28 Shtator, 2023

Një dëshmi për amerikanët në Shqipëri dhe historia me UDB e paratë jordaneze të avokat Ngjelës

 Një dëshmi për amerikanët në Shqipëri dhe historia me UDB e paratë jordaneze të avokat Ngjelës

Nga Kastriot Myftaraj

Kurt Kola, ish-kryetari i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë në librin e tij të fundit me kujtime të botuar në 2021 rrëfen për një bisedë interesante që ka pasur në Ambasadën amerikane në Tiranë, në 1994 me  ambasadorin amerikan të kohës në Shqipëri, Ryerson.

Kurt Kola thotë se në korrik 1994 kur ai në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së të Përndjekurve Politikë,  kishte paralajmëruar grevën e urisë së një grupi ish-të përndjekuris nëse nuk realizoheshin kërkesat që i kishte paraqitur Presidentit Berisha dhe qeverisë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë,  atë (Kurt Kolën) e kishte thirrur Ryerson në takim në ambasadën amerikane dhe i kishte thënë:

“Z. Kola, nuk mund të bëhet dëmshpërblimi i një dëmi aq të madh të një periudhe gjysmëshekullore, nga qeveria e dy viteve pushtet me ekonomi të rrënuar, ndaj unë iu këshilloj të mos e realizoni grevën e urisë.” (Kurt Kola, “Tranzicioni neokomunist në Shqipëri”, Botim i UET Press, Tiranë 2021, f. 126)

Me këto fjalë Ambasador amerikan i tha Kurt Kolës në gjuhë diplomatike se ai po I keqpqrdorte në mënyrë të paarsyeshme aspiratat e të përndjekurve politikë për të përmbysur qeverinë në interes të opozitës së majtë. Dhe Ambasadori Ryerson sigurisht që ishte duke folur në emër të qeverisë amerikane.

Qeveria amerikane ishte e shqetësuar sepse e shihte grevën e urisë si të nxitur nga Partia Socialiste në opozitë me anë të njerëzve si Kurt Kola, për të përmbysur qeverinë. Amerikanët qenë të shqetësuar sepse në atë kohë qeveria shqiptare e PD-së i kishte dhënë SHBA të drejtën e përdorimit të territorit të Shqipërisë për operacionet e NATO-s në Bosnjë-Herzegovinë me dronët “Predator”, që ishte i pari përdorim i dronëve në operacione ushtarake dhe që u bë nëpërmjet aeroportit të Gjadrit në Lezhë. Ndërprerja e operacioneve amerikane me dronë ishte në interes të Serbisë. Partia Socialiste në opozitë ishte shprehur publikisht kundër lejimit të përdorimit të bazave ushtarake shqiptare për këtë operacion amerikan. Madje në atë kohë PS ishte ende kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Disa ditë pas kësaj bisedë, kur nisi greva e urisë qeveria i nxorri grevistët jashtë me dhunë policore. Për këtë gjë në atë kohë Kurt Kola fajësoi Sali Berishën, por tani pohoi se përgjegjësinë për këtë gjë e paska pasur ambasada amerikane.

Dyshimet e ambasadorit Ryerson për arsyet e vërteta të Kurt Kolës, i vërtetoi koha në 1997 kur Kurt Kola e bëri Shoqatën e të Përndjekurve Politikë që drejtonte “ombrellën” e Partisë Socialiste dhe të aleatëve të saj, kur u krijua Forumi për Demokraci, si një aleancë opozitare kur Shoqata ishte bashkë me PS-në dhe ku Kurt Kola ishte bashkëkryetar. Kjo skemë i duhej PS-së për t’ u maskuar pas Shoqatës si brenda “Kalit të Trojës”, sipas formulës së vjetër të Kominternit, që të mos dilte drejtpërdrejt si organizatore e revolucionit të vitit 1997.

PS e gënjeu Kurt Kolën kur e vuri kandidat për deputet në Vlorë në zgjedhjet e 29 qershorit 1997, por i vuri dhe një kandidat “të pavarur”, i cili doli fitues. Megjithëse socialistët i kishin premtuar Kurtit krijimin e një ministrie të posaçme për të përndjekurit politikë, pas fitores në zgjedhje, krijuan veç një institut në krye të të cilit vunë Kurtin. Kështu e gënjyen dy herë. Por Kurti nuk bëri përsëri grevë urie.

Kurt Kola në libër rrëfen se në takimin e vitit 1994 i ka thënë ambasadorit amerikan se SHBA kishte fajin për shkatërrimin e ekonomisë komuniste shqiptare. Ja biseda siç e sjell Kurt Kola në libër:

“Dua t’ ju bëj edhe një pyetje. A mundem z. Ryerson?

-Sigurisht z. Kola!

-Në shkatërrimin e uzinave dhe fabrikave tona, a keni indicje ju?

-Sigurisht z. Kola, nuk mund të mbahen karakatinat e komunizmit, janë tërësisht primitive.

-Për këto primitivet punonin 900 mijë punëtorë, që sot janë në asistencë, duke marrë para kot. Si e keni zakon ju në Amerikë, prishni shtëpinë e vjetër para se të bëni të renë?

-Jo z. Kola, bëjmë të renë pastaj prishim të vjetrën.

-Na i linit edhe neve këto të vjetrat sa të na bënit modernet, e të mos nxirrnit 900 mijë njerëz të papunë.”(f. 127-128)

Por fabrikat dhe uzinat e ekonomisë komuniste u mbyllën me dekretin e Ramiz Alisë të korrikut 1990, me të cilin punëtorëve do t’ u paguhej 70% e pagës pa punuar. Me këtë dekret Ramiz Alia shpalli falimentimin e ekonomisë komuniste. Dhe kuptohet që fabrikat dhe uzinat e mbyllura do të vidheshin dhe shkatërroheshin, gjë që e bënë së pari drejtuesit e tyre duke marrë pajisjet më të vlefshme.

Amerikanët erdhën në Shqipëri një vit pasi kishte hyrë në fuqi ky dekret i Ramiz Alisë. Kurt Kola e dinte mirë këtë gjë, por ai kishte shkuar te ambasadori amerikan si provokator i specializuar.

Gjëja më qesharake në libër është kur Kurti thotë se babain e tij Bilal Kolën e ka vrarë Sigurimi i Shtetit në bashkëpunim me UDB-n.

Kurti tregon në libër një episod kur ka vizituar ish-kryetarin e shtetit komunist Haxhi Lleshi, në spitalin e burgut, kur ky ishte i burgosur në kohën që PD ishte në pushtet, në 1995:

“Me Haxhi Lleshin diskutova për njerëzit e mi të zhdukur në Jugosllavi.

-Çfarë mund të na thuash për Bilal Kolën, vetë i pesëmbëdhjetë, persona të prerë në besë nga kushëriri yt Haqif Lleshi, ish-deputet në Parlamentin maqedon atë kohë?

-Unë nuk kam hile e hak në fatin e tyre. Bilal Kola ishte një personalitetit politik, nacionalist me shumë vlera. Por, ishte edhe antikomunist i betuar. U ndoq gjashtë vjet nga ushtria e Sigurimit të Shtetit Shqiptar nëpër male dhe nuk e asgjësuan dot. Kaloi në Jugosllavi, nuk e di si përfundoi.

-Z. Lleshi, më vjen keq që bën të paditurin, për të mos thënë naivin në një çështje që je i përzier drejtpërdrejt. Në zhdukjen e Bilalit ishte përfshirë qeveria, Enver Hoxha e Mehmet Shehu, por ju në mënyrë direkte me kushëririn dhe nipin, Mustafa Lleshi, ish-oficer i UDB-së. Ata prenë në besë Bilal Kolën me udhëzimin tënd, edhe pse i patën garantuar strehim politik. Enver Hoxha të shpërbleu me emërimin President i Republikës, ndërsa Haqifin dhe Stafën me pensione të larta. Këto janë fakte e prova që nuk i mohon dot.”(f. 395-396)

Në të vërtetë Kurt Kola këtu i paraqet të tjetërsuara faktet dhe provat që ai nuk i mohon dot. Pyetja e parë që del mbi këtë përrallë që tregon Kurti është se si u lidh me besë Bilal Kola me kryeshefin (naçallnikun) e UDB-së për kufirin jugosllavo-shqiptar në pjesën maqedone, Mustafa Lleshi, djali i xhaxhait të Haxhi Lleshit dhe çfarë bese ishte kjo?

Aqif Lleshi, të cilin Kurti këtu e quan Haqif, kishte qenë së bashku me të vëllain Halitin, babain e Haxhiut, njeriu i besuar dhe i paguar i Serbisë qëkurse ushtria serbe shkeli Dibrën në 1913, gjë që është e dokumentuar. Bilal Kola nuk ishte njeri naiv që të kapërcente kufirin në besë të oficerit të UDB-së, pa pasur një garanci më të madhe se Mustafa Lleshi.

Është e vërtetë që Bilal Kolën e shitën Lleshajt e UDB-së, por kjo lojë u bë që Haxhi Lleshi të ngrihej në pozitën e kryetarit të shtetit në Shqipëri, gjë që nuk mund të ndodhte nëse ai kishte djalin e xhaxhait deputet në Jugosllavi dhe nipin oficer të UDB-së. Prandaj u sajua nga UDB arratisja e Aqifit dhe djalit të tij Mustafës në Shqipëri, në 1950. Më pak se tre vite më pas, Haxhi Lleshi, ish-oficeri paramilitar serb, i cili në  kujtimet e tij pohon se së bashku me Aqifin në prill 1941 kanë mësyrë me armë kufirin shqiptar së bashku me forcat ushtarake jugosllave, për ta zëvendësuar pushtimin italian me atë serb, u bë kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Shërbimet e fshehta serbe kanë pasur praktikën që me shqiptarët të punojnë në linjë familjare, brez pas brezi. Në shkurt 1997 Kurt Kola, në cilësinë e kryetarit të Forumit për Demokraci (opozita e bashkuar e majta) deklaroi se në Vlorë gjatë protestave të opozitës, në forcat ushtarake qeveritare që ruanin ndërtesat e institucioneve kishte pasur ushtarë serbë. Dhe fill pas kësaj deklarate opozita e majtë nisi të përdorë simbolin serb të tre gishtave gjë që është pasqyruar në të gjithë mediat e mëdha ndërkombëtare në kronikat e kohës.

Berisha duhej rrëzuar nga pushteti në 1997, sigurisht, por turpi i Kurt Kolës dhe i të tjerëve si ai është që këtë gjë e bënë me simbolin serb të tre gishtave.

Me rastin e vdekjes së Kurt Kolës këto ditë, ka shkruar një nekrologji edhe miku i tij i burgut, Spartak Ngjela. Kurti tregon një episod interesant për Ngjelën në libër, sesi të dy kanë marrë para nga mbreti i Jordanisë, kur ishtin kandidatë të Partisë Lëvizja e Legalitetit në zgjedhjet parlamentare të vitit 1997. Ja si shkruan Kurti në libër:

“Kandidoja në njërën nga zonat elektorale në Mat, nën siglën e Partisë Lëvizja e Legalitetit. Zgjedhjet e kësaj partie i financonte Mbreti Leka me paratë e miqve të tij jordanezë. Fondi i ardhur për partinë nga Mbreti Leka ishte 300 mijë dollarë, që do të ndahej sipas preferencave të kandidatëve, në 100 zonat elektorale. Mua, Darling Vlorës e Spartak Ngjelës na kishte dërguar nga pesë mijë dollarë plus, por mbetëm me kaq, madje të kënaqur karshi kolegëve që u takoi nga 200 dollarë.”(f. 202)

Këtu së pari ka detyrim të shpegohet njeriu i ligjeve Avokat Ngjela, për të cilin u zbulua se paska marrë një financim të padeklaruar nga një qeveri e huaj si kandidat në zgjedhje, gjë që ka qenë edhe në atë kohë e ndaluar me ligj. Historia e parave jordaneze është më e thellë se kaq. Mbreti Leka ka vdekur sot dhe nuk mund të dëshmojë nëse nga Jordania erdhën vetëm 300 mijë dollarë apo më shumë. Në të vërtetë, duke pasur parasysh rrëfimit që Kurti i bën në libër vizitës në Jordani para zgjedhjeve, ai dhe Ngjela duhet të kenë marrë secili 300 mijë dollarë. Ja si rrëfen Kurti përvojën e tij me femrat magjepsëse arabe, këngëtare dhe valltare:

“Sesi ikën e fluturuan dhjetë ditë pa kuptuar as natën as ditën, nuk e mora vesh. Të krijohej ideja se aty ishte ajo që rëndom mendon njeriu, parajsa. U harrova atje, aq sa G. Durollari, me shaka I thoshte Mbretit Leka, se më kishin magjepsur këngëtaret dhe valltaret arabe. Mbreti Leka qeshte duke më justifikuar me jetën në burg… Kishte kaluar ora dy e natës, kur valltarja arabe vjen dhe më merr ‘përdhunshëm’ në vallzim. Ishte gati lakuriq dhe lëvizte e rrotullohej si ngjalë në krahët e mi. Guri me aparatin fotografik shkrepte poza pa pushim. Salla na shoqëronte me duartrokitje frenetike.”(f. 189, 191)

Vazhdimi i skenës mund të përfytyrohet lehtë. Valltaret e tilla sigurisht që nuk ishin vetëm valltare. Rrëfimi i Avokat Ngjelës për këto përvoja ende nuk është bërë.

Në librin me kujtime të Kurt Kolës ka shumë detaje të tjera interesante. Po veçoj njërin prej tyre atë që ka të bëjë me Rrapush Xhaferrin, “gjeneralin” e skemave piramidale, të cilin Kurti e kishte njohur në Lushnjë ku vetë kishte qenë i internuar, pas burgimit. Kurti thotë për Rrapushin:

“Kishte njëqind gjëra të mira për të më kujtuar e veçanërisht dhënien e shkollës së mesme, që i duhej domosdo për vendin e punës.”(f. 208)

Si paska pasur mundësi Kurt Kola, i internuar në moshën 8 vjeç dhe i burgosur në moshën 15 vjeç ta ndihmonte Rrapush Xhaferin që të merrte diplomën e shkollës së mesme për t’ u bërë llogaritar në një ndërmarrje bujqësore? Këtë çudi Kurti e le pa shpjeguar por këtu ka thënë diçka shumë vetëkompromentuese.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *