4 Dhjetor, 2022

Për ata, që u tallën me fortifikimet e “diktatorit”

 Për ata, që u tallën me fortifikimet e “diktatorit”

Vladimir Putin, nuk ka ndërmend të tërhiqet, edhe pse gjithë bota i është vënë kundër, duke mos kursyer sanksionet e rrepta ekonomike. Sulmi i parapërgatitur ndaj Ukrainës, nuk ishte surprizë as për Perëndimin, dhe as për ata që deri dje thonin se “bota e ka harruar luftën”. Të çmendur ka patur dje, ka sot, dhe do të ketë edhe nesër. Rëndësi ka që, të mos lejohen të vijnë në pushtet, apo të mos tolerohen “orekset” e tyre për ndryshime gjeopolitike. Lufta në Ukrainë nisi, dhe ka gjasa sipas analistëve ushtarakë “të zgjasë më shumë nga ç’pritej”. Kjo për faktin sepse Putin mbetet i vendosur (të paktën deri tani) në vendimin “për të arritur objektivat”.

Putin, ditën e dytë të sulmit mbi Ukrainë, kërcënoi hapur fare vendet perëndimore me “kiametin”, duke kërkuar që ata të shihnin punën e tyre. Por lufta nisi, dhe duket sikur “troket” psikologjikisht paksa edhe në Ballkanin e trazuar disi. Ukrainasit zunë vendstrehimet dhe vendet e fortifikuara, që sipas dëshmitarëve atje “nuk janë të pakta dhe aspak të dëmtuara”. Ukraina është vendi, që ka përjetuar luftra të tmerrshme, duke mos harruar atë të Luftës Dytë Botërore, ku ajo asokohe ishte pjesë e BRSS.

Sikur të mos ishin bunkerët dhe fortifikimet nëntokësore, me sulmet e pamëshirshme ruse, do të ishin vrarë deri sot, mijëra vetë të pafajshëm. Ata i kanë ruajtur vendstrehimet, vendet e fortifikuara, apo siç ne i quajmë edhe sot me tallje “bunkerët e diktatorit”. Duke harruar se “diktatori” nuk do të jetonte me shekuj, dhe gjithçka do të mbetej pas tij, dhe në emër të “liri-demokracisë”, Sali Berisha i pari dhe shpura e tij e maskarenjve, sapo erdhën në pushtet, shpallën si “kauzë” të tyre pas “çekut të bardhë”, edhe “ç’ bunkerizimin e vendit nga Enver Hoxha”.

Ai luftoi me mullinjtë e erës, deklaronte se “në gjithë vendin janë mbi 3 milion bunkerë” kur në fakt nuk ishin as 70 mijë, dhe u bëri thirrje shqiptarëve “shkatërroni gjithçka që i përket asaj kohe”. Një makabritet, një tmerr i padëgjuar. Dinamit, matrapik, dhe deri bomba janë përdorur për shkatërrimin e tyre, por ishte e kotë, pasi cilësisht ato ishin perfekte, pikërisht për raste lufte. Por Sali Berisha, kishte një mision, dhe nuk mund të ndalej. Duhej të shkatërronte nga themelet, sistemin e fortifikimit, ushtrinë, bazat, tunelet, duhej shitur armatimi, municioni, duheshin shitur për skrap anijet ushtarake, flota detare, duheshin shitur topat, avionët, (ku disa prej atyre që ne kishim po i përdor akoma Ukraina sot), duheshin shembur pikat fortifikuese në zonat kufitare, dhe gjithçka të kthehej në zero.

Nën justifikimin “tash na mbron NATO”, Sali Berisha aspak nuk kishte një plan të tij, për ç’ka do të ndodhte me vendin pas shkatërrimit të asaj pasurie kombëtare. U bënë milionerë ai dhe ministrat e tij, por faturën e shkatërrimit të asaj pasurie që i takonte popullit, askush deri sot nuk po e paguan edhe sot. Në Kukës dhe Tropojë, gjatë luftës në Kosovë, me qindra familje u strehuan në “bunkerët” e diktatorit, dhe nuk gjenin derman, pasi situata e rënduar nga i çmenduri Milosheviç, mund të rrezikonte edhe popullsinë e Shqipërisë. Sistemi i fortifikimit, mbetet një prej planeve kryesore të programeve stradegjike të mbrojtjes në shumë vende të botës, duke përfshirë edhe ato Europiane anëtare të NATO.

Përderisa në botë, ka akoma fushata të ethshme armatimi, përderisa në botë, madje në Europën tonë, ka akoma diktatorë që mendojnë jo paqen, por rikthimin në perandorinë e dikurshme, që mendojnë zgjerimin dhe pushtimin, padyshim sistemi i fortifikimit mbetet një nevojë urgjente për çdo shtet dhe komb që aspiron dhe mbron paqen, lirinë dhe pavarësinë e tij. Jemi tallur boll me “bunkerët dhe fortifikimet e diktatorit”, por nuk ka ardhur koha që të mendojmë dhe veprojmë ndryshe, pas ngjarjeve të dhimbshme dhe të rrezikshme në Ukrainë?

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *