3 Shkurt, 2023

Po kush dreqin e bën korrupsionin?

 Po kush dreqin e bën korrupsionin?

Nga Mentor Kikia

Të paktën 2100 njerëz(kaq është kapaciteti i sallës) u mblodhën në Pallatin e Kongreseve, në një Konferencë Kombëtare Kundër Korrupsionit. Ministra, deputetë, zv/ ministra, drejtorë, kryetarë bashkie, nëpunës të lartë….u bënë bashkë për të demonstruar vullnetin e tyre kundër korrupsionit. Të gjithë, nga kryeministri i pari, ishin aty për të dëshmar vendosmërinë për të luftuar ndaj korrupsionit.

Mund të biem dakord për një moment, se të gjithë ata njerëz janë vërtet të përkushtuar për ta luftuar korrupsionin. Por mbetet pa përgjigje pyetja: Kur të gjithë këta që kanë pushtetin janë këtu për ta luftuar korrupsionin, kush e bën korrupsionin?

-Jemi në një betejë të përditshme me korrupsionin dhe të korruptuarit- tha kryeministri në fjalën e tij në këtë konferencë. Padyshim, edhe zëvendësi i tij ashtu do të thotë kur të marrë fjalën. Edhe ministrat po ashtu, edhe atë të tjerët e të tjerët. Por sërish, ata që shikojnë nga ekrani këtë shfaqje të madhe, pyesin: Po kush dreqin janë të korruptuarit kur të gjithë ata që kanë në dorë qeverisjen janë këtu për ta luftuar korrupsionin?

“Shqipëria ka filluar të ndahet shumë qartë nga një fazë, kur korrupsioni ishte sistem i marrëdhënieve të qytetarit me shtetin në çdo kontakt të tij me të. Ka qenë deri para pak vitesh, koha kur të gjitha shërbimet për qytetarët jepeshin me kontakt të drejtpërdrejtë dhe kur shërbimet e përmuajshme, si pagesa e dritave, qytetarët duhet të qëndronin në radhë të gjata, në shi apo diel, që t’ju jepej mundësia të paguanin” – tha Rama. Madje ishin bërë edhe përllogaritjet. Plot 300 mijë kontakte fizike në muaj mes qytetarëve dhe shtetit në një muaj.

Kryeministri këtu ka të drejtë. Qytetarët plaseshin nëpër sportele për të marrë një certifikatë, një dëshmi penaliteti, nja dhjetë lloje vërtetimesh nëpër zyra taksash, aplikime për pasaporta e karta identiteti… për çdo copë letë do të duheshe të shpenzojë kohë, nerva, energji, dhe padyshim duhej të paguaje edhe ndonjë gjë nën dorë për të mbaruar punë apo për të mbaruar punë më shpejt. Tashmë kjo vërtet është kapërcuer. Futja e shërbimeve elektronike e kanë bërë më të lehtë jetën shqiptarëve.

Padyshim që kjo burrokraci gjeneronte një formë korrupsioni, ajo për të cilin qytetarët flisnin dhe ankoheshin çdo ditë. Pikërisht për këtë betejë foli kryeministri në këtë konferencë, të cilën ai tha se e bën çdo ditë.

Dhe ky është “korrupsioni i vogël”, me të clin përballen njerëzit në përditshmërinë e tyre. Ai që i bënte, apo i bën, të fusin dorën në xhep e të paguajnë një rryshfet për të marrë një shërbim që u takon.

Por a është ky korrupsioni që ka gërruer shtetin, ka gërryer ekonominë, ka shkatërruar konkurencën, që zhduk në vrimën e zezë taksat e qytetarëve?

Padyshim që jo.

“Korrupsionin e madh” njerëzit e thjeshtë nuk e shikojnë, nuk e ndjejnë drejtëpërdrejtë, pasi nuk fusin dorën në xhep për tia paguar koston.

Ata nuk i paguajnë nga xhepi koncensionet skandaloze të shëndetësisë, që nga check up-i, deri tek sterilizimi i gërshërëve të operacionit me çmime skandaloze.

Ata nuk i paguajnë nga xhepi koncensionet e inceneratorëve që dogjën miliona euro, por asnjë kg mbetje.

Ata nuk i paguajnë nga xhepi koncensionet milidarere të rrugëve. As portet e aeroportet. Ata nuk paguajnë asgjë kur qeveria u dhuron “investitorëve strategjikë”, dhjetra hektarë tokë në bregdet, për të ndërtuara hotele e vila pa taksa, për shtersën e të pasurve.

Ky është “korrupsioni i madh”. Ky nuk luftohet me dixhitalizimin e shërbimeve. Këtë nuk e luftojnë ata që janë në atë sallë, sepse ata janë ata që e bëjnë këtë.

Qytetarët këtë lloj korrupsonioni nuk e prekin, por thjeshtë e vuajnë!

E vijnë kur sëmuren dhe u drejtohen klinikave e laboratorëve privatë.

E vuajnë në çmimet skandaloze të karburantit që paguajnë, për shkak të taksave të larta që e shoqërojnë atë.

E vuajnë fermerët që marrin subvencionin më të ulët në krahasim me fermerët e vendeve të rajonit.

E vuajnë banorët nëpër fshatra që s’kanë rrugë, që s’kanë ujësjellësa, që s’kanë rrjete kanalizimesh, s’kanë sistem të grumbullimit të mbetjeve.

E vuan mjedisi, që ndotet e degradohet sepse nuk ka menaxhim mbetjesh urbane.

E vuajnë pyetjet që digjen çdo vit sepse shteti nuk blen dot një helikpoter apo avion që të hedhë ujë, me arsyetimin se nuk ka para.

Përfundimi?

Njerëzit zjedhin të ikin. Të braktisin shtëpitë e tyre, tokën e tyre, qytetet e tyre. Ca ikin përfundimisht, ca ikin punojmë 4 muaj për jetuar 12 muaj.

Ti dëgjoje ata njerëz të flisnin për luftën kundër korrupsionit nuk ishte thjeshtë një hipokrizi, por një tallje e madhe me ata që i vjedhin.

Ambasadorja e SHBA tha: “Jeni në një moment kritik të historisë suaj, duhet të vendosi literalisht se në ç’rrugë do të shkoni, do të ecni përpara apo do të shkoni pas. Kush do e zotërojë vendin, krimi i organizuar dhe vetëm oligarkët, apo njerëzit normalë ata që edhe kanë mundësinë për të zotëruar pronat, për të zhvilluar prona e për t’u bërë të pasur? Ju duhet ta vendosni”.

Mirë e the zonja ambasadore. Por druaj se ata e kanë bërë zgjedhjen e tyre tashmë, atë të orligarkëve. Tashmë duhet ta bëjë populli zgjedhjen e tij. Por çe do që në anë tjetër është e njëjta gjellë e prishur, që mban të njëjtën erë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *