31 Janar, 2023

Përgjimet e reja për Rezart Taçin: Po mblidhen firmat nga qeveria shqiptare…

 Përgjimet e reja për Rezart Taçin: Po mblidhen firmat nga qeveria shqiptare…

Prokuroria italiane ka nisur një hetim për pastrim të 19 milionë eurove të organizatës mafioze “Cosa Nostra” në Shqipëri nëpërmjet dy personazheve, të cilët sipas autoriteteve atje, në komunikim me Rezart Taçin dërguan në një llogari bankare shumën në fjalë.

Në dosje, thuhet se përfaqësuesit e mafies italiane erdhën disa herë në Shqipëri dhe shkëmbyen mjaft telefonata me njëri-tjetrin, duke folur edhe për përfshirjen e disa ministrave shqiptarë për të mundësuar zhbllokimin e këtyre parave nga llogaria bankare.

Prokuroria italiane nuk shprehet me emër se për cilin politikan shqiptar flasin përfaqësuesit e mafies italiane, ndërsa në përgjime nuk ka ndonjë telefonatë mes tyre dhe zyrtarit shqiptar apo mes Rezart Taçit dhe ndonjë politikani shqiptar.

Miqësi të rëndësishme

Është një kapitull në dosjen hetimore që flet për zyrtarë shqiptarë që do të korruptohen, por edhe për miqësi me anëtarë të qeverisë shqiptare dhe të Malit të Zi.

Gjyqtari për hetimet paraprake, Alfredo Montalto, beson se frazat e përgjuara janë shumë të përgjithshme për të identifikuar se kush do të kishte dhënë ryshfet për një operacion të tillë.

Një pjesë e parave u bllokua në llogarinë e hapur në Tiranë nga Petruzzella falë një prokure të posaçme të firmosur nga Zummo. “Gjëja është bërë, – tha ndërmjetësi Cestagalli, – varet vetëm nga kjo copë e m… që po mbledh firmat e të gjithë ministrave të qeverisë shqiptare, se nuk do që t’i çajnë b**** nga askush”, shkruan “LiveSicilia.it”.

Personazhe të nivelit të lartë dhe Milo Gjukanoviç

Ndërkohë, magjistratët e Palermos, shkruajnë: “Nga bisedat e mëtejshme të përgjuara më 15 qershor e tutje, si dhe përmbledhja e detajeve të udhëtimit të shpejtë të Zummo-s dhe Petruzzella-s në Shqipëri, zbulojnë se janë kërkuar disa favore nga disa personazhe të nivelit të lartë për mbylljen me sukses të operacionit të kalimit të parave”.

Sipas dosjes hetimore italiane, Taçi pohonte se kishte përfshirë si të interesuar për këtë gjë edhe presidentin e Republikës së Malit të Zi (Milo Gjukanoviç), duke kërkuar operimin nëpërmjet ‘bankës së presidentit’”.

Ja çfarë i thoshte Rezart Taçi në njërën prej bisedave telefonike Cestagalli-t, sipas mediave italiane: “Prandaj nuk t’u përgjigja, se më telefonoi ai… presidenti i Malit të Zi, llogarinë e ka hapur direkt nga banka pa komunikuar me asnjë palë”.

Rrjeti i Fabio Petruzzella-s

Kontabilisti i Palermos, Fabio Petruzzella, i arrestuar të premten me akuzën se ka pastruar paratë e ndërtuesit Francesco Zummo, mbështetej në një rrjet të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Përgjimet e Antimafias italiane, zbuluan kontakte me shtetasin tjetër të përfshirë në çështjen e pastrimit të parave mes Italisë dhe Shqipërisë, Daniele Cestagalli, një biznesmen zviceran me origjinë italiane dhe me Rezart Taçin, biznesmenin shqiptar të naftës.

Taçi, është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Antikorrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ndërsa janë arrestuar dy bashkëpunëtorët e tij: kunati i tij dhe ish-truproja e tij: Artur Balla dhe Bledar Lilo.

Ekonomisti hedh poshtë akuzat

Por sipas shtypit italian, kontabilisti Petruzzella, ka hedhur poshtë akuzat për bashkëpunim në një skemë të pastrimit të parave.

I pyetur një ditë më parë nga hetuesi Alfredo Montalto, ai është mbrojtur dhe  pretendon se nuk ka bërë asgjë të paligjshme. “Ai iu përgjigj të gjitha pyetjeve, – thotë avokati i tij, Roberto Tricoli, i cili asiston kontabilistin me kolegun e tij, Luigi Miceli, – dhe i ka dhënë fakteve një vlerësim tjetër”.

Petruzzella ishte porositur nga biznesmeni i ndërtimit në Palermo, Francesco Zummo, një bashkëpunëtor i ngushtë i shefave të organizatës mafioze italiane “Cosa Nostra”, për të transferuar rreth 20 milionë euro nga Lihtenshtajni në Zvicër dhe me destinacion të përkohshëm në Shqipëri.

Kështu, sipas prokurorit Lo Voi, që po ndjek çështjen dhe ndihmësit të tij, Sabella, ata shpresonin të shpëtonin sasinë e madhe monetare nga konfiskimi i autoriteteve ligjzbatuese italiane, të cilët kishin bllokuar më parë 150 milionë euro mes kompanive dhe pronave të ndryshme.

Si u zbulua ndërmjetësi zviceran me Taçin

Përgjimet italiane, thonë se Cestagalli, është kujdesur për hapjen e dy llogarive në Shqipëri, tek “Alpha bank”. Më 28 maj, hetuesit e Napolit (të cilët po hetonin Cestagallin në një tjetër hetim), dëgjuan ndërmjetësin zviceran, duke folur në telefon me Taçin për operacionin e ashtuquajtur financiar, “Zummo”.

“Bëhet fjalë për diçka serioze, – i thoshte ai Taçit sipas gazetës prestigjioze “Repubblica”, – por padyshim që ka vështirësi, pasi banka atje, mund të kontaktojë me Bankën e Italisë dhe mund të shkaktojë probleme”.

Roli vendimtar i Taçit dhe gjuha e koduar

Sipas rindërtimit të ngjarjes nga organi italian i akuzës, Taçi ka luajtur një rol vendimtar në transferimin e parave që dyshohet të kenë ardhur nga trafiku i drogës apo nga veprimtari të paligjshme.

“Një pëllumb u nis javën e kaluar…”, – i thoshte Cestagalli biznesmenit Rezart Taçi në një gjuhë të koduar, ndërsa flisnin në telefon për të shmangur një përgjim të mundshëm nga autoritetet italiane.

Udhëtimi i dy palermitanëve në Tiranë

Më 17 qershor, Petruzzella dhe Zummo, mbërrijnë në aeroportin e Tiranës. Në pritje të tyre janë dy bashkëpunëtorët e Rezart Taçit. Ata shkojnë në Mal të Zi, largohen nga kufiri i Muriqanit në orën 20:52, siç shënojnë policët e shërbimit kufitar.

Të nesërmen (18 qershor), në orën 12.08, kthehen në Shqipëri dhe shkojnë në bankë për të hapur dy llogaritë në Tiranë.

Atje, paratë duhej të qëndronin vetëm disa ditë para se të transferoheshin në Hong Kong ose Singapor, por më pas u bllokuan.

Zyrtarë të filialit, njoftuan për shumën e pazakontë Drejtorinë e Pastrimit të Parave dhe këta të fundit komunikuan me SPAK, i cili urdhëroi bllokimin e transfertës së dyshimtë.

“I gjithë ky operacion mes Italisë dhe Shqipërisë, dyshohet të jetë bërë me ndihmën e Taçit, të cilin ndoshta të dy palermitanët (Zummo dhe Petruzella), e kishin takuar gjatë qëndrimit të shpejtë në Mal të Zi”, – shkruan “Repubblica”.

Në përgjime flitej për një mega-transaksion për blerjen e naftës, ndoshta një marifet për të maskuar transferimin e mëtejshëm të parave.

Alibia e Taçit: Nuk i njoh Zummo-n dhe Petruzzella-n

Por në deklaratat e shumta të dhëna nga Italia, ku dyshohet se ndodhet, spikat edhe një “sqarim” i Taçit, i cili mohon se e njeh ose ka takuar Zummo-n dhe Petruzella-n.

Por nga ana tjetër, ai pranon se njihet me Cestagalli-n, për të cilin thotë se e ka mik. “Unë jam një qytetar dhe biznesmen shqiptar. Jam kontaktuar nga një mik (Cestagalli), që më thotë se një profesionist i respektuar, i cili quhet Fabio, një komercialist, kërkon një llogari bankare për një klient të tij”, shpjegon Taçi, i kontaktuar nga ‘Meridionews’. “Shumë mirë, i them. Shkoni në Shqipëri dhe bëni gjithçka sipas ligjeve në fuqi. Paratë erdhën nga Zvicra në Shqipëri, këtu nis dhe mbaron gjithçka. Nuk e di ku qëndron roli im në këtë organizatë të strukturuar kriminale”, ka sqaruar Taçi.

Ai thotë se kurrë nuk ka bërë biznes apo i njeh Francesco Zummo-n dhe Fabio Petruzella-n. “Unë zotërinjtë Zummo dhe Petruzella nuk i njoh. M’u kërkua vetëm për t’i ndihmuar në hapjen e një llogarie bankare, ç’hyj unë këtu në bashkëpunim me mafien siciliane? Nuk shoh asnjë lidhje, nuk kam bërë kurrë biznes me këta persona”.

Persekutimi politiko-financiar

Mes faqeve të dosjes hetimore, lexohet për një komision të mundshëm të paguar Taçit dhe mikut të tij për ndihmën e dhënë në fshehjen e parave përmes rrjetit të njohjeve të nivelit të lartë të biznesmenit, por edhe në këtë pikë, Taçi është i qartë.

“Unë prej 6 vitesh jetoj jashtë vendit tim, pikërisht për një persekutim politiko-financiar ndaj meje, – vijon ai për “Meridionews”. – Nuk kam asnjë pushtet, nuk kam asnjë rol politik dhe institucional, nuk kam asnjë bankë. Nuk kam marrë asgjë dhe nuk kam nevojë për asgjë, kam paratë dhe aktivitetin tim. Nuk kam kontaktuar asnjë bankë në Zvicër dhe Shqipëri dhe kjo mund të verifikohet”.

Taçi shprehet se kunati dhe ish-truproja e tij në Tiranë u arrestuan nga SPAK vetëm se kanë marrë dhe shoqëruar Zummo-n dhe Petruzzella-n në aeroport për t’i ndihmuar. Në fund, ai mohon të ketë dijeni nëse paratë e transferuara nga Zvicra në Shqipëri janë të pastra apo të pista.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *