2 Shkurt, 2023

Një taksi dje, sa një shishe vaj sot

 Një taksi dje, sa një shishe vaj sot

Nga Megi Iskurti

“Të gjithë shkresat që kemi bërë kanë rënë në vesh të shurdhër. Puna ka rënë në nivelin më të ulët”, shprehet Gëzim Bardhi, taksist prej më shumë se njëzetë vitesh tek thekson se sëbashku me kolegët e tij, po shkojnë drejt falimentimit.

Ai thotë se çmimet e larta po i drejtojnë qytetarët vetëm tek produktet bazë të shportës, duke i detyruar të heqin tërësisht dorë nga lëvizjet me taksi që për të konsiderohen një ‘mjet luksi.’

“Me 400 lekë që një qytetar lëvizte për një rrugë, tani merr një shishe vaj në supermarket. E gjithë gjendja e krijuar nga çmimet e larta në vend nuk u le njerëzve shumë mundësi zgjedhjeje.

Ndërkohë ne po falimentojmë. I druhemi atij. Puna ka rënë ndjeshëm dhe fitimet e ditës janë qesharake”, thotë ai mandej duke shtuar se çmimet e larta të naftës po i shtyjnë drejt një ‘nokauti’ ekonomik.

Për të njëjtat halle ankohen përditë edhe taksistë të tjerë.

Adrian Likollari, që punon i pavarur si taksist, thotë se po të mos kishte qenë për dy-tre klientë besnikë që lëvizin rregullisht, ai tashmë do të kishte falimentuar.

“Edhe këta që i kam klientë të mite, këto ditët e fundit të muajit i kam lëvizur pa para sepse të zënë ngushtë me thonin që fundi i muajit i kishte gjetur 0-0. Shumë të rrallë janë klientët jo besnikë që i kam dërguar nëpër destinacione të ndryshme. Njerëzit as nuk telefonojnë më e as nuk i ndalojnë taksitë në rrugë.

Nuk e dimë nëse situata do rregullohet më tej por nëse vijon kështu, është pak po e sigurt që edhe për ca kohë ne nuk do të dalim më në punë”, rrëfen ai më tej.

Adriani shton ndër të tjera se në këto momente që nafta është në këtë lloj niveli, taksistët i kanë propozuar disa herë qeverisë që edhe në ditë të zakonshme të përdorin tarifën e natës dhe atë të festave, që përkon me 50 lekë më shumë. Por sipas tij, asnjë nga kërkesat e tyre nuk është marrë kurrë parasysh.

Kreu i Sindikatës së Taksistëve, Bilbil Cara, thotë se që nga viti 2009 çmimet e biletave nuk janë rritur. Ai kujton së atëbotë një litër naftë ishte 50 lekë të vjetra dhe fitimet ishin tepër të larta krahasuar me këto ditë kur nafta tregtohet 231lekë për litër dhe numri i qytetarëve që përdorin taksi është i vakët.

Vetëm 3% e taksive në Tiranë janë elektrike ndërsa të gjithë të tjerat kanë lëndë të parë karburantin. Kosto që sipas Carës, shkarkohet jo vetëm tek konsumatorët por edhe tek ta.

Taksat, shton mandej ai, provokojnë krizë shtesë duke i rënduar më tej xhepat e taksistëve.

“Me gjjithë këto taksa që duhet të paguajmë e me kaq pak fitime që marrim nuk ia vlen më të punosh si taksist. Është bërë për ta kyçur makinën në garazh. Kemi arritur në pikën ku po shtypim gazin për të harxhuar më pak.

Duhet të japim para për vendin ku rrimë, para për akcizë, para për Tvsh”, vijoi enumeracionin ai duke shtuar se çmimet nuk mund t’i rrisin dot për shkak të klientëve besnikë.

“Çfarë t’u kërkosh klientëve? Ata mezi po ia dalin të përballojnë shpenzimet për ushqime. Dhe unë vetë si qytetar kam dy muaj që nuk kam dalë në treg për të bërë pazar. Asgjë nuk po përballohet më. Taksistët janë në zgripin e fundit”, shton ai.

Për të njëjtën situatë flasin edhe operatorët e kompanive të taksive.

“Tashmë me rritjen e naftës dhe rritjen e çmimeve njerëzit telefonojnë shumë rrallë. Ndonëse moti këto ditë ka qenë me shi, qytetarët kanë preferuar të përdorin transportin urban ose në këmbë.

Nëse dikur rezervimet në ditë ishin minimalisht tridhjetë, sot janë dhjetë e mbase dhe diçka më pak”, tha njëri prej tyre nga “Do Taxi”.

Tregu sipas tyre është mbingopur me taksistë ndaj ata shpesh kanë bërë edhe kërkesa që të mos jepen më licenca të shërbimit taksi për shkak të konkurrencës së lartë.

Në Tiranë aktualisht punojnë mbi 1 mijë e 500 taksistë ndërsa në të gjithë vendin operojnë 3 mijë të tilla.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *