatmir Xhafaj. Ai fitoi, bile thellë, duke prishur çdo fantazi rilindase se te numri 23 ku e rreshtuan Fatmir Xhafaj, askush nuk mendonte se prapë Fatmiri do iu vinte në parlament si deputet.
Ndërkohë Erion Braçe, ish-zv.kryeministër dhe deputet nuk heziton aspak të kritikojë vendime dhe veprime të kryeministrit Rama, të cilat sipas optikës së Braçes janë antipopullore, siç u shpreh në komisionin parlamentar. Por jo vetëm aty, edhe në statuse sociale me emër dhe mbiemër. Shumë syresh i kanë sugjeruar që ta uli paksa tonin e kritikës, ndërkohë Braçe vetëm sa e rrit dozën.
Të dy deputetët janë sot oponenca më dinjitoze dhe profesioniste ndaj qeverisë së PS-së, kur për dreq opozita e PD-së e përçarë dhe e çoroditur nuk di të jetë bindëse në sytë e publikut.
Ajo që bën përshtypje mbetet se Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe janë dy figura të nivelit të lartë në PS, qoftë nga funksionet që kanë patur, por edhe nga dinjiteti personal.
Dhe janë mirëfilli socialistë, bile tani janë më të vjetrit e PS. Nuk janë aspak rilindas, sepse u shkëlqen e kuqja e PS-së që larg.
Të reagosh ndaj të dyve është një sfidë e vështirë për këdo që e mendon ta bëjë në PS sepse të dy janë “proletarë” në grupin parlamentar, pra nuk kanë se ç’të humbasin. Nuk kanë pasuri dhe as akuza korrupsioni, nuk mbartin lidhje të dyshuara, përkundrazi Braçe kur ka qenë zv/kryeministër ka mbledhur një turrë me letra e dokumenta për pasuritë dhe lekët e shumta të disa ministrave në PS, sikurse Fatmir Xhafaj kur ishte ministër i brendshëm ka plot argumenta dhe turrë informacioni se si veprojnë grupet kriminale me disa oligarkë apo me politikanë në PS.
Kundërshtimet apo vëretjet e tyre për projektligje apo vendime të ndryshme nga qeveria kanë krijuar një shije jo të mirë te kryeministri Rama që për momenton shtërngon dhëmbët, por nuk e jep veten. Në fakt të kundërshtosh Edi Ramën është sfidë e lodhshme dhe e vështirë, sepse shumë politikanë para dyshes Xhafaj-Braçe nuk kanë përfunduar mirë në karrieren e tyre politike.
Kokat e tyre “të prera” akoma tundet te oborri i PS-së, aqsa kush shkon në seli të partisë fillon e ul kokën kur shikon ato koka të “varura”!
E megjithatë ata nuk duken se kanë ndërmend ta ndalojnë oponencën e tyre, në linja të ndryshme, kundrejt atyre që mendojnë se janë gabim apo që shkelin besimin e elektoratit socialist.
Nuk besohet se të dy, Xhafaj-Braçe, janë miq të ngushtë apo kanë grupim pavarësisht se kurrë mos thuaj kurrë, është një fjalë e urtë.
Ajo që krijon shije jo të mirë në grupin parlamentar të drejtuar nga Taulant Balla lidhet me disa pakënaqësi në grup, ndërsa Xhafaj-Braçe manifestojnë forcë përballje dhe mezi presin që kryeministrit të futet në duel me ta.
Kur shikon se kryeministri të jep përshtypjen e indiferentit ndaj kundërshtimeve prej disa deputetëve të PS-së, kjo mbetet thjesht dukja, sepse në të vertetë zien përbrenda. Sikurse Rama ka gëlltitur sfidën dhe poshtërimin që iu bë në stadiumin e Elbasanit nga njerëzit e Taulant Ballës me ngritjen e dronit.
Por nuk harron kollaj, kush e njeh Edi Ramën, ndonëse Fatmir Xhafa dhe Erion Braçe janë kockë e fortë që të ngec në fyt.
Pa harruar se edhe Ditmir Bushati për momentin po rri e vështron për të gjetur kohën e hedhjes së shigjetës pasi e nxorën padrejtësisht nga parlamenti.