“Non grata” edhe mund të anulohet në letër, por kjo nuk ka për të ndodhur me Berishën

Nga Mustafa Nano
Sali Berisha është dëgjuar të thotë se vendimi për të shpallur atë non grata mund të anulohet nga administrata e ardhshme amerikane. Dhe të gjithë mbështetësit e tij kanë filluar ta ushqejnë këtë shpresë e ta besojnë këtë version. E dini? Nuk është se e kanë gabim. Në teori, vendimi në fjalë edhe mund të anulohet. Madje, parashikohet në ligj si i anulueshëm. Ka një përcaktim në – ky është emri me të cilin njihet ligji amerikan, mbi bazën e të cilit kanë shpallur Berishën non grata – seksionin 7031(c), dhe aty përveçse thuhet që sekretarit amerikan të shtetit i njihet e drejta (më e saktë do të ishte të thuhej “detyra”) të pengojë hyrjen në SHBA të personave të huaj, për të cilët Sekretari i shtetit merr informacion të besueshëm se janë të përfshirë, direkt apo indirekt, në afera e veprimtari korruptive (significant corruption)…”, thuhet edhe se sekretari i shtetit mund të bëjë një hap prapa e mund ta çbëjë vendimin, nëse ai vlerëson se ky anulim do t’i shërbejë një interesi të rëndësishëm (compelling) amerikan, ose nëse rrethanat, në të cilit dikush është shpallur non grata, kanë ndryshuar në mënyrë të qartë (sufficiently).
Shkurt, sekretari amerikan i shtetit e ka tagrin për ta hequr damkën non grata prej shpinës së Berishës. Dhe kur thuhet sekretari nënkuptohet çdo sekretar, përfshirë edhe Blinkenin që e mori këtë vendim. Nëse këtij të fundit i ndryshon mendja, apo ia ndryshojnë mendjen (Sorosi, apo ndonjë si Sorosi që Berishën e ka xhan), vendimi kthehet pa një, pa dy. Nuk është e vërtetë pra që ky vendim është i përjetshëm e i paçbëshëm. Berisha mund ta rifitojë të drejtën për të hyrë në SHBA.
Por me Berishën nuk ka për të ndodhur. E nuk ka pse të ndodhë. Edhe sikur amerikanët të binden se kanë gabuar, se dikush i ka futur në grackë (Sorosi, gjithnjë Sorosi), ata nuk kanë asnjë interes t’i kthehen kësaj çështje. Sepse Berisha nuk është ndonjë personazh i rëndësishëm, që mund të përdoret nga amerikanët apo kundër Amerikës. Cili do të ishte ai interes amerikan që do mbrohej nëse Berishës i hiqej damka non grata? Nuk ka asnjë interes të tillë. I vetmi motiv që do mund të bindte ndonjë amerikan (por nuk do t’i mjaftonte) për t’iu kthyer këtij muhabeti do të ishte bindja/frika e tyre se Berisha mund të shkaktojë ndonjë trazirë lokale që mund të provokonte destabilitet apo luftë civile në Shqipëri. Por as kjo nuk është më e vërtetë. Mund të ndodhte vite më parë, por tani nuk ka asnjë gjasë.
Kulmi i asaj që mund të bënte Berisha ishte “kuvendi” i stadiumit, të cilin ai e përgatiti brenda një kohe të gjatë e duke harxhuar energji, resurse, para të madhe. Më pas, ai u fik, gjë që u tregua në manifestimin kundër Vuçiqit e në sulmin që iu bë selisë së partisë demokratike. Më 6 mars, fuqia e tij do të dalë e ridimensionuar. Do të dalë më keq se sa e mendojmë. Por edhe sikur të dalë më mirë sesa Basha (është krejt e mundur), kjo nuk ndryshon asgjë. Berisha do mbetet lideri i një prej partive opozitare. Dhe ata që do votojnë për të nuk janë të gjithë të gatshëm të dalin në rrugë, apo në male, për interesin e Berishës. Numri i mbështetësve të tij në qendrat e votimit është disafish më i madh sesa numri i atyre që do ishin të gatshëm të shkaktonin trazira, duke vënë kokën e tyre në rrezik. Kështu që, fuqia e tij destabilizuese është fare e vogël.
Përveç kësaj, Berisha nuk përbën frikë edhe për një arsye tjetër. Ai nuk është një 40-50 vjeçar, që mund të kërcënojë me idenë se ai do të jetë një minë shetitëse apo një potencial destabilizues edhe për 20-30 vjet në të ardhshmen. Ai është afër të tetëdhjetave. Tamam-tamam, ai mbush 80 vjeç në vitin 2024, kur mund të vijë Trumpi në pushtet. Dhe me këtë po supozojmë se Trumpi (nëse vjen) do ketë disponimin për ta rishqyrtuar këtë çështje!!! Mirëpo, ky supozim nuk qëndron as në qiell, as në tokë. Letrat kundër Berishës kanë kohë, shumë kohë, që janë përgatitur. Disa thonë se kanë filluar me administratën Trump. Jo, është më keq sesa kaq. Kanë filluar më herët, që në mandatin e tij të dytë kryeministror. Më e pakta.
Pastaj, Berisha nuk është njeri që ka miq shumë. Asnjë mik nuk ka. E keni vënë re? Asnjë njeri i rëndësishëm jashtë vendit nuk e mori në mbrojtje me këtë rast. Dobare, të kishin thënë një fjalë të mirë. Por jo, asnjë s’u bë i gjallë. Miqtë e tij ekzistojnë vetëm në telefonatat e tij imagjinare. Dhe në Bushat e Mamuras. Demokratët e këtyre dy qytezave janë miqtë e vetëm që ai ka pasur në jetën e karrierën e tij politike. Miq të tjerë nuk ka patur e nuk ka.
Kështuqë, të dashur “miq” të Berishës, hiqni shpresat se ai mund të mbetet ndonjë ditë pa atë damkë, e cila i ka dhënë dhembje si asgjë tjetër në këtë jetë. Përsëris: Në teori, non grata është një damkë që hiqet në rrethana të caktuara, por jo në rrethanat e Berishës. Ky i fundit nuk është më faktor në politikën shqiptare. Nuk është më një njeri to be reckoned ëith. Është thjesht një kalë gërdallë që nuk i vlen askujt në këtë botë. Dhe kjo do të ishte e vërtetë edhe sikur të mos ia kishin vënë këtë damkë. Le të mos harxhojmë më kohë me të!