28 Janar, 2023

“Popull shkër..atë, qytetarë shkër..atë”, çfarë ndodhi me Tom Doshin ushtar në majin e ’90, historia e “dy durrsakëve të plagosur rëndë

 “Popull shkër..atë, qytetarë shkër..atë”, çfarë ndodhi me Tom Doshin ushtar në majin e ’90, historia e “dy durrsakëve të plagosur rëndë

Sektori i Dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme ka përfunduar dje verifikimet për Tom Doshin. Rezultatet e këtyre verifikimeve sipas Prokurorisë së Përgjithshme i janë dorëzuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili si organ kompetent, duhet të shqyrtojë nëse janë evidentuar të dhëna që përfshihen në sferën e kufizimeve të ligjit.

Tom Doshi ishte në listën e 28 kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i nisi për verifikim Prokurorisë së Përgjithshme.

Doshi dha dorëheqjen nga kreu i PSD, po ashtu dha dorëheqjen nga mandati i deputetit vetëm pak orë pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Por çfarë gjeti Prokuroria e Përgjithshme në dosjen e Doshit? Në njoftimin e djeshëm bën përshtypje paragrafi:

“Rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë më 25.05.1990, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor për kundërvajtjen penale “Sjellje së padenjë në shoqëri” duke u dënuar me 1 vit heqje lirie”.

Prokuroria nuk jep detaje per cfare vehet fjale, por gazeta ka zbuluar faksimilet e dokumentave te asaj kohe qe tregojne se z.Doshi rezulton dy herë i dënuar.

Pjesë nga një vendim i dënimit të dytë të z.Doshi nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Rrethit të Durrësit janë botuar nga DITA në tetor 2015 dhe mund të lexohen më poshtë.

Aty shkruhet edhe që Doshi është dënuar edhe më parë për armëmbajtje pa leje.

Vendimi kryesor mban numrin 18 dhe është i datës 25 maj 1990. Ngjarja ku është përfshirë Doshi është një plagosje e rëndë me thikë.

Nga vendimi mësohen dhe rrethanat e ngjarjes:

Doshi dhe tre shokë të tij, të katërt ushtarë në atë kohë, janë konfliktuar me një grup të rinjsh durrsakë, ndaj të cilëve është qëlluar më thikë, me pasojë dy të plagosur rëndë.

Në vendimin e gjyqit lexohet:

“Që në bufe Sera të pandehurit kanë ardhur në qejf nga të pirët dhe kanë filluar të thërrasin me zë të lartë, shajnë popullin e Durrësit dhe qytetin e Durrësit. Pasi kanë dalë nga bufe Sera dëshmitari Bashkim është ndarë me të pandehurit dhe katër të pandehurit sic ishin të pirë kanë urinuar prapa bufesë dhe kanë vazhduar rrugën në qendër të qytetit Durrës duke thirrur me zë të lartë fjalë të ndyra si popull shkërdhatë, qytetarë shkërdhatë, etj sjellje e veprime këto që kanë prishur qetësinë në bulevard dhe kanë tërhequr vëmendjen e popullit që bënte xhiro, pasi ishte një ditë pushimi e djelë…”

Pas kësaj ka ardhur momenti i sherrit dhe plagosja.

Vendimi sqaron se një grup të rinjsh durrsakë në stolat e lulishtes në qendër të qytetit të prekur nga fjalët e grupit të 4 ushtarëve të dehur, ka reaguar ndaj tyre duke u kërkuar të pushojnë.

Gjithcka më pas ka shkuar keq.

Grupi i ushtarëve Tom Doshi, Ymer Lala, Sokol Kopshtari dhe Amir Bushati kanë qëlluar me thikë ndaj tyre.

Dy kanë mbetur të plagosur.

Vendimi sqaron se 4 ushtarët u akuzuan për plagosje të rëndë me dashje ne bashkëpunim.

Por i pandehuri Ymer Lala gjatë hetimit mori përsipër të dyja plagosjet duke thënë që me thikë kishte qëlluar vetëm ai.

Gjyqi në përfundim ka dënuar Ymer Lalën me 5 vjet heqje lirie, Tom Doshin me 1 vit, Amir Bushatin me 7 muaj burg dhe tre muaj riedukim nëpërmjet punës dhe sokol Kopshtarin me 5 muaj heqje të lirisë dhe 3 muaj riedukim nëpërmjet punës.

Z.Doshi e ka shlyer tashmë dënimin, por ngjarja dhe vendimi ngrejnë edhe dy pikëpyetje interesante.

E para, z.Doshi në këtë vendim dhe në dokumentin tjetër faksimile të listës së të burgosurve figuron me mbiemrin Dashi.

Provohet katërcipërisht nga emri i nënës, babait, datëlindja, vendlindja dhe lidhjet e rrethanave që bëhet fjalë për z.Doshi të sotëm.

Ka ndërruar mbiemrin apo bëhet fjalë për një gabim drejtshkrimor në dokumentat e kohës?

E dyta, është thënë në vijimësi se deputeti Doshi i përket shtresës së ish-të persekutuarve politikë.

Por vendimi ka një paragraf që bën përshtypje dhe që duket se e hedh poshtë këtë.

Duke folur për profilin e të pandehurit, Tom Dashi (Doshi) gjykatësi thotë:

“Për të pandehurin gjykata…ka parasysh edhe rrezikshmërinë shoqërore të të pandehurit që edhe më parë është dënuar për armëmbajtje pa leje dhe nuk ka kthyer rrugë si dhe faktin që i pandehuri ka përbërje të mirë moralo-politike të familjes…”

Pra familja e tij për sistemin e kaluar klasifikohej si një familje me qëndrim moralo-politik të rregullt.

 

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *