PD akuzon Gjiknurin se ka udhëtuar 17 herë me përfituesit e inceneratorëve

Partia Demokratike denoncoi të enjten në Kuvend lidhjet e ish-ministrit të Energjetikës, Damian Gjiknuri me atë që ajo e quan ‘afera e inceneratorëve’.
Gazmend Bardhi, sekretar i Përgjithshëm i PD, tha se disponon prova nga sistemi TIMS për të paktën 17 udhëtime me avion dhe autoveturë të Gjiknurit me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, dy personat e akuzuar si përfituesit e tre kontratave koncesionare prej qindra milionë eurosh të qeverisë për trajtimin e mbetjeve urbane.
Sipas Bardhit, disa prej udhëtimeve janë bërë vetëm pak javë para vendimit të qeverisë për të firmosur këto kontrata, për të cilat PD ka ngritur padi në SPAK.
Ish-ministri Damian Gjiknuri, aktualisht sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, është ministri i dytë i qeverive “Rama” i akuzuar për marrëdhënie dhe udhëtime personale me koncensionarët e inceneratorëve pas Arben Ahmetajt – i ekspozuar për udhëtimin e tij me Mirel Mërtirin në korrik të vitit 2017.
Bardhi e akuzoi Gjiknurin se ka pasur “rol kyç në pasurimin e miqve të tij në skemën mafioze të inceneratorëve”.
“Ky nuk ka patur fatin e keq të bëjë aksident me Mirel Mërtirin si Arben Ahmetaj, por rezulton se ka udhëtuar 15 herë me përfituesit kryesorë të inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Ja ku janë të gjitha datat,” tha Bardhi, duke treguar një tabelë të përpunuar me datat e pretenduara të udhëtimeve nga nëntori i vitit 2013 deri në vitin 2019.
Bardhi tregoi edhe një dokument të TIMS, i cili nuk u vendos në dispozicion të mediave. BIRN nuk mundi të verifikojë në mënyrë të pavarur udhëtimet e denoncuara nga PD.
Sipas Bardhit, dokumentat tregojnë se personat në fjalë kanë udhëtuar “2 herë brenda 1 muaji, shumë pak javë përpara miratimit të koncesionit në qeveri, ku përgjegjës direkt ishte ai si Ministër i Ekonomisë dhe Energjitikës”. Bardhi ngriti dyshime se Gjiknuri ka bërë edhe pushime në Maltë tek shtëpia e Mërtirit.
Në replikën e tij me Bardhin në Kuvend, Gjiknuri mohoi rolin e ministrisë që ai drejtonte në dhënien e koncesioneve të inceneratorëve.
“Në ato kontrata, ministria që kam drejtuar nuk ka asnjë rol. Nuk po them se janë të gabuara, meqë nuk kam firmosur unë e s’kam unë përgjegjësi… Për skenën që keni bërë kallëzim, çojeni deri në fund, por të përmendni këtu jo kështu e ashtu, kjo nuk është etike,” tha Gjiknuri.
Ai tha se kishte bërë vetëm një udhëtim zyrtar në Maltë si ministër dhe sfidoi Bardhin: “Nëse gjen që unë e kam vizituar atë… po gjete më shumë se një udhëtim, o unë, o ti në këtë sallë”.
Në një replikë të dytë, Gjiknuri tha se “nuk kam udhëtuar me ata persona” .
Tre kontratat koncesionare për trajtimin e mbetjeve urbane janë fituar nga kompani të lidhura me njëra-tjetrën. Në një investigim të publikuar shtatorin e kaluar, BIRN zbuloi se Mirel Mërtiri, i afërt me ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj dhe me lidhje në të dy krahët e politikës qëndron në hijen e koncesioneve të mbetjeve përmes disa kompanive ‘satelite’.
Përveç Ahmetajt e Gjiknurit, një tjetër ish-ministër i kabinetit “Rama”, ai i Mjedisit Lefter Koka, është akuzuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim se ka përfituar 3.3 milionë euro përmes një rrjeti kompanish fantazmë të paguara nga inceneratori i Elbasanit.