30 Nëntor, 2022

O të marrë, vërtet mendoni se do fitoni ndaj Amerikës me plakun Sali në krye?

 O të marrë, vërtet mendoni se do fitoni ndaj Amerikës me plakun Sali në krye?

Nga Dritan Hila

Ka një diskurs pothuajse standard të gjithë ndjekësve të Bashës. Është preambula ku i bëhen elozhe Sali Berishës, kontributit të tij për PD dhe për vendin, kujtohen kohët e bukura, a thua se në këto 30 vite nuk është ky një ndër autorët kryesorë të vjedhjes, vrasjes, trafikimit të shqiptarëve, por një evlija që e zuri kusuri i dizinformimit, e në këto kushte duhet të bëjmë zahmet e ta shmangim ca kohë që PD të ketë mundësi të vijë në pushtet.

Në fakt kjo është mënyra më e mirë që të biesh më kurthin e tij dhe ta zhvendosësh betejën nga ajo me DASH në betejë me Bashën. Ky është shërbimi më i keq që mund t’i bësh Bashës dhe të favorizosh Berishën. Pikërisht ky është edhe synimi i Berishës, që të harrohet sa më shumë shkaku që e ka sjellë në këtë pozicion. Dhe ky nuk është vendimi i Bashës por rrjedhojë e vendimit të SHBA për të shpallur non grata familjen Berisha dhe kryetarin e saj. Është e kuptueshme që ndjekësit e Berishës të sfumojnë këtë fakt, por pa sens që të harrohet nga ndjekësit e Bashës.

Sali Berisha është shpallur non grata për veprimtarinë e tij në krye të qeverisë shqiptare, është damkosur kryesisht për kohën kur ka pasur në dorë qeverinë por edhe për opozitën destruktive dhe malinje që ka bërë në këto tetë vite. Asgjë e mirë e tij nuk e ngre kandarin e dënimit në favor të amnistimit të tij.

Një reformim i thellë i PD dhe një dezintoksikim i saj do të fillojë kur të dënojnë hyneret e Berishës dhe shkëputet nga berishizmi. Ata i kanë hyrë një beteje me gjysmë zemre por me gjysmë zemre nuk fitohen betejat. PS nuk do të vinte kurrë në pushtet nëse nuk do të kishte dënuar enverizmin dhe shmangur dishepujt e tij nga udhëheqja në qendër dhe periferi.

Nëse ndjekësit e Bashës mendojnë se kjo taktikë mund t’i ruajë unitetin, apo ruajë numrat, duhet ta kenë të qartë që amerikanët nuk dënuan vetëm Berishën por edhe frymën dhe praktikën e tij. Nëse mendojnë edhe ata si ndjekësit e Berishës se kjo është një ëndërr e keqe dhe një ditë Berisha do ta heqë këtë damkë, atëherë mos të lodhen të shpjegojnë por le t’i bashkohen foltores. Por nëse do perifrazonim një thënie delirante të Berishës në parlament “jam Sali Berisha ore budallenj”, edhe atyre duhet t’ju bëhet me dije se betejën nuk e keni me Ramën por me Departamentin e Shtetit, ore budallenj.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *