4 Qershor, 2023

“Oj Amerikë derën ta prisha, se këtu i thonë o Sali Berisha…”

 “Oj Amerikë derën ta prisha, se këtu i thonë o Sali Berisha…”

Nga Mero Baze

Pas mospajtimit publik që presidenti i Serbisë Aleksandër Viçiq pati ndaj sanksioneve amerikane për liderin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, pashë shumë komente të mbështetësve të Berishës, që filluan të bëjnë komente pozitive për presidentin e Serbisë. Mbi të gjithë “mbizotëron” mendimi se “ky është burrë dhe nuk pyet për SHBA”, apo dhe më tej akoma, “kështu mbrohet dinjiteti i vendit”.

Është interesante se sado që të përpiqesh të fshihesh pas patriotizmit dhe “sovranitetit”, e ke shumë të vështirë të fshehësh miqtë e tu të ngjashëm në rajon.

Dhe tani për ironi të fatit, miqtë më të afërt të Berishës në rajon, janë shokët e tij në listën e zezë të SHBA, që janë kryesisht serbë, kriminelë të Kosovës, disa oligarkë serbë rrotull presidentit Vuçiq, si dhe serbët e Bosnjës, që siç dihet janë dhe pjesa më regresive e liderve lokalë në rajon, të cilët rrezikojnë të kthejnë situatën e 30 viteve më parë të luftës në Bosnjë. Të gjithë pa përjashtim janë dhe armiq të shqiptarëve.

Sali Berisha ka katër muaj që lodhet t’u mbushë mendjen “demokratëve të vërtetë”, se atë e kanë futur në listë të zezë armiqtë e Shqipërisë, të lidhur me Aleksandër Vuçiq etj.

Në fakt, të vetmit aleatë të Berishës në rajon tani janë politikanët serbë të lidhur me Aleksandër Vuçiq, nacionalistët serbë  të Kosovës (nënkupto anti-shqiptarë të sëmurë), oligarkët e Vuçiq dhe liderët lokalë të serbëve të Bosnjës.  Ata janë dhe të vetmit që ja kuptojnë hallin Sali Berishës, dhe janë aleatë me të në këtë gjëmë që u ka ndodhur.

Por ndryshe nga Berisha, së paku ata nuk thonë na e bëri “Sorosi” apo Lul Basha, por mblidhen në katundet e tyre e këndojnë këngë kundër SHBA.

Sali Berisha nuk ka akoma një këngë që mund ta këndojë si hakmarrje ndaj SHBA. Tani për tani ka vetëm simpati për atë që po bën Vuçiq, që po i mbron viktimat amerikane të Serbisë.

Ky Edi Rama edhe pse e ka mik këtë Vuçiqin, nuk po mëson asgjë prej tij. Të paktën ta ndihmojë të marrë selinë e PD të shtunën, se pastaj e bëjnë vetë këngën kundër SHBA, kur të ngrejnë çadrën në oborr dhe të këndojnë me çifteli “Oj Amerikë derën ta prisha, se këtu i thonë o Sali Berisha…”

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *