27 Nëntor, 2022

“Pishmani i jetës sime politike”, si e përshkroi Edi Rama momentin e burgosjes së Saimir Tahirit

 “Pishmani i jetës sime politike”, si e përshkroi Edi Rama momentin e burgosjes së Saimir Tahirit

Edi Rama dhe Saimir Tahiri ishin bashkë në çdo moment në mandatin e parë qeverisës. Në 4 vite si Ministër i Brendshëm, Tahiri e pati kryeministrin si avokatin e tij më të mirë përballë akuzave për kultivim dhe trafik droge, për korrupsion dhe bashkëpunimin me kriminelët. Deri kur dosja e kushërinjve Habilaj erdhi nga Italia.

Nga ai moment, distancimi i Ramës qe i pandalshëm. Si fillim i vuri Tahirit epitetin “dru i shtrembër”, pastaj e largoi nga grupi parlamentar, për të nisur një proces lëshimi të Tahirit që nisi një kalvar të gjatë gjyqësor.

Por vetë Ramës iu desh të marrë disa vendime të forta, që e kompromentonin pozicionin e tij si kryeministër. Duke mos lejuar arrestimin e Tahirit nga prokuroria, me votimin kundër të socialistëve në parlament, mbi Ramën ranë dyshimet se ai jo vetëm kishte qenë në dijeni të bashkëpunimit të Tahirit me trafikantët e drogës, por edhe kishte përfituar nga paratë e investuara në fushatat elektorale.

Për të fashitur këto dyshime, Ramës iu desh të mbante një fjalim të fortë kundër Tahirit, një ditë para se socialistët të bllokonin arrestimin e ministrit të brendshëm në parlament. Në këtë fjalim, kryeministri pranon se për 4 vite, e mbajti Tahirin pranë tij dhe se nëse “Saje Qorri” siç e quan ai, do të rezultonte fajtor për akuzat, atëherë ai do të ishte pishmani më i madh i jetës së tij politike.

Në këtë fjalë, Rama flet për afërsinë që kishte me Tahirin përmes këtyre fjalëve: “Kam komunikuar me Saimir Tahirin më shumë se me tim bir. Në tetë vite në opozitë, ishte njeriu i parë që hyri në PS pas meje pasi u bëra kryetar”

Natën e kësaj të premteje, Tahiri është në qeli. Njeriu që ishte më afër se të gjithë pranë kryeministrit Rama, i cili shprehej se kur kjo ditë do të vinte, Tahiri do të ishte “pishmani më i madh i jetës së tij politike”.

Fjalën e tij Rama e nisi me pyetjen: A është i pafajshëm Saimir Tahiri?

Ja fjala e Edi Ramës para se PS të votonte kundër arrestimit të tij:

A është i pafajshëm Saimir Tahiri? Në Shqipëri, pas prindërve të tij, vjen i pari një njeri që do të besojë pafajësinë e tij, jam unë. Por ndryshe nga nëna dhe babai i Saimirit, nuk jam prindi i tij. Qyshse u bëra kryeministër kam komunikuar me Saimir Tahirin më shumë se me tim bir. Në tetë vite në opozitë, ishte njeriu i parë që hyri në PS pas meje pasi u bëra kryetar. Kishte qenë vullnetar në fushatën e 2003, dhe më solli një e-mail ku propozonte reformimin e PS. Ai u bë zëdhënësi i ri i partisë me një dërrasë të zezë, me të cilën shkruante me shkumës para kamerave faktet korruptuese të qeverisë. I ngjiti shkallët një e nga një, për meritat e tij u zgjodh Ministër i Brendshëm. I dhashë besimin si gjithë të tjerëve, por siç tregoi koha atij iu desh më shumë se të tjerëve. Nuk i ndërhyva asnjëherë për zgjedhjen e bashkëpunëtorëve, i kam miratuar pa ngurrim kandidaturat për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Çdo mesazh të qytetarëve, përmes telefonit, ia kaloja ministrit. Nuk mbaj mend të kem folur në katër vjet me një drejtor policie apo shef komisariati në telefon, as kam takuar ndonjë prej tyre përveç se në takime pune në prani në ministrit.

Për herë të parë në historinë e tranzicionit Policia e Shtetit nuk ishte mish për të ushqyer oreksin. Asnjë Ministër i Brendshëm nuk kishte pasur kaq shumë në dorë. Unë mbroja idenë se nuk bëhej shtet nëse bëheshin telefonata nga të katër anët. Por gjithashtu se për të ringritur Policinë e Shtetit të shkatërruar, duhet të kishe mandatin e plotë. Është e vërtetë ajo që Saimiri e përsërit. Ishte Ministri më jetëgjatë në atë dikaster pas komunizmit. Por jo sepse ishte njeri afër meje, por sepse të gjithë ne i dhamë besim të jashtëzakonshëm. Nuk ia kursyem mbështetjen sa herë ishte e nevojshme për ta drejtuar Ministrin e Brendshme si drejtuesi i pakontestuar brenda nesh i projektit më ambicioz në këto 27 vjet për të ndërtuar Policinë e Shtetit. Sot nuk është dita për të renditur sa shumë fituan njerëzit nga kjo linjë e re jotradicionale.

Çfarë do të bëjme me kërkesën e prokurorisë, që kërkon deri edhe arrestimin e Saimir Tahirit. A është i pafajshëm Saimir Tahiri? Shumëkush e kërkon këtë përgjigje nga unë, çfarë mendoj unë, cili është mendimi im i sinqertë përballë kësaj pyetjeje. Ky është një rast atipik, ku unë gjendem në një situatë atipike për shkak se Saimir Tahiri nuk ishte një ministër i qeverisë sime. Ai ishte ministri më i ekspozuar i qeverisë time. Ministri i Brendshëm perceptohej nga të gjithë, jo pa arsye, si bashkëpunëtori im më i ngushtë.

Unë nuk shihem sot si kryeministri i radhës në raport me një deputet të radhës. Por shihem në mënyrë të kuptueshme, si njeriu i tij më i afërt, në katër vite me sukese por edhe me gabime të pamohueshme. Kam detyrim ndaj opinionit publik, që të mos mjaftohem me fjalim të së drejtës. Jam i detyruar të flas sot, sa më qartë, jo për të vërtetën e Saimir Tahirit, përballë të vërtetës sime a është i pafajshëm Saimir Tahiri.

Pas akuzave të prokurorisë, dhe një paraqitjeje komike që do kishte rrëzuar mister Binin, kjo pyetje duket e kotë. Shumë presin që unë t?i bashkohem rrymës pro Saimir Tahirit, kundër një gjyqi fars që i ngjan një skenari të një amatori inatçi. I jam bashkuar atij haptazi dhe ngulazi kur ishte ministër dhe i bëhej i njëjti gjyq nga prokuror dhe gjykatës të veshur deputet. Gjithë sa keni parë është një kopje surrogato i një gjyqi politik që e kemi parë katër vite në parlament. Do mbetet gozhdë në mendjen time, deri kur të marr përgjigje a është i pafajshëm. Përgjigjen e Saimirit e kam dëgjuar edhe sy më sy, edhe në publik. Është e njëjta si e ka dëgjuar e gjithë Shqipëria? Me makinën kam gabuar, por pa asnjë qëllim duke mos menduar për pasojat. Asnjë nga të tjerat nuk është e vërtetë. Zero.? Këto janë fjalët që kam dëgjuar unë. Por sot nuk më mjafton përgjigja e Saimir Tahirit, nuk mjaftohem me fjalën e tij sepse akuzat nuk ziejnë vetëm në kazanin e politikës dhe medias, por janë gatuar nga Prokuroria.

Shumë mund të thonë se jo e lëshoi Saimirin tonë, jo e lëshoi Saje Qorrin e tij. Nuk më intereson. Për mua nga çasti i pari, sot dhe deri kur të dalë e vërteta nuk ka rëndësi në këtë histori se përgjigja? A është i pafajshëm Saimir Tahiri?? Kësaj pyetjeje nuk i iki asnjëherë. Boll e kam bërë avokatin e Saimir Tahirin në gjyqet e sheshit tonë mediatik dhe politik. E kam bërë pa ma kërkuar asnjëherë, dhe më vjen mirë që nuk ma ka kërkuar as këtë herë. E kam bërë me besim të plotë dhe pa dyshuar kurrë në integritetin e tij. E kam bërë për pasionin që kam për të ndryshuar Shqipërinë. A jam pishman sot? Jo, nuk kam si të jem pishman. Unë uroj se të mos e kem pishmanin e jetës sime politike gjithë sa i kam dhënë dhe gjithë sa kam marrë nga Saimir Tahiri që kur hyri në Partinë Socialiste në vite të tëra betejash. Me shumë prej jush nuk kam folur në këto ditë mbushur me budallallëqe, prandaj ditën që Tahiri pajtoi një avokat, detyra jonë për ta mbrojtur ka marrë fund. Kjo parti nuk do të bëhet mburoja e askujt përballë drejtësisë.

Unë e dua Saimirin, por sot dua më shumë drejtësinë të më tregojë të vërtetën. Për të shkuar tek e vërteta Saimir Tahiri nuk mund të burgoset, por duhet të hetohet në të gjitha mundësinë që parashikon Kodi Penal. Ne do të mbikëqyrim këtë proces siç kemi bërë me të gjithë.

Saimiri do të jetë një deputet i lirë për të bërë betejën e tij, jashtë forumeve të Partisë Socialiste dhe jashtë Grupit Parlamentar të kësaj partie. Nëse Prokuroria sjell prova dhe vjen këtu me fakte, se sipas saj duhet t’i hapë rrugë arrestimit, Komisioni i Mandateve do të mblidhet dhe do ta ngremë dorën pa asnjë revervë. Siç do të ngremë dorën të mërkurën kundër arrestimit të Tahirit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *