4 Dhjetor, 2022

Për “bole çelikun”, Erion Veliaj

 Për “bole çelikun”, Erion Veliaj

Nga Blendi Kajsiu

Audiopërgjimi i Erion Veliajt në një mbledhje private me anëtarë të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tirana, ku ai përdor një gjuhë prej rrugaçi, ka krijuar një mini furtunë në mediat tona. Shumë nga kritikët e kryebashkiakut e shikojnë si provë jo vetëm të përpjekjes së pushtetit për të kapur FSHF-në, të servilizmit të Veliajt ndaj Ramës, por edhe si dëshmi të natyrës së vërtetë prej rrugaçi të këtij të fundit.

Në fakt, audiopërgjimi nxjerr në pah falsitetin e ligjërimit të Veliajt, sforcimin e tij për t’u dukur si i fortë, më shumë se natyrën e tij prej rrugaçi. Më shumë se rrugaç, Veliaj del qesharak, pasi ai nuk e ka idenë se si flasin të fortët. Kështu, metafora e “boleve prej çeliku” vjen nga anglishtja (ballsofsteel) ku përdoret rëndom në jetë dhe në filma, por ajo nuk ekziston në shqip (ku flitet për bole të mëdha dhe jo boleçeliku). Ndaj, ka të drejtë Shkullaku kur argumenton se ai Erion që shfaqej në audiopërgjim, nuk është në fakt Veliaj i vërtetë që shqiptarët e njohin publikisht dhe shumë prej nesh privatisht.

Atëherë, çfarë e detyron Veliajn të transformohet dhe shfaqet si dikush apo diçka që ai nuk është? Disa argumentojnë se këtë e bën si kamikaz i Ramës dhe ndoshta kjo është e vërtetë. Ama, ai mund t’i shërbejë shumë më mirë Ramës si vetvetja, pa bërë “të fortin”. Në fakt, vlera e tij publike është imazhi i tij si “çun i mirë” dhe jo si i fortë. Ndaj transformimi i tij i sforcuar në “rrugaç” nuk mund të shpjegohet me servilizmin ndaj Ramës.

Ai është produkt i logjikës se i forti luftohet me të fortë, e keqja me të keqe, krimineli me krim. Është filozofia politike e Shote Galicës “plumbi del me plumb”.Nuk është një logjikë thjesht shqiptare. E shikojmë rëndom në filmat e Hollivudit ku polici apo detektivi i mirë përdor shpesh metoda kriminale dhe ilegale për të kapur kriminelin. Është ideja se e keqja të detyron ta luftosh me të keqe. Kjo filozofi shpjegon transformimin e çuditshëm të Veliajt në “rrugaç”. Ai mendon se për të luftuar një të fortë dhe rrugaç si Armand Duka është i detyruar të tregojë se është akoma më i fortë dhe më rrugaç se ai.

Pra, nëse Duka i ka koqet e mëdha, Veliaj duhet t’i ketë prej çeliku. Është një strategji e çuditshme qenë vend që të bëjë diferencën me rrugaçërinë dhe banalitetin e Dukës, e redukton vetveten te kjo e fundit. Dhe ky është problemi real dhe madhor që zbulon audiopërgjimi. Ai nxjerr në pah një logjikë politike të rrezikshme që përballjen politike e redukton te beteja mes dy të këqijave.

Në rastin konkret, lufta për FSHF-në nuk mund të reduktohet në zëvendësimin e një të forti bolemadh me një tjetër, por me zëvendësimin e një të forti më dikë që më të madh se bolet ka trurin, vizionin për sportin, etikën dhe dinjitetin. Ideja se për të fituar duhet të bëhemi akoma më të këqij se e keqja që luftojmë,degradon skenën tonë politike duke justifikuar futjen aty të krimit apo të”të fortëve”. Është kjo logjikë që PS-ja dhe Rama artikulojnë privatisht për të justifikuar lidhjen më aktorë kriminalë apo të fortë që garantojnë mbrojtjen, blerjen apo vjedhjen e votës në nivel lokal.

Përballë të fortëve të berishizmit dhe LSI-së ata fusin në lojë të fortët e tyre që duhen për të luftuar të fortët e palës tjetër. Rezultati është transformimi i politikës në përballje mes rrugeçërish dhe jo alternativash. Fatkeqësisht,është e njëjta logjikë që përdorin kritikët e qeverisë, sipas të cilëve për të hequr qafe një politikan “të fortë”, autoritar, të korruptuar, arrogant dhe të çmendur si Rama duhet një tjetër politikan edhe më autoritar, edhe më “i fortë”, edhe më i çmendur se ai. Ndaj nuk është çudi që shumë shpresat i kanë varur te Berisha, Meta apo Duka.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *