28 Janar, 2023

PRAPASKENAT: Erion Braçe akuzon Arben Ahmetajn se thurri komplot ndaj tij, që ta arrestonin

 PRAPASKENAT: Erion Braçe akuzon Arben Ahmetajn se thurri komplot ndaj tij, që ta arrestonin

Erion Braçe rrëfeu se ka qenë ai që i ka kërkuar Edi Ramës të mos përfshihet në Qeveri pas fitores së mandatit të tretë të socialistëve në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të kaluar.

Arsyeja kryesore, thotë ai kanë qenë “thikat pas shpine dhe përpjekjet për ta implikuar në dosjen e një kryebashkiaku”. Deputeti socialist nuk përmend emra, por bëhet fjalë për ish-kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushe, ndërsa personi brenda qeverisë që ‘ngulte thikat pas shpine’ është zv.kryeministri aktual, Arben Ahmetaj.

“Një prej elementëve janë këto thikat pas kurrizit. Pati një fushatë të madhe edhe për shkak të një çështje penale nga SPAK-u kundrejt një kryetari bashkie, që u hodh mbi mua mbi kurriz.

Në atë periudhë s’mund të ndaja qeverinë me një person që e nxiste këtë gjë. Edi Rama ishte i qartë për çështjen, por në të tilla kushte s’kishte vend për dy, kishte vend për një”, u shpreh Erion Braçe në “Arnautistan”.

Sipas rrëfimit të Braçes, tërmeti dhe procesi i rindërtimit që iu besua Arben Ahmetajt e ndryshoi qeverisjen.

“Tërmeti e bëri qeverinë më të gjerë dhe disa nga elementët që i kisha trajtuar gjatë vjeshtës së atij viti, që kishin të bënin me politika fiskale dhe politika ekonomike në dëm të bujqësisë dhe shtresave të varfra dhe të mesme, që tani po provohen të dëmshme, u prodhuan kushtet që të kishte stanjacion, në favor të këtyre njerëzve. Ditën që jam larguar e kam falënderuar Ramën për lirinë që më lejoi brenda qeverisë. Gjatë dy viteve e gjysmë kam pasur komunikim me të. Kisha liri të kundërshtoja dhe të mos firmosja në raste të caktuara”, shton deputeti.

Braçe, që e mbajti postin e zv.Kryeministrit për 7 muaj ka pasur përplasje të ashpra me Arben Ahmetajn, që në kohën kur ky i fundit drejtonte Ministrinë e Financave dhe Braçe Komisionin e Ekonomisë në Kuvend.

Mes çështjeve që u përplasën ishte edhe ndryshimi i skemës së TVSh-së për fermerët. Edhe në një seancë të Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe akuzoi se në qeveri ka njerëz që punojnë për të siguruar favore për një grup të caktuar njerëzish që kontrollojnë tregjet.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *