30 Nëntor, 2022

Për ata që nxjerrin në ekran të lojtur si Çako për të shokuar publikun

 Për ata që nxjerrin në ekran të lojtur si Çako për të shokuar publikun

Nga Koloreto Cukali

Bota e artit bashkëkohor e ka kapërcyer prej kohësh nocionin e heroit pozitiv dhe atij negativ, që ne na është ngulitur sidomos nga filmat, por dhe veprat e tjera të artit të Realizmit Socialist. Thjesht, në botën e sotme nuk ka njerëz të mirë e njerëz të këqinj, por njerëz kompleksë, me dritë-hije.

Pavarësisht nga kjo, ne vazhdojmë të jetojmë në një botë bardh-e-zi, nuk e di pse. Ndoshta nuk dimë të ndërtojmë marrëdhënie njerëzore komplekse, me të mirën e të keqen bashkë, ndoshta sepse shoqëria jonë është e ngecur në kohë, atje ku një njeri është ose i zi ose i bardhë, dhe pjesa tjetër, grija është banale, e neglizhueshme.

Fakti që jetojmë në një shoqëri të infektuar rëndë politikisht; të ndarë egërsisht në vija gjeografike; të izoluar në 2 kasta ekonomike: të super pasurit e të korruptuarit nga një anë, dhe delet barkthara nga ana tjetër, e me një shtresë të mesme të rrafshuar; ku secila palë ka për qëllim të asgjësojë e ta lërë të vdesë urie tjetrën; është shenjë e qartë që ne nuk jemi një shoqëri komplekse e ndaj nuk kemi as heronj kompleksë.

Ne kemi mbetur akoma një shoqëri e realizmit socialist, profesorët e së cilit sot drejtojnë vendin. Ne jetojmë akoma mes të bardhës e të zezës, teksa gjithçka tjetër përtej nuk është më as gri, por më shumë si ngjyrë pluhuri.

E BARDHA

Këtë vit e Bardha e Shqipërisë, për mua, është shumë më e qartë. Po ju jap tre emra: Suzana Salaj, Shpresa Rrushi e Tritan Kalo. Këta janë mjekët që ndoqën time shoqe, mua dhe prindërit tanë gjatë periudhës më të rëndë që kemi kaluar në jetë, si njerëz e si familje. Kovidi ynë, ishte i rëndë, traumatizues dhe vdekja për herë të parë u bë shumë e prekshme.

Mjekët që na ndoqën nuk kërkuan asgjë prej nesh, përveçse që të bëheshim mirë. Këta mjekë u kujdesën, orë e pa orë, pa u ankuar, pa na refuzuar, duke na dhënë besim e guxim, dhe unë besoj që pa ndihmën e tyre nuk do ia kishim dalë. Ajo çfarë e bën punën e tyre dhe më të vlerësueshme, është që ata punuan e punojnë në një sistem mjekësor të gërryer, të keq-menaxhuar, të abuzuar e të lënë pa resurse. Ata janë kalorës, por pa kuaj e pa armë.

Dhe mbi të gjitha, kanë kundër jo vetëm një sëmundje, por dhe një armatë injorantësh, idiotësh, delesh e derrash, që përhapin teori konspiracioni duke marrë në qafë shumë njerëz.

E ZEZA

Alfred Çako, është simboli i të ZEZËS absolute për 2021-shin. Jo thjesht për faktin që është një njeri i paditur, me informacione të mbledhura nëpër kosha plehrash, të paverifikuara, dhe që i beson dhe vetë. Por, sepse me hapësirën që i është dhënë në Top Channel, në Klan e në kanalet e tjera të mëdha, dëmi që si i bën shoqërisë është i pamatshëm.

Pse ia kanë dhënë atë hapësirë? Sepse këto kanale nuk dinë më si ta joshin publikun, janë të paaftë për të prodhuar programe me vlerë, dhe marifeti më jo-profesional është të nxjerrësh njerëz si Çako për të shokuar publikun me budallallëqet e tyre, por, pa marrë masa që publikut ti bëhet e qartë që ky njeri nuk është as shkencëtar, as i ditur, por thjesht një i lojur që jeton me psikoza e delire konspiracionesh. Televizionet, na dhanë Çakon, por nuk na mësuan si të mbrohemi nga Çakot.

E bardha dhe e zeza

E vërteta mbi konspiracionet është që në botë ato dalin nga 15-20 burime, të fabrikuara nga grupe të ekstremit të djathtë, që kanë interes politik global për të rritur pakënaqësinë ndaj autoritetit të shkencës e atij të shtetit.

Grupe të errëta, pa asnjë lloj principi, prodhojnë këto teori të cilat replikohen nga Çakot e Shqipërisë, Italisë e tërë botës, duke abuzuar me instinktet e thella të njeriut, si frika. Pothuajse të gjitha këto burime kanë qëllim të sjellin Trampin e trampët e tjerë në pushtet, dhe strategjia më e mirë është të prodhosh mos-besim tek qeveritë.

Sesi arritëm ne, shqiptarët, populli më i varfër, më i keq-shkolluar e i paditur i kontinentit, të sfidojmë qindra vjet shkencë bashkëkohore, dhe t’u besojmë dallkaukëve më shumë sesa profesionistëve; sesi ne besojmë se dhjetëra liderë botërorë duan të na vrasin, mijëra shkencëtarë duan të na shuajnë si racë njerëzore, dhe mediat më serioze të planetit duan të na bëjnë skllevër, kësaj mund t’ia gjeni vetë përgjigjen.

Shikoni vërdallë. Pse jemi kështu? Pse jemi kaq të abuzuar, të keqtrajtuar, të dhunuar të grabitur si shoqëri, si qytete, si prona e si qytetari? Pse protestojmë për Big Brother e jo për hallet tona? Në 2021-shin i shkuam pas Çakos, por çdo vit, del një Çako tjetër që na tërheq për hunde, qoftë ky Çako i Bashkisë, Çako i rrugës së Salës, Çako i Shqupit apo Çako i Bulevardit. Ne jemi popull haxhiqamilist, dhe këta na njohin mirë.

Shqipëria është kjo që është, përderisa shqiptarët do vazhdojnë të ndjekin pas individët, e jo idetë, siç thotë diku Faik Konica. E Zeza që na përndjek, na udhëheq e na tërheq prej hunde, nuk krijon hapësira për një shoqëri të re, bashkëkohore, komplekse e të balancuar. Ndaj jetojmë akoma në një film bardh-e-zi. Edhe këtë vit, si çdo vit, në filmin tonë e Zeza e mundi të Bardhën.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *