4 Dhjetor, 2022

Peticioni për lumin Vjosa: Më shume se 18,000 firma për të shpallur luginën e Vjosës Park Kombëtar

 Peticioni për lumin Vjosa: Më shume se 18,000 firma për të shpallur luginën e Vjosës Park Kombëtar

Më shumë së 18,000 firma janë mbledhur në pak ditë për shpalljen e luginës së Vjosës Park Kombëtar. Një mbështetje e madhe për fushatën “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” e cila ka bërë bashkë publikun në kërkesën drejtuar qeverisë shqiptare për të shpallur sa më parë lumin Vjosa dhe degët e saj Park Kombëtar.

Ndërkohë që nuk ka ende një reagim zyrtar ndaj peticionit, kryeministri Rama postoi dje në rrjetet sociale një foto me Leonardo Di Caprio-n, ku shprehet se ajo çfarë e bashkon me aktivistin e famshëm të mjedisit është pikërisht mbrojtja e Vjosës. Mes rreshtash, ky mund të jetë një sinjal pozitiv për kauzën e Vjosës, e cila po tregon edhe një herë se gëzon mbështetje të madhe në publik.

Gjithmonë e më shumë shqiptarë po ndërgjegjësohen mbi kuptimin e Statusit Park Kombëtar dhe po qartësohet perceptimi i gabuar se lugina e Vjosës është e mbrojtur. Në vitin 2020, Vjosa u propozua për t’u shpallur Park Natyror. Por, kjo nuk mjafton për ta mbrojtur atë përfundimisht. Ky status krijon mundësi që kompani të ndryshme të fillojnë kërkimet për naftë pranë Vjosës ose të ndërtojnë hidrocentrale në degët e saj, prandaj aktivistët po kërkojnë shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.

Statusi Park Kombëtar është një standard ndërkombëtar për mbrojtjen e natyrës dhe i vetmi status që mund t’i ndalojë bizneset dhe qeveritë e ardhshme të dëmtojnë lumin dhe degët e tij, të cilat fatmirësisht ende rrjedhin të lira.

Peticioni online mbetet vendimtar për t’i përcjellë qeverisë mesazhin e përbashkët se e ardhmja e Vjosës është një çështje që na takon të gjithëve, se jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e saj, prandaj kërkojmë nivelin më të lartë të mbrojtjes për të.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *