3 Shkurt, 2023

Përse Berisha kthehet gjithnjë në vendet e krimeve të tij. Lidhjet e shërbimit sekret serb në Tiranë, emra dhe detaje

 Përse Berisha kthehet gjithnjë në vendet e krimeve të tij. Lidhjet e shërbimit sekret serb në Tiranë, emra dhe detaje

Nga Bedri Islami

Do të doja të kisha besuar se, më në fund, nga e gjithë përvoja e tij e gjatë në politikë, në dy sistemet, ai do të ketë mësuar të mos kthehet në ngjarjet që e rëndojnë dhe që, në fakt, përbëjnë nga ato momente që duheshin harruar.

Berisha nuk e bën këtë, përkundrazi, vrullshëm, herë herë si i hipnotizuar, ai kthehet dhe rikthehet në ngjarjet e rënda, që jo pak herë kanë patur lidhje me krimin politik e shtetëror.

Ai i rikthehet 2 prillit në Shkodër, megjithëse e di fare mirë se kush qëndron pas organizimit të katër vrasjeve, gjë që, jo pak herë, ai ka akuzuar drejtë për së drejti Azem Hajdarin; i rikthehet më pak vrasjeve në Shkollën e Bashkuar, sepse ishte në çastin e delirit dhe jo rastësisht, në një nga takimet e fundit me Ramiz Alinë, ky i fundit i tha se “unë iki nga politika me dhimbjen e dy vrarëve në shkurt 1991, ti nuk ikën nga politika edhe kur ke pas vetes mjëra të vrarë”;

ai i rikthehet ngjarjeve të vitit 1997, megjithëse presidenca e tij ishte sheshi nga ku filluan përplasjet dhe për herë të parë një president u vendit i bën thirrje besnikëve të tij në veriun e vendit për të sulmuar jugun e Shqipërisë, ëndrra e vjetër serbofilëve ekstremë; ai i rikthehet Gërdecit dhe lejoi të birin, shkaktarin kryesor të humbjes së jetëve për të blerë një fabrikë mana-toke në atë vend, si të ishte ngjyra e tyre vazhdimi i gjakut;

ai i rikthehet më fort se kurrë, duke ndryshuar versionet, 21 janarit dhe ajo çka i fanepset natën në ëndërr, e beson ditën si të vërtetë; tani sheh në murt e selisë qeveritare gjurmë plumbash dhe beson se ashtu ka ndodhur në të vërtetë, megjithëse ai, në mesnatë, si një motiv makbethian, prishi provat dhe strehoi në bodrumet e selisë së tij gardistët që kishin qëlluar mbi njerëzit;

ai i rikthehet thyerjes së embargos ndaj shtetit jugosllav në kohën e Millosheviqit dhe me një lehtësi të habitshme mashtruese synon të i mbushë mendjen njerëzve se këtë e bëri për Kosovën, a thua se Milloshit i hante meraku për shqiptarët , të cilët i donte të zhdukur.

së fundmi i është mbushur mendja të kthejë kohën e tij në Luftën e Bosnjës, ku ishte pjesë, edhe pse nuk ishte në luftë. Makineria serbe aty, siç dëshmojnë të gjitha kronikat, punoi edhe me karburantin special të dërguar nga shteti shqiptar, që zinte deri në 40 për qind të karburantit luftarak. Ai e di këtë. E di edhe se në Srebenicë është qëlluar nga tanket serbe mbushur me karburant shqiptar, dërguar nga firma “Shqiponja“, që menjëherë u zhduk sapo mbaroi lufta.

Po pse i kthehet të gjitha bëmave të tij. Ai e di më mirë, edhe si mjek, edhe si njeri i pasonuar pas letrave. Ai e njeh mirë koshiencën dhe subkoshiencën, ndërveprimin e tyre, çastet e sfaqjes dhe ankthin që mbartin. E di se përmes proçeseve të vetëvetishme , në mendimin njerëzor lëvizin ngjarje dhe bëma, që e rëndojnë ndërgjegjen, edhe pse njeriu përpiqet të harrojë gjithçka.

E bren meraku nëse, edhe pas gjithë kësaj që ka ndodhur, si do të mbetet ai në historinë e këtij vendi, e sidomos aty ku ishte dikur miti i tij, në Kosovë.
Nuk ka qenë ndonjëherë i sanksionuar me atë çfarë ndodh aty. Me të gjithë është lidhur dhe të gjitha, ose i ka tradhtuar, ose e kanë braktisur.

I ka ndodhur me Demaçin, me Rugovën, që e shpalli “non grata” në Kosovë, i ka ndodhur me Fehmi Aganin, me Hydajet Hysenin, i ka ndodhur me Hashim Thaçin, tani po ndjen heshtjen e Albin Kurtit ndaj tij, një bojkotim i domosdoshëm.

Menjëherë pas deklaratës së Edi Ramës se, mes Serbisë dhe Kosovës shteti shqiptar është 100 për qind me Kosvën, atij i duhej një alibi dhe një lojë, në kurthin e të cilës ranë socialistët, që, edhe kur kanë bërë më shumë nga sa është pritur për Kosovën, e kanë prishur me rëndesa të vogla, të çastit, ndaj të cilave gjithnjë ka reaguar brutalisht Berisha.

Loja e tij me Srebenicën është e vajtueshme, për fat të keq e majta në pushtet u nis nga emri që nis këtë lojë, jo nga thelbi i lojës. Ajo nuk kuptoi se cili ishte çasti i duhur për të nisur një mendim të ri politik ballkanik dhe pse nuk duhet të kishte rënë në grackën e një njeriu që më shumë se gjithçka tjetër ka mbi vete mëkatet kombëtare.

Cili ka qenë qëndrimi i Berishës ndaj Kosovës? Pse sot është një kult që tani ka rënë? A mund të kthehet përsëri në politikë përmes Kosovës, a mund të jetë rishtas i besuar?

Familjarisht, është kopja e asaj që ka ndodhur dikur në shtetin serb. Nën regjimin e tij pesëvjeçar janë mbi 5.000 të vrarë, i biri dhe e bija të ngjajnë më shumë me Mirko Millosheviçin dhe bashkëshortja është kopja e ndryshuar e njeriut që në hije lëviz fijet. Për të dëshmuar lidhur me “nacionalizmin e tij” për Kosovën, po sjell pjesë nga një intervistë e mëparshme:

Z.Islami, në një intervistë, njëri ndër themeluesit e UÇK-së, Qerim Kelmendi, ka akuzuar ashpër ish-Presidentin Berisha se ka punuar kundër Lëvizjes kosovare në vitet 90-të. Ju ç’mendim keni?

Qerim Kelmendi ishte njëra nga figurat e para të Lëvizjes që u bë pjesë e UÇK-së. Është në të njëjtën kohë edhe i plagosuri i parë i kësaj lufte. Ishte në dijeni të gjërave, kjo edhe sepse, për një kohë të gjatë ishte pjesë e sektorit të Logjistikës së UÇK-së. Në radhët e Lëvizjes është i njohur me emrin “Shpirtmadhi”, e më pas në radhët e UÇK-së njihej me emrin “Dema”.

Nëse doni të flasim shkoqur mund të them pa asnjë droje se, nëse ka pasur shtetar në Shqipëri, i cili ashpërsisht e brutalisht, në të gjithë kohën ka qenë kundër Lëvizjes klandestine në Kosovë dhe në viset e saj, dhe që ka bërë gjithçka për shuarjen e saj, ky është Sali Berisha.

Këtë e them pa asnjë lloj mëdyshje. E gjithë veprimtaria e tij ka qenë e drejtuar kundër lëvizjes së armatosur në Kosovë dhe në vise, dhe kjo ka qenë një përpjekje e shfrenuar politikisht, organizativisht, përmes shërbimeve të tij të inteligjencës dhe përmes lidhjeve të fuqishme që kishte me klanet UDB-ashe në Kosovë e jashtë saj.

Nëse ka një shtetar, në ndërgjegjen e të cilit duhet të rëndojnë edhe krimet që bënë serbët në Kosovë ndaj shqiptarëve vendas, ai njeri është pikërisht Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha. Mos ju dukem i ashpër? Do sjell disa shembuj për të bërë të qartë konkluzionin tim.

Sipas një marrëveshje me z.Ramiz Alia e që më pas u vazhdua edhe me z. Berisha, në Shqipëri do të stërviteshin grupe të ndryshme ushtarake. Ata u dërguan si nga qeveria e Bukoshit, si nga Lëvizja Popullore e Kosovës, megjithëse kjo e fundit duke qenë ilegale, nuk ishte e një mendje që gjërat të bëheshin kaq haptas. Por ishte koha e trullosjes, sepse Berisha erdhi në pushtet me parullën e Bashkimit Kombëtar.

Atëherë kam bërë një shkrim mosbesues ndaj tij, pasi, ai, në të njëjtën kohë bënte thirrje e aspironte për hyrjen e Shqipërisë në Helsinki, e po në të njëjtën kohë për Bashkim Kombëtar, çka përjashtonin njëra-tjetrën. Por, parullat e tij, ngjallën entuziazëm.

Përkundrejt kësaj, grupet e militantëve që u stërvitën në Shqipëri kishin thuajse të gjitha të njëjtin fat: ata u burgosën sapo shkelën në Kosovë ose u detyruan të marrin arratinë. Regjimi serb kur i arrestonte ua dinte jo vetëm se ku kishin qëndruar në Shqipëri, por edhe numrin e armës, me cilët kishin qëndruar, etj. Pra ishte gjithçka e dekonspiruar.

Shërbimi i fshehtë i Gazidedes kishte bashkëpunuar direkt ose indirekt me shërbimin e fshehtë serb. Direkt përmes lidhjeve që kishin, indirekt përmes strukturave të UDB-së në Prishtinë. Vetëm dy grupe rezistuan dhe as nuk ikën në mërgim, siç donte klani titist në Kosovë e Tiranë, dhe as nuk dorëzuan armët. Njëri ishte grupi i Drenicës, ku printe Adem Jashari, tjetri ishte grupi i Llapit, një pjesë e tij, ku ishte drejtues Zahir Pajaziti.

Këto dy grupe ishin pjesët më thelbësore përbërëse të UÇK-së së ardhshme. Tani, mendoni vetë, po sikur të mos kishte pasur dekonspirim, shkurt tradhti nga brenda, çfarë do të kishte ndodhur në Kosovë kur ishin stërvitur qindra vetë për fillimin e luftës? Do të kishte pasur një pamje krejt tjetër, ushtria do të ishte shumë më mirë e përgatitur, humbjet do të ishin më të pakta, njerëzit do të kishin besuar më shpejt në organizimin e saj.

Kjo nuk ndodhi. Në vend të saj erdhën arrestimet e bujshme dhe largimet e mëdha. Kjo solli fillimisht në Kosovë shembjen e mitit të luftës, disfatizëm, huti, dhe u humb mjaft kohë deri në ngritjen e strukturave të tjera.

Dihet se Gazidede është takuar personalisht me Zhelko Raznatoviçin, Arkanin. Është larg mendsh të mendohet se ai është takuar pa marrë bekimin e Berishës. Përse janë takuar? Përse pas këtij takimi represioni në Kosovë ndaj lëvizjes ilegale u shtua dukshëm? Përse Arkani u bë pjesë e rrethimit të tretë të Adem Jasharit?

Që ka pasur një bashkëpunim në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Beograd, kjo është e qartë tashmë, megjithëse për ne ka qenë e qartë gjithnjë. Por humbjet qe kanë ardhur nga ky bashkëpunim kanë qenë të ndjeshme.

Po ju sjell një shembull tjetër. Është pak i njohur në Shqipëri, por unë e kam trajtuar në librin tim, “Enigma e një vrasje të trefishtë”. Më 31 janar 1997 u vranë në një pritë të organizuar Zahir Pajaziti, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Edmond Hoxha, lider i Lëvizjes Studentore dhe Hakif Zejnullahu.

Më dhjetor 1996, Zahiri, së bashku me Qerim Kelmendin ishin për disa javë në Shqipëri. Qëllimi i tij ishte të hetonte nëse do të mund të bëhej diçka më shumë nga shteti amë, megjithëse përvoja e tij ishte e hidhur. Disa kohë më parë ai ishte arratisur nga Kosova, kishte ardhur në Shqipëri, por autoritetet shqiptare ia kishin dorëzuar pushtetit serb. Por ai e donte Shqipërinë dhe besonte se diçka mund të bëhej.

Në Shqipëri, sipas të gjitha dëshmive, ai është ndjekur nga klani i Gazidedes, sepse qarqet UDB-ashe me të cilat bashkëpunonte Gazidede, e njihnin atë. Kthehet në Kosovë nga 20 janari i vitit 1997 dhe pas pak ditësh bie në pritë. Serbët, në komunikatën për vrasjen e tij, megjithëse ilegalisht njihej si Ismeti, japin emrin e saktë të tij, lëvizjet që kishte bërë, udhëtimin në Shqipëri etj.

Të dhëna të çuditshme! As nga drejtuesit e Lëvizjes nuk dihej se kush kishte marrë pjesë në aksionet luftarake, kjo ishte një temë “tabu” për udhëheqjen politike, pasi kishte një strukturë brenda saj që dinte gjithçka, e kjo ishte e mjaftueshme, por lëvizjet e tij, të bëra të njohura nga një komunikatë vrastare, jepnin më shumë se kaq.

Së dyti, dëmi i madh që solli politika e Berishës ndaj lëvizjes klandestine çlirimtare në Kosovë është edhe në lejimin që, herë haptas e herë fshehtas, i bëri përhapjes së strukturave UDB-ashe në Shqipëri. Le të lemë mënjanë faktin se të gjithë ata që ishin dënuar në Shqipëri gjatë periudhës komuniste si agjentë të UDB-së, u rehabilituan, u quajtën të pafajshëm e u bënë edhe deputetë të Partisë Demokratike apo zunë vende të larta drejtuese.

Të dukej sikur në Shqipëri nuk kishte pasur kurrë agjenturë serbe e nuk do të kishte edhe më pas. Që në janarin e vitit 1991 në Shqipëri do të vijnë emisarë të Millosheviçit, të cilët do të sjellin edhe financimet e para. Por, kur në Kosovë, jo rastësisht, filluan aksionet e para luftarake, kjo agjenturë në Tiranë gjeti vatrën e saj të ngrohtë. Kjo agjenturë u mirëprit në Shqipëri.

Nga kush u mirëprit?

Ndryshe nga UÇK-ja që në Shqipëri u shtri përmes njerëzve të thjeshtë, që hapën portat e shtëpive për të, shërbimi i fshehtë serb nuk mund të kalonte kështu. Atëherë ai vendosi të bënte diçka krejt tjetër, e mbuluar në mënyrë të përsosur dhe në dukje krejt e zakonshme.

Mendoi të hapte disa lokale në Tiranë, ndonjë në Durrës dhe rrugës për në veriun e vendit. Ato do të ishin pikë-stacionet e mbledhjes dhe të kalimit të të dhënave. Ato dërguan edhe një njeri të tyre si koordinator, i cili kishte lidhje të ngushta me SHIK-un e Gazidedes, quhej Ramë M. Fillimisht paraqitej si një njeri në nevojë, më pas do të kishte një banesë në Laprakë, e jo shumë kohë më vonë do të kishte një dyqan në qendrën e Tiranës, përballë “Hotel Dajtit”, ngjitur me lokalin e njohur të asaj kohe, që ndodhej po ashtu përballë, me emrin “Nikolino“.

Aty, afër tyre, si rastësisht, ishte vendosur edhe një telefon, i cili u shërbente shqiptarëve të Kosovës për të folur me familjet e tyre. Përmes kësaj linje, jo rrallë, për njerëz që dyshonin si ishin të ingranuar në lëvizjet ilegale, bëhej përgjimi dhe regjistrimi i bisedave. Duke e ditur se lokali “Nikolino” ishte një lokal serioz, ku shkonin ilegalë të ndryshëm, edhe në lokalin tjetër, që ishte në anën e djathtë, pra në restorantin “Kumanova“ kishin dërguar një njeri të tyre.

Kjo nuk ishte e mjaftueshme. Atëherë ngritën një bazë të UDB-së edhe në restorantin “Prizreni“. Ishte një rrethim përmes restorantesh, dyqanesh, kioskash, ku jo rrallë uleshin edhe njerëz të luftës. Përmes lidhjeve që kishte aso kohe shërbimi i fshehtë i Lëvizjes dhe i UÇK-së u arrit të bëhej identifikimi i këtij rrjeti dhe të sinjalizohej shteti shqiptar. Kjo vazhdoi, deri sa u shembën edhe vetë strukturat e shtetit në ’97.

Përveç informacioneve të punës operative të UDB-së në terren ka dhe dokumente shkresore që vërtetojnë lidhjet mes UDB-së, SHIK-ut të Gazidedes dhe strukturave të tyre partnere në Prishtinë.

Për çfarë dokumentesh e keni fjalën zoti Islami?

Një dokument, kopje e të cilit është edhe në arkivën tonë mban datën 21 janar 1996, është skeduar nën numrin “AT 317-b”, është protokolluar tri ditë më vonë dhe në cepin e tij, lart në të majtë, është vënë shënimi i ish-zv.shefit të SHISH-it: “Të kalojë për informim në Presidencë“.

Në një informacion që ka paraqitur një inspektor i Shërbimit Informativ të Shqipërisë, A.K, pas bisedës në përfaqësinë e Kosovës, në Tiranë, mes të tjerave, shefi i tij ka nënvizuar:

“Mendimi i zyrtarëve të Prishtinës është se kemi të bëjmë me njerëz të organizuar mirë dhe që kanë disa baza në Shqipëri, sidomos në Tiranë, Durrës-Plazh dhe në Tropojë. Veprimet e deritanishme të saj, që e quan veten UÇK, kanë qenë të përqendruara në Drenicë dhe në rajonin e Dukagjinit, që mund të përkufizohej në vijat Prizren-Shtimje dhe në rrugën Pejë-Mitrovicë.

Tash, me aksionet që janë zhvilluar para pak ditësh, zyrtarët e Prishtinës mendojnë se ajo po vepron në një hapësirë krejt tjetër, që është më e gjerë. Gjithnjë sipas tyre, UÇK-ja është në tri zona, mirëpo nuk kanë dijeni të sakta se cilat janë shtrirjet e zonave, vetëm se, më parë, zoti A.A, u kishte thënë se zona e dytë është në Maqedoni.

Në takimin që ka pasur njeriu i tyre, R.Gj, me një përfaqësues të qeverisë serbe është pasur parasysh se aksione terroriste duhen pritur edhe në të ardhmen. Mendimi i tyre është se fjala vjen për disa njerëz të veçantë, që mblidhen në organizata ilegale e që duhen survejuar, sidomos në Tiranë. Disa prej tyre nuk duhen lejuar të veprojnë në Shqipëri.

Pas kërkesës sime, zyra e Kosovës do të na paraqesë një listë të emrave të njerëzve që dyshojnë se fshihen pas kësaj organizate terroriste“.

Ky dokument sjell dëshminë e një trekëndëshi, i cili ka një qendër në Prishtinë e që shtrihet më pas në Tiranë dhe në Beograd. Në të vërtetë, pak ditë pas këtij informacioni, zyra e përfaqësisë së Kosovës në Tiranë ka paraqitur një listë me emrat e personave që mendohet se kryejnë veprimtari ilegale subversive.

Ashtu si është e vërtetë disa ditë më pas, disa nga të dhënat që i ishin afruar nga Shërbimi Shqiptar Informativ do të shfaqeshin në një informacion të përgatitur nga ish-Shërbimi Ushtarak Jugosllav, KOS, në të cilin janë shtuar edhe disa karakteristika të tjera, si gjendja shoqërore e atyre që përbëjnë Grupin e Drenicës, arsimi i tyre, vendndodhja, karakteristikat e zonës, etj.

Shumë pak ditë më pas, kur lufta do të kishte një ngjitje të menduar nga lëvizja klandestine, por të paparashikuar nga jashtë saj, zoti Berisha do të bëjë dy deklarata ogurzeza; njëra e trajtuar edhe më parë, e tjetra e harruar. Ai do të deklarojë se, UÇK-ja është organizatë terroriste, e lidhur me Arkanin, kjo e thënë edhe në organet e medies gjermane, ku pritej një faktorizim i shpejtë i lëvizjes guerile. Me thënë të drejtën, meqenëse asokohe isha në strukturat drejtuese të luftës, kjo thënie nuk na prishi punë, sepse njerëzit tashmë i njihnin ata që po luftonin.

Thënia e tij e dytë, e cila nga qarqet UDB-ashe në Prishtinë u amplifikua ishte se “UÇK-ja po lufton për të mbrojtur pragun e shtëpisë“ dhe solli si shembull se Adem Jashari kur u vra, a nuk u vra në shtëpinë e tij (?!). Kjo ishte një ndër thëniet më te rrezikshme, sepse sillte copëzimin e luftës, krahinorizimin e saj, katundarizimin e saj, copëtimin. Dhe në fakt, edhe solli dëme fillimisht, sepse njerëzit, sidomos ato që ishin të lidhur me një tjetër politikë, hezitonin të luftonin fillimisht jashtë fshatit të tyre.

Përfundimisht mund të them me përgjegjësi se, për Kosovën dhe UÇK-në e saj, ishte një fat i madh që në kohën e luftës nuk drejtoi më në Shqipëri Sali Berisha, në të kundërtën nuk do të kishte luftë çlirimtare. Ai do e pengonte deri në fund atë. E gjithë paraloja e fillimit të luftës dëshmon për këtë.

Dhe duhet thënë po ashtu se ishte një fat i bardhë që pushteti u ndërrua, që gjërat dolën jashtë kontrollit e përcaktimit të tij. Me qeverinë socialiste kemi pasur probleme, kemi pasur mosmarrëveshje, por gjërat kanë shkuar shumë më ndryshe e disa prej përfaqësuesve të tyre, sidomos pas marsit të vitit 1998, duhen falënderuar përzemërsisht…”

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *