5 Dhjetor, 2022

Pasuritë e fshehura të kandidatit të PD-së Vorë, tufa me euro dhe makina, ja si i shpëtoi dënimit: Me master pa shkollë të mesme?!

 Pasuritë e fshehura të kandidatit të PD-së Vorë, tufa me euro dhe makina, ja si i shpëtoi dënimit: Me master pa shkollë të mesme?!

Katër ditë më parë, nënkryetarja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku prezantoi Ymer Markun si kandidat të PD-së për Vorën.

Kandidatura e Ymer Markut është realisht zgjedhja e duhur dhe për të ardhmen e Vorës”, tha Tabaku.

Në fakt, personazhi që Tabaku dhe Lulzim Basha e prezantojnë si të ardhmen e Vorës ka një të shkuar plot njolla të errëta, ku është kapur me transaksione me vlerë dhjetëra mijëra euro, para të pista, llogari dhe makina të fshehura.

Ymer Marku ka qenë kryetar i Komunës Bërxullë nga viti 2003 deri në vitin 20015, ku është lakuar për abuzime, fshehje pasurie dhe pasuri të pajustifikuar.

Më pas ai deklaron si punëdhënës Fiqiri Ismailin, një nga oligarkët e miellit në Shqipëri, i hetuar për pazare për fiksimin e çmimit të bukës, i kapur në pazare, por që i ka shpëtuar ndëshkimit deri më sot.

‘Prapaskena’ mëson se në vitin 2010, Ymer Marku është marrë i pandehur për deklarim të rremë të pasurisë nga prokurori Julian Xhengo, por që Marku i shpëtoi dënimit në mënyrë të dyshimtë.

Në vitin 2004, Ymer Marku ka deklaruar një shtëpi banimi në Domje, me vlerë 2 milionë lekë, një lokal po në Domje të Tiranës me vlerë 5 milionë lekë dhe një makinë 400 mijë lekë.

Në vitet 2005, 2006 dhe 2007 deklaron disa ndryshime modeste në llogaritë bankare. Në vitin 2008, sipas dosjes penale, Ymer Marku e ka deklaruar edhe një herë shtëpinë private, këtë herë në vlerë rreth 100 mijë euro dhe lokalin, këtë herë në vlerë rreth 140 mijë USD, si 3 dynym tokë me vlerë 60 mijë USD, si dhe makinë Benz 15 mijë USD.

Por, prokuroria ka zbuluar një llogari të Ymer Markut, në Tirana Bank, ku qarkullonin para të dyshimta dhe të padeklaruara.

Në vitin 2006, në llogarinë e Ymer Markut është derdhur shuma 71 mijë euro, transaksion ky që nuk është deklaruar nga ish kryetari i komunës.

Një vit më vonë, në 2007, në llogarinë e tij janë derdhur edhe 45 milionë lekë, edhe kjo shumë e padeklaruar. Sipas prokurorisë, Marku nuk i justifikonte këto para me burime të ligjshme të ardhurash.

ILDKPKI ka zbuluar edhe një makinë Benz ML në pronësi të Markut, të cilën e kishte deklaruar më çmim qesharak 2.3 mijë euro.

Për paratë në llogarinë në Tirana Bank, Ymer Marku ka sajuar një alibi, sikur paratë ia ka dërguar Admir Aliaj nga Anglia, me qëllim që Marku t’ua japë prindërve të tij.

Një justifikim i banal dhe qesharak, pa asnjë dokument në kohën e depozitimit të parave, por që gjyqtari Martin Deda e ka pranuar, duke shpallur Ymer Markun të pafajshëm.

Nga ana tjetër, nuk dihet nëse Ymer Marku e ka kryer arsimin e mesëm dhe më pas atë të lartë.

Në një CV të publikuar prej tij, Marku deklaron se ka kryer një mastër shkencorë, pa e specifikuar se për çfarë, ndërsa nuk thotë asgjë për arsimin e mesëm dhe as të lartë.

Kështu ngrihen dyshime se Marku mund të ketë blerë ndonjë diplomë. Një personazh të tillë, Lulzim Basha dhe Partia Demokratike e paraqesin si të ardhmen e Vorës!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *