10 Qershor, 2023

“Një anglez po mëson shqip që të flasë me dhëndrrin e tij”… Pse të huajve u intereson të mësojnë shqip online

 “Një anglez po mëson shqip që të flasë me dhëndrrin e tij”… Pse të huajve u intereson të mësojnë shqip online

Pse do të deshte një i huaj të mësonte shqip? Aq më tepër, një i huaj që nuk ka shkelur kurrë në Shqipëri? Me këtë dilemë të freskët ende në mendje, 26-vjeçari Klaudio Spirollari, tani thotë se ka pasur shumë interes për “Learn Shqip”, llogari në Instagram dhe Kanal në Youtube, sidomos nga Anglia dhe Amerika, ku dhe janë kërkesat më të mëdha për të mësuar shqip.  “Learn Shqip” ai e inicioi që në ditët e para të pandemisë, duke hapur fillimisht një llogari në Instagram, kanal në Youtube dhe duke dhënë mësime private të gjuhës shqipe.

Klaudio, i cili është mësues free-lance (i pavarur) me profesion, tregon se ky ishte “një shërbim i cili mungonte asokohe në treg, për të gjithë ata që duan të mësojnë gjuhën shqipe”.

“Edhe pse shumica e shqiptarëve flasin anglisht, të huajt prapëseprapë duan t’a mësojnë gjuhën për të kuptuar më shumë traditën dhe historinë tonë”, thotë Spirollari. Sipas tij, mosha mesatare e të interesuarve për të mësuar shqip është 30-35 vjeç.

Ai tregon se disa e kanë shumë të vështirë për të krijuar fjali në gjuhën shqipe. Ndërkohë vështirësitë më të mëdha i hasin te numrat nga 11 deri te 19, foljet e çrregullta apo gjinia. Gjithashtu ka një interes të madh për të mësuar shqip edhe nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

“Shumë shqiptarë që janë larguar prej vitesh nga Shqipëria dhe Kosova duan që fëmijët e tyre të flasin gjuhën e kombit mëmë dhe kërkojnë kurse private nga unë”, thotë Spirollari.

Nuk mungojnë as studentët të cilët kanë një arsye shumë të veçantë pse duan të mësojnë shqip. Një burrë, rreth të 50-ave nga Anglia po mëson shqip me anë të “Learn Shqip” për të biseduar me dhëndrin dhe familjen e tij që janë nga Shqipëria.

“Ai ka të martuar vajzën me një shqiptar dhe dëshiron shumë që të shprehë dashurinë për vendin tonë shqip”.

Deri tani, Spirollari i ka 70% të shërbimeve falas, me postime dhe shpjegime që  bën në Instagram dhe Youtube ndërkohë që kushdo që është i interesuar për kurse personale, paguan një shumë modeste.

Spirollari është i lumtur se në një vit e gjysmë ka arritur të kuptojë se janë të shumtë të huajt dhe shqiptarët që duan të mësojnë shqip dhe kjo i ka dhënë një shtysë që në një të ardhme të mendojë të bëjë diçka më të madhe, pse jo, të krijojë një platformë të mirëfilltë për të mësuar shqip.

Dëshira dhe nevoja për të mësuar shqip është parë edhe në kurset që bën Universiteti i Tiranës.

Ajlula Jubani pedagoge tek Universiteti i Tiranës tregon se Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, departamenti i gjuhësisë ka program të veçantë për mësimin e gjuhës shqipe nga të huajt, i vetmi i certifikuar nga Ministria e Arsimit ku ofron një kurs njëvjeçar për të huajt që duan të mësojnë shqip dhe shkollën verore gjatë muajit shtator.

“Këtë vit kanë qenë disa studentë kinezë të regjistruar të parët”, tregon Jubani. Arsyet pse studentët e huaj paraqiten pranë Departamentit të Gjuhësisë dhe zgjedhin të mësojnë shqip, janë të ndryshme. Sipas saj, shumë prej të huajve kanë ardhur të jetojnë në Shqipëri dhe u duhet gjuha shqipe. Por ka studentë të tjerë që merren me studime albanologjike si dhe studentë të huaj që në kuadër të marrëveshjeve ndërshtetërore, vijnë të mësojnë shqip.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *