Pak histori për të kuptuar pse sanksionet kanë dështuar në shumicën e rasteve! Kështu do ndodhë edhe me Putinin?

“The Newyorker”
Jo i gatshëm për mobilizim ushtarak, Presidenti Joe Biden ka ndërmarrë një sërë sanksionesh përfshirëse ndaj Rusisë me shpejtësi të madhe. Të enjten, kur vlera e rublës kishte një rënie rekord, ai u shpreh se ata se po bënin punë.
Por, pavarësisht qëllimit, e vërteta e hidhur është se sanksionet shpesh dështojnë të bindin regjimet.
Sanksionet kanë një histori të gjatë, që daton në Greqinë e Lashtë, kur Perikliu sanksionoi qytet-shtetet e tjera. Në 1806, Napoleoni vendosi sanksione për të kufizuar tregtinë evropiane me Britaninë, por as vëllai i tij, i cili mori fronin spanjoll, nuk mundi t’i zbatonte ato.
Sidoqoftë, sanksionet nuk janë përdorur si instrument i politikës së jashtme deri në shekullin e njëzetë. Që nga Lufta e Dytë Botërore, ato janë bërë mjeti më popullor në vend të ndërhyrjes ushtarake. Globalizimi ka shtuar ndërvarësinë e kombeve dhe sanksionet përbëjnë një kundërpërgjigje me rrezik të ulët ndaj agresionit.
Sanksionet kanë ndikim domethënës vetëm rreth dyzet për qind të rasteve. Sanksione disavjeçare ndaj Koresë së Veriut, Venezuelës dhe Irakut dështuan. Kuba është përballur me embargo tregtare dhe armësh nga SHBA, që nga viti 1960, por regjimi komunist është ende në pushtet.
Presidenti sirian, Bashar al-Assad, u përball me sanksione të shumta për shtypjen brutale të luftës civile, në të cilën u shndërrua kryengritja e Pranverës Arabe së vitit 2011. Qindra mijëra kanë vdekur, por Assad është ende “i ngulur gozhdë” në Damask.
Sanksionet janë të gjata si saga. Ata rrallë funksionojnë, dhe kur kjo ndodh, merr kohë shumë të gjatë. Një armë, predhë ose bombë vret brenda disa sekondave, por sanksionet zgjasin pafund. Për më tepër kohëzgjatja e tyre është një periudhë agonie.
Problemi kryesor janë përjashtimet, që i ofrojnë të sanksionuarit mundësi financiare. Produktet humanitare, si ushqimet, pajisjet mjekësore, materialet arsimore, përgjithësisht përjashtohen nga sanksionet. Për më tepër, zbatimi i sanksioneve varet tërësisht nga vendimet e shteteve, të cilat mund t’i ndryshojnë ose zbusin vendimet për nevojat e tyre ekonomike.
Në vitin 1966, OKB, për herë të pare, vendosi sanksione për ndryshimin e regjimit pasi Rodezia (sot Zimbabve) shpalli pavarësinë nga Britania dhe u ruajt sundimi i pakicës së bardhë. Këshilli i Sigurimit vendosi embargo ekonomike ndaj Rodezisë mbi nëntëdhjetë për qind të eksporteve të vendit, por Kongresi i SHBA miratoi importin e kromit rodezian, i domosdoshëm për prodhimin e motorit të avionëve, automobilëve dhe çelikun inox.
U deshën më shumë se një dekadë luftë civile dhe sanksione që regjimi rodezian t’ia dorëzonte pushtetin një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike. Gjatë kësaj kohe, humbën jetën rreth njëzet mijë veta.
Rusia, për momentin, po përfiton nga një lëshim i ngjashëm. Sanksionet perëndimore e lejojnë atë të vazhdojë të shesë energji, burimi më i madh i të ardhurave të Moskës. Vitin e kaluar, Rusia fitoi 119 miliardë dollar nga shitjet e naftës dhe gazit, kur çmimi mesatarisht ishte rreth 69 dollar për fuçi. Këtë muaj, çmimet kapën 115 dollar për fuçi.
Edhe nëse Perëndimi, nën presion në rritje, zgjedh të sanksionojë burimet energjetike ruse, kjo mund të ketë ndikim të kundërt. Parashikohet jo vetëm një krizë nafte në Perëndim, çfarë do rriste çmimet në mbarë globin, ndërsa Rusia thjesht do kalonte te blerësi I rradhës. Shumë vende, veçanërisht Kina, nuk e kanë ndërprerë tregtinë me Rusinë.
Afrika e Jugut, gjatë epokës së aparteidit racor, konsiderohej gjerësisht një histori e rrallë e suksesit të sanksioneve. Në vitin 1962, një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së u bëri thirrje vendeve anëtare të ndërpresin të gjitha lidhjet diplomatike, ushtarake dhe ekonomike me të. Por, sanksionet ndërkombëtare nuk përfshinin qymyrin, diamantet dhe floririn, të cilat Afrika e Jugut prodhonte me bollëk.
Si pasojë, sanksionet patën ndikim minimal në jetën e përditshme të të bardhëve në pushtet. Shumë shpejt, Afrika e Jugut u bë më e vetë-mjaftueshme. Filloi të prodhonte naftën dhe armët e veta. Presioni dhe sanksionet, nuk e penguan Afrikën e Jugut të zhvillonte pajisjet e saj bërthamore në vitet ’80. Nelson Mandela u lirua në vitin 1990 dhe aparteidi përfundoi pas ndryshimeve politike botërorë, tre dekada pas sanksioneve të para.
Iraku ishte një nga dështimet më të mëdha të sanksioneve. Ky rast tregoi se diktatorët janë të gatshëm t’i lënë njerëzit e tyre të vdesin nga uria dhe të izolojnë vendin, duke mos i marrë parasysh ata.
Pushtimi i paprovokuar i Kuvajtit nga Presidenti Saddam Hussein në vitin 1990, shkaktoi të njëjtin zemërim që sot bota ndjen ndaj agresionit të Putinit kundër Ukrainës. Katër ditë pas sulmit, OKB vendosi sanksione që ndaluan tregtinë botërore me Bagdadin. Sadami refuzoi të tërhiqej. Gjashtë muaj më vonë, një sulm ushtarak i udhëhequr nga SHBA dëboi forcat irakiane nga Kuvajti, por Sadami refuzoi të respektonte kushtet e armëpushimit.
Sanksionet vazhduan dhe patën pasoja të tmerrshme. Sipas UNICEF, një e treta e fëmijëve irakianë ishin të kequshqyer ndërsa ekonomia e vendit u rrënua. Vuajtjet e popullit të tij nuk i bënin përshtypje Sadamit që refuzoi të bashkëpunonte me inspektorët e OKB-së të ngarkuar me monitorimin e armëve të tij të shkatërrimit në masë. Në vitin 2003, Sadami u kap dhe u ekzekutua pas pushtimit të dytë nga SHBA-të.
Deri më tani, as Putinit nuk duket se i interesojnë pasojat e sanksioneve.
Sanksionet dhe embargot ndaj Koresë së Veriut, të vendosura për herë të parë pas Luftës së Koresë në vitet ‘50, kanë qenë, gjithashtu, një dështim total. Në tre breza, dinastia Kim është bërë më agresive dhe është armatosur më fort.
Në vitin 2000, Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright shkoi në Phenian për të ofruar lehtësime sanksionesh dhe ndihmë humanitare në këmbim të kufizimeve në programin ambicioz të raketave balistike. Koreja e Veriut kishte kaluar një uri katërvjeçare që besohet se vrau miliona njerëz, por bisedimet dështuan.
Katër presidentët pasues të SHBA vendosën sanksione gjithnjë e më të ashpra ndaj Koresë së Veriut. Por, regjimi më i izoluar në botë tani vlerësohet të ketë dhjetëra armë bërthamore dhe raketa me rreze të gjatë, gati për t’i hedhur në Azi dhe Paqësor.
Administrata e Biden tha se sanksionet e reja ndaj Rusisë bazoheshin në “modelin iranian”. Por katër dekada embargosh dhe sanksionesh ndaj Teheranit kanë dështuar vazhdimisht të ndryshojnë idenë e regjimit atje. Shtetet e Bashkuara vendosën sanksionet e para në vitin 1979, pasi pesëdhjetë e dy diplomatë amerikanë u morën peng në Teheran. U deshën katërmbëdhjetë muaj për t’i liruar.
Më shumë sanksione u vendosën në mesin e viteve ‘80 prej sponsorizimit shtetëror të terrorizmit. Sanksionet u intensifikuan në vitet ‘90 dhe në 2005, me dyshimin se Irani kishte ambicien të ndërtonte një bombë bërthamore. Në vitin 2013, presidenti i ri i Teheranit, më në fund ra dakord të negocionte.
Sanksionet ndikohen edhe prej tekave të politikës së brendshme. Tre vjet pas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, Donald Trump e braktisi atë dhe vendosi më shumë se një mijë sanksione të reja ndaj Teheranit. Qëllimi i tij ishte të detyronte Iranin të negocionte një marrëveshje më të gjerë. Ai dështoi si askush. Si hakmarrje, Irani shkeli kufijtë e programit të tij bërthamor.
Sanksionet rrallë ndodh ta ndryshojnë ideologjinë ose sjelljen e një regjimi. Rusia, pa dyshim, që do të përballet me vështirësi të mëdha ekonomike pas sulmit të Ukrainës. Putini, haptazi, e nënvlerësoi vullnetin politik të Perëndimit për të miratuar një grup kaq kompleks sanksionesh.
Në një deklaratë të përbashkët të premten, G-7 paralajmëroi se do të vazhdojë të vendosë sanksione “të rënda”. Grupi i ekonomive më të fuqishme të botës kërkuan që Rusia t’i jepte fund pushtimit. Por historia tregon se arma ekonomike është e kufizuar.
Dhe vetëm sanksionet nuk kanë gjasa të ndalojnë banditin e pamëshirshëm të Kremlinit.