28 Janar, 2023

Policia dhe SPAK kontroll në shtëpinë e mikut të Ilir Metës

 Policia dhe SPAK kontroll në shtëpinë e mikut të Ilir Metës

Disa ditë pasi Nuredin Dumani nisi të rrëfente krimet e tij dhe të 8 grupeve kriminale në Shqipëri, policia dhe prokurorët e SPAK, kanë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe biznese në qytetin e Durrësit dhe Fierit.

Gazetari Elton Qyno ka raportuar fillimisht se kontrollet janë ushtruar në biznesin dhe banesat e Xhevdet Troplinit që ndryshe njihet në Durrës me nofkën “Poja”, i njohur si bos droge dhe i skeduar nga policia për ngjarje kriminale.

Këto kontrolle janë motivuar nga dëshmia e bashkëpuntorit të Drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili ka pasur aktivitet të ngjeshur kriminal në qytetin e Durrësit.

Kontrolle dhe shoqërimin e personave të skeduar është bërë dhe në qytetin e Fierit dhe të Korçës.

Kjo pasi bashkëpuntori i Drejtësisë dyshohet se ka folur edhe për vrasjen e ndodhur në 25 Tetor 2021, ndaj biznesmenit Demir Backa.

Troplini miku i Ilir Metës

Xhevdet Troplinit është një nga miqtë e ngushtë të presidentit Ilir Meta, i cili u lakua nga Artan Hoxha se ka porositur vrasjen e vëllait të ish deputetit Arben Ndoka, bazuar në një dëshmi të pretenduar të killerit Nuredin Dumanit, pretendim i mohuar nga SPAK.

Troplini është arrestuar dhe dënuar në vitin 2006 për trafik ndërkombëtar droge. Bëhet fjalë për një linjë trafiku droge Turqi, Shqipëri dhe më pas në Itali. Dosja për rolin e Troplinit erdhi nga drejtësia italiane pas përgjimeve ndaj tij dhe disa bashkëpunëtoreve.

Troplini ka qenë objekt i OFL, ku i është sekuestruar edhe një makinë e blinduar tip ‘Jeep’. Ai ka disa biznese mes tyre edhe lokalin në parkingun e të cilit u rrëmbye Gazmir Çollaku, i cili u vra më pas. Troplini është dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje kriminale në Durrës, por në asnjë moment nuk është provuar fajësia e tij.

Xhevdet Troplini, me makinën e të cilit lëvizte gjyqtarit Shpëtim Reka dhe bashkëshortja e tij prokurore Flora Reka, është shfaqur herë pas herë në krah të Ilir Metës, në inaugurimin e bizneseve të tij, por edhe nëpër gosti.

Meta dhe Troplini janë shfaqur duke ngrënë dreka dhe darka bashkë.

Lidhjet e Troplinit me Ilir Metën duket se janë më të thella. Xhevdet Troplini është pronar i kompanisë “Ovital”, e cila që merret me rritjen e shpendëve.

Kompania ka përfituar një fond prej 21 milionë lekësh nga AZHBR, në kohën që Ministria e Bujqësisë drejtohej nga ministri i LSI-së, Edmond Panariti, sot drejtor kabineti i Metës në Presidencë.

Në inaugurimin e nisjes së këtij biznesi ka qenë i pranishëm edhe Ilir Meta, në cilësinë e kreut të Kuvendit në atë kohë, i cili vlerësonte investimin e kryer duke e konsideruar mundësi për rritjet ekonomike të vendit dhe duke e marrë si shembull suksesi për sipërmarrësit e tjerë.

Arben Mërkuri, i njohur me nofkën “Maneci’, i vrarë disa ditë më parë, ishte njëri nga ushtarët e Troplinit.

Mërkuri, pak para se të ekzekutohej u bë pjesë e një skandali ku i theu kamerën një gazetareje investigative. Kjo sepse firma Ovital e Xhevdet Troplinit, po groposte pulat e prekura nga gripi i shpendëve afër qendrave të banuara dhe shisnin vezët dhe pse kjo ishte e ndaluar.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *