28 Janar, 2023

Pastrim lekësh? Shefqet Kastrati pagoi 2.37 milionë euro për 60% të Euronews, 6.5 herë më shumë se sa vlera nominale

 Pastrim lekësh? Shefqet Kastrati pagoi 2.37 milionë euro për 60% të Euronews, 6.5 herë më shumë se sa vlera nominale

Kontrata e depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit tregon se grupi Kastrati pagoi 2.37 milionë euro për 60% të aksioneve të kompanisë Intermedia Group, pronarja e Euronews Albania, një shifër kjo që është 6.5 herë më e lartë se sa vlera nominale e aksioneve që bleu.

Grupi Kastrati bleu 60% të kompanisë INTER MEDIA GROUP përkundrejt një shume prej 2.37 milionë eurosh, një shifër e konsiderueshme kjo nëse kihet parasysh se kompania e blerë, e njohur më së shumti si pronare e Euronews Albania, ka një kapital themeltar të deklaruar prej 31 milionë lekësh ndërsa bilanci i saj tregon se kompania është me humbje të mëdha të akumuluara prej vitesh.

Përkundrejt shumës prej 2.37 milionë eurosh, Kastrati u bë pronar i kuotës me vlerë nominale prej 18.7 milionë lekësh ose 156 mijë eurosh. Kontrata e shitblerjes i jep gjithsesi Kastratit të drejtën që të marrë dividentë të mundshëm që kompania Intermedia dhe disa kompani të tjera të lidhura me të, mund të kenë krijuar gjatë vitit 2021. Kontrata konsideron si pjesë të grupit Inter Media kompanitë: Data Centrum, Euro Academy Neës, Inter Active Media, La Strada dhe Tok Media.

Kastrati, kompania e njohur për aktivitet në sektorin e hidrokarbureve, në ndërtim dhe turizëm dhe që njihet si pronari i koncesionit të autostradës Rrëshen-Kalimash, hyri në tregun e medias dy  javë më parë përmes blerjes së një kuote maxhoritare në Intermedia. Kjo ishte lëvizja e dytë në pak kohë në tregun e medias. Më herët, Grupi Balfin, nën pronësinë e biznesmenit Samir Mane, bleu televizionin Scan për 700 mijë euro. Por ndryshe nga Mane, i cili e bleu SCAN me më pak se një të pestën e vlerës së kapitalit themeltar, Kastrati pagoi për Intermedia 6.5 herë më shumë se sa kapitali themeltar.

Bilanci i Intermedia tregon se në vitin 2020, kompania kishte asete totale prej 724 milionë lekësh, ndërsa kapitali aksioner ishte minus 49.7 milionë lekë. Kjo do të thotë se kapitali i saj fillestar është shpenzuar tashmë për të mbuluar humbjet e akumuluara përgjatë viteve.

Kontrata mes Kastratit dhe pronarit të Intermedia, Theodhoro Çami thekson se shënjestra është e drejta franchise që kompania zotëron për Euronews për Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Tregu i medias audiovizive në Shqipëri konsiderohet i mbiinvestuar, me një numër të lartë operatorësh që luftojnë për një treg jo aq të madh reklamash.

Gjatë vitit 2020, dhjetë televizionet kryesore, Top Channel, Klan, Media Vizion, Multiscreen, Focus Media, ABC news, Ora NEWS, SCAN, G2Media dhe Euronews, patën të ardhura të përbashkëta prej 4.5 miliardë lekësh. Euronews pati 4.7% të tregut.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *