26 Mars, 2023

Nënë Lizat dhe qeveritë, dy mëkatarë përballë njëri-tjetrit

 Nënë Lizat dhe qeveritë, dy mëkatarë përballë njëri-tjetrit

Nga Viktor Malaj

“Drejtësia nuk qëndron në të qenët i paanshëm midis të drejtës dhe të gabuarës, por në gjetjen e të drejtës dhe mbrojtjen e saj, kudo qoftë, kundër së gabuarës” / Teodor Rusvelt

Protesta e fundit e disa banorëve të lagjes “5 Maji” në Tiranë u bë objekt i shtypit dhe medias vizive për disa ditë.

Midis protestuesve u veçua Nënë Liza (Liza Marku), një grua e moshuar mirditore e ardhur nga Rubiku para më shumë se dy dekadave, fëmijët e së cilës kishin mundur të ndërtonin një shtëpi trekatëshe, pa leje dhe në një tokë të huaj, që pretendohet se i është blerë dikuj ashtu “fshatçe”, dikujt që nuk posedonte asnjë dokument zyrtar si pronar i saj.

Nënë Lizën, si simbol i protestuesve që do iu prishen shtëpitë nga pushteti i sotëm për të ndërtuar disa pallate “për të dëmtuarit nga tërmeti i nëntorit 2019”, disa media e mallkuan ndërsa të tjera, ato kundërqeveritare e thirrën me ngazëllim nëpër studio televizive duke e paraqitur herë si heroinë dhe herë të tjera si viktimë e pushtetit.

Po ta shohësh me gjakftohtësi rastin në fjalë, ai përmban të dy anët e medaljes: Edhe figurën e shqiptarit të pas 1990 që s’pyet për ligj e rregull, por edhe qeverisjet e padenja që shqiptarët kanë pasur “fatin e keq” t’iu nënshtrohen gjatë tridhjetë viteve të “shtetit demokratik”.

Banorët protestues, disa me prona të dokumentuara dhe të tjerë pa kurrfarë dokumentesh, kanë protestuar pasi nuk janë dakord me mënyrën dhe procedurat e shpronësimit që ka ofruar qeveria aktuale. Nënë Lizën, me disa protestues të tjerë, refuzoi t’i takonte kryetari i bashkisë së Tiranës, por i priti Kryeministri Rama.

Çfarë rezulton nga kjo “odise” që njohim deri tani?

Shtypi proqeveritar arriti deri aty sa e etiketoi Nënë Lizën politikisht duke shkruar se “Nënë Liza ngjan një komuniste e thekur në formimin e saj. I akuzon policët se po sillen ‘si xhandarët e Zogut’ dhe, më pas, thotë jo pa simpati, se ‘Enver Hoxha nuk të linte të flije jashtë, ta jepte një shtëpi’ ” (M. Baze)

Nga ana tjetër, një zonjë e quajtur Aranita Brahaj, që paraqitet si gazetare dhe studiuese shkencore, duke u përpjekur të bëhet avokate e Nënë Lizës, politikisht dhe jo juridikisht, na thotë se:

“Zaptuesit vijnë nga zonat më të shfrytëzuara të vendit, ku njeriu punoi minator apo gjeolog në minierat e bakrit e kromit… Arka e shtetit mbushej me GDP e minierave të Mirditës e Pukës. Ekonomia kombëtare fillonte me këto rrethe. Industria, mirëqënia, strehimi… çdo e mirë e ekonomisë së padrejtë para ’90 lidhej me kontributin e njerëzve dhe nëntokës së Pukë- Mirditës… Në këmbim, minatori i Veriut merrte të drejtën për të ngrënë vetëm bukë misri dhe fëmijët i vdisnin nga anemia e misrit. Dhe, misri nuk ishte ai i cilësisë që kemi sot… Në vitet ’70 e ’80 më të pasurit e nëntokës e kishin të ndaluar nga regjimi kriminal socialist t’i ushqenin fëmijët me bukë gruri”.

Në përpjekje për ta skualifikuar dhe denigruar kundërshtarin apo të padëshiruarin, prej tridhjetë vitesh është bërë e modës etiketimi “komunist”, me shpresë se duke vepruar njëlloj si me sportistët që shpallen “përdorues dopingu” dhe largohen nga gara, edhe kundërshtarin apo të padëshiruarin, ka apo s’ka të drejtë, etiketimi e hedh në “knockout”.

Po kështu, sjelljet dhe veprimtaritë e paligjshme dhe antishoqërore, të manifestuara gjatë këtyre viteve, i atribuohen së kaluarës ose justifikohen po me anën e saj.

Unë e kuptoj se pasuria e vënë për tridhjetë vjet duke shitur “dokrra hini” që ngjajnë me fishekzjarret për ditëlindjen e sundimtarit të radhës, apo paratë e siguruara nga gjithfarë fondacionesh me burime të errëta, i eksitojnë përfituesit e tyre, por studiuesit pohojnë se paraja është sa eksituese, aq edhe verbuese, sidomos në gjykimin e së vërtetës dhe të drejtës.

E vërteta dhe e drejta lidhur me rastin në fjalë janë larg dëshirave dhe konkluzioneve, si të avokatëve ashtu edhe të përçmuesve të protestuesve. Nënë Liza (më saktë, familjarët e saj) është realisht njëra nga dhjetëra mijëra ligjshkelës të këtyre 30 e kusur viteve, të cilët e kuptuan sistemin e pas 1990 si liri për të bërë ç’të duan dhe për t’u sjellë si të duan, pavarësisht së drejtës dhe normave të bashkëjetesës sociale.

Keqkuptimet e tyre u ndihmuan fuqishëm edhe nga propaganda e pamoralshme dhe e papërgjegjshme e një pjese të madhe të politikës shqiptare dhe skalioneve mediatike, si mbështetëse të kësaj politike.

Propaganda në fjalë, jo vetëm e mallkoi (dhe vazhdon ta mallkojë) pronën e përbashkët dhe atë publike, por ia paraqiti qytetarit shqiptar si “pronë e askujt” dhe, duke u konceptuar si e tillë, kjo pronë (toka dhe ndërtesa) u bë pre e zaptimeve dhe grabitjeve, qoftë nga banorë të zonave të thella jourbane, po ashtu edhe nga zengjinë të rinj të lidhur ngushtë me të gjitha qeverisjet e papërgjegjshme të kësaj kohe.

Puna erdhi deri aty sa, përveç zaptimeve individuale, politika miratoi edhe një ligj kriminal (Ligji 7501/1991) me të cilin toka iu rimerrej pronarëve realë dhe iu shpërndahej njerëzve pa tokë sipas numrit të frymëve. Ndërsa regjimi politik i para 1990 ua kishte marrë pronarëve dhe ua kishte dhënë në përdorim personave të tjerë, “regjimi demokratik” ia mori pronarit legjitim dhe ia dha atij që s’i takonte, as me ligj, as me Kanun dhe kundër moralit shoqëror.

Po pse u bë kjo gjë? Për keqardhje, për humanizëm apo si vizion zhvillimi? Asnjëra prej këtyre por, thjesht dhe vetëm, për vota, pra për pushtetin e pak individëve apo grupe individësh politikë.

Zaptimet e pronave në fjalë, sidomos të tokave, dhe ndërtimet pa leje dhe pa plane e miratime urbanistike nuk mund t’i gjykojnë as mendjet e nxehta dhe as mendjet e lehta mediatike. Banorët e zonave të largëta kanë banuar e jetuar atje me shekuj të tërë dhe për këtë nuk janë përgjegjës as regjimi monarkist dhe as i ashtëquajturi “komunist” i shekullit të 20-të. Atje janë vendosur dhe i kanë lënë paraardhësit e tyre dhe, në fund të fundit, të jetuarit atje nuk ka qenë dhe as nuk është kataklizëm.

Por, a kishin dhe a kanë të drejtë banorët e atyre zonave të lëvizin dhe jetojnë ku duan ata? Sigurisht që po, por jo në mënyrën që zgjodhën shumica e tyre. Lëvizjet e brendshme të popullsisë, përveç lëvizjeve barbare, janë kryer dhe kryhen sipas normave ligjore të shoqërisë dhe në mënyrë të tillë që nuk cenojnë interesat e pjesës tjetër të popullsisë.

Mbrojtja që gazetarja Brahaj iu bën zhvendosjeve të tilla të popullsisë është e gabuar moralisht, historikisht dhe ligjërisht. Duhet mësuar një herë e mirë se pasuritë nëntokësore të një vendi nuk janë dhe as mund të jenë pasuri vetëm e atyre që banojnë në sipërfaqen mbitokësore ku ndodhen pasuritë në fjalë, por janë pasuri e gjithë popullsisë që jeton brenda shtetit nën juridiksionin e të cilit ato ndodhen.

Përveç kësaj, të ardhurat e siguruara nga bakri dhe kromi i nxjerrë nga nëntoka e zonës Pukë-Mirditë kanë qenë të konsiderueshme, por ato janë përdorur nga buxheti i shtetit të kohës në shërbim të të gjithë popullsisë së vendit, duke përfshirë edhe Pukën e Mirditën.

Nga ana tjetër, nuk është fare e vërtetë se ekonomia kombëtare fillonte me këto rrethe dhe se mirëqënia e strehimi lidheshin vetëm me kontributin e njerëzve që punonin në ato dy rrethe. Për punën e kryer (punë vërtetë e vështirë, si kudo në botë) punëtorët dhe personeli janë paguar me paga që shkonin 2-3 herë më të larta se punëtorët e tjerë të industrisë kudo në Shqipëri, pa folur për kooperativistët nga Jugu në Veri.

Kjo industri e “regjimit kriminal socialist” ka qenë shumë herë më e drejtë dhe e moralshme se industria e sotme e “regjimit të shenjtë kapitalist” shqiptar, pasi e para paguante punëtorin dhe të ardhurat i përdorte për të gjithë shoqërinë ndërsa e sotmja e paguan (mjerueshëm) punëtorin dhe shumicën e të ardhurave i marrin një grusht individësh, kryesisht të ardhur nga bota e krimit.

Unë nuk e di as moshën dhe as nga është gazetarja Brahaj, por të bëjnë përshtypje “përrallat” që tregon në përpjekjet e saj për t’iu bërë avokatinë në grup zaptuesve të pronave të pas 1990. Nuk është fare e vërtetë se minatorët e gjeologët e kishin të ndaluar nga regjimi të ushqenin veten dhe fëmijët me bukë gruri dhe se “fëmijët iu vdisnin nga anemia e misrit”.

Shkenca nuk njeh anemi dhe vdekje nga ngrënia e bukës së misrit (madje, sot në Perëndim rekomandohet më shumë përdorimi i bukës së thekrës, tërshërës dhe misrit se asaj të grurit) dhe është e sigurt se përdorimi i miellit të misrit është shumë herë më i parrezikshëm se përdorimi i miellit të drogës, siç ndodh sot.

Ndërsa i pari nuk mbahet përgjegjës për vdekjet askund në botë, i dyti është vërtetuar si burim i vdekjes së qindra mijëra njerëzve çdo vit në botë. Në fund të fundit, raportet e dikuj sot me ligjin dhe të drejtën nuk mund të vlerësohen e përcaktohen nga lloji i bukës që ka ngrënë para dyzet vitesh.

Po të ishin këto kriteret e vlerësimit të sjelljeve të njerëzve, atëherë kushdo mund të shpikte një pretekst për të justifikuar shkeljet e ligjit.

Më bëri përshtypje një mjek me emrin B. Jakaj, i ftuar në “Dritare TV”, i cili, përveç disa pohimeve të drejta që bëri lidhur me rastin në fjalë, hiqej si ekspert i asaj çfarë ndodh në Perëndim me shkelësit e ligjit, duke pohuar se: “Në vendet perëndimore, në Evropë nuk të nxjerr kush jashtë, edhe po të nxorën të japin më shumë se të takon. Pse nuk shohim ne njerëz të përlotur në këto vende?…”

Paraqitja e Perëndimit në mënyrë idilike për shumë gjëra, kryesisht nga njerëz që s’e njohin fare atë, është ende në modë në Shqipërinë tonë. Përpjekja për t’i paraqitur zyrtarët shtetërorë të perëndimit të përlotur nga keqardhja, të mallëngjyer sa herë iu duhet të veprojnë kundrejt ligjshkelësve, është një nga mashtrimet e shumta që i bëhen popullit shqiptar paprerë nga politika dhe shërbëtorja e saj e nënshtruar, masmedia.

Së pari, shumicës dërmuese të popullit në ato vende as që iu shkon në mendje të pushtojnë tokat apo banesat e huaja dhe as të ndërtojnë pa leje, pasi e dinë të sigurt veprimin e ligjit dhe shtetit mbi ta. Nëse ndodh një gjë e tillë fajtorët ndëshkohen nga gjykatat dhe banesa prishet, madje duke iu ngarkuar shpenzimet e prishjes vetë ndërtuesit.

Mikun tim M.K., që jeton në Perëndim, s’e lejuan të hynte në shtëpinë e ndërtuar me leje derisa riparoi shkallët e brendshme pasi i kishte bërë 3 cm më të larta se e lejonte Kodi i Ndërtimit. Në mediat perëndimore mund të gjesh mjaft raste të prishjes së plotë të ndërtesës pa leje apo prishje të murit anësor të saj vetëm pse pronari e ka bërë 70-80 cm më të gjerë ndërtesën nga projekti i miratuar.

Më shumë se ç’të takon nuk të jep kush askund, përveç rasteve të bujshme korruptive.

Dhe tani, le të shohim anën tjetër të medaljes. Deri këtu besoj se e kemi të qartë se Nënë Liza (si simbol i gjithë zaptimeve dhe ndërtimeve të paligjshme të kryera në Shqipëri), është një ligjshkelëse dhe, me kriteret e një shteti ligjor, asaj i prishet banesa dhe nuk përfiton as dëmshpërblim.

Në katrahurën tridhjetë vjeçare të zhvendosjesve të popullsisë brenda vendit, zaptimit të pronave dhe ndërtimeve pa leje, përveç individëve, autorë të drejtpërdrejtë të shkeljes së ligjit, një përgjegjësi edhe më të madhe se ata mbajnë politikanët kryesor shqiptarë të të gjithë krahëve.

Nëse qytetari është përgjegjës vetëm për veprimet e veta, politikani që kërkon të bëhet (dhe realisht bëhet) përfaqësuesi ynë, udhëheqësi ynë dhe mbrojtësi ynë, ka një përgjegjësi shumë herë më të madhe morale, politike dhe ligjore për lejimin dhe, akoma më keq, për nxitjen e shkeljeve të tilla masive të ligjit.

Nëse njerëzit zhurmëmëdhenj dhe punëpakët që morën përsipër qeverisjen e vendit pas 1990 do të kishin qenë të përgjegjshëm, “Nënë Lizat” do të vinin nga periferia në zonat kryesore urbane vetëm duke blerë prona dhe duke ndërtuar sipas ligjit.

Nëse qeverisjet, kryesisht e sotmja, vendosën t’i legalizojnë (ta bëjnë të paligjshmen të ligjshme) të gjitha zaptimet dhe ndërtimet e kryera, atëherë këtu nuk mund të përjashtohet asnjë “Nënë Lizë”.

Në këtë kuptim nënë Liza është një fajtore e cila duhet shpërblyer me drejtësi dhe pa vonesë. Ndërkohë që nuk kuptohet përse ka ende ndërtesa të palegalizuara kur ne kemi parë shumë herë Kryeministrin Rama duke dorëzuar dokumente legalizimi.

Aspekti tjetër mjaft i rëndësishëm është: Ç’janë këto projekte dhe ndërtime për të pastrehët e tërmetit tani, pas gati dy vjet e gjysëm nga ndodhja e tij?! Përse zgjidhen si vende ndërtimi hapësira tashmë të banuara, prishja dhe rindërtimi i të cilave rrit ndjeshëm shpenzimet buxhetore të shtetit, kur mund të zgjidheshin hapësira të pabanuara dhe, ndoshta, me tokë shtetërore?!

Çfarë faji kanë shumica e shqiptarëve, që nuk kanë shkelur asnjë ligj, që paratë e taksave të tyre të përdoren për dëmshpërblimin e ligjshkelësve?!

Duke vepruar si deri tani, politika shqiptare ka krijuar dy lloje qytetarësh: shqiptarin ligjzbatues i cili, edhe të drejtat e veta (siç është kthimi i pronës së trashëguar) i kërkon nëpërmjet rrugëve ligjore, dhe shqiptarin “e fortë”, ligjshkelës, i cili atë që dëshiron dhe që s’i takon e kërkon dhe e realizon duke mos përfillur asnjë ligj.

Shteti modern dhe ligjor krijohen duke respektuar qytetarin e llojit të parë dhe duke iu bërë pengesë të dytit.

Fatkeqësisht, qeveritë shqiptare kanë qenë kryesisht në krah të qytetarit ligjshkelës, prandaj edhe numri i këtyre lloj qytetarësh sot është tmerrësisht dhe dëshpërimisht i madh. Zaptuesit të pronave dhe ndërtuesit pa leje i legalizohet vepra e tij, madje me pompozitet dhe ceremonira, ndërsa trashëgimtarit të pronës i nxirren dhjetëra pengesa.

Ndërsa qeverisja berishiste i detyroi pronarët të bënin greva dhe ushtroi dhunë ndaj tyre, qeverisja aktuale i ka penguar dhe i pengon pronarët e vërtetë të marrin pronat e veta, me veprime “të buta” dhe të kundërligjshme, siç janë pengesat e nxjerra nga ATP-ja dhe grenzat e institucionit të Avokatit të Shtetit, të cilët në mjaft raste ua zgjasin pa fund kthimin e pronave duke apeluar apo rekursuar pa asnjë argument ligjor vendimet e gjykatave që iu kthejnë pronat trashëgimtarëve.

Kryeministri pret në zyrë ligjshkelësit, por nuk e kemi parë të takojë apo t’iu zgjidhë hallin pronarëve realë. Duket që takimi me këtë kategori nuk është në agjendën e tij.

“Të fortët” tjetërsojnë pronat shtetërore dhe private dhe proceset penale zgjasin pambarim. Rrjedhimisht, ne sot nuk shohim në burg asnjë nga ligjshkelësit, ndërsa pronarëve realë iu duhet të presin thuajse një dekadë derisa gjyqet maratonë të përfundojnë ecejaket nga njëra gjykatë në tjetrën.

“Luftëtari ” i madh i korrupsionit z. Lulzim Basha, që pret mbas derës për t’u bërë kryeqeveritar, thërret sot në tryezat e ” luftës kundër korrupsionit ” ish – zyrtarë të tij si Fran Frrokaj, i dënuar nga gjykata me 4 vjet burgim pikërisht për korrupsion dhe falsifikime dokumentesh në veprimtaritë kriminale të tjetërsimit të pronave.

Në këto kushte, sjellja e qeverisë kundrejt shtetasve që do iu merren pronat në lagjen “5 Maji” të Tiranës nuk është fare normale. Qeveria është dashur të bënte studimin e hollësishëm, të përcaktonte fondet dhe mënyrat e dëmshpërblimit për shpronësimet, të nënshkruante kontratat përkatëse me individët e shpronësuar dhe pastaj të niste procesin e prishjes së banesave.

Në shtetin e shekullit të 21-të nuk mund t’i kërkohet qytetarit t’i besojë verbalisht shtetit apo “t’ia dhurojë” shtetit pronën dhe pastaj shohim e bëjmë. Në shtetin modern vlejnë vetëm kontratat e shkruara (verba volant, scripto manent *) dhe jo fjala e besës sipas Kanunit.

Shpronësimet nuk mund dhe nuk duhen bërë as sipas orekseve të pronarit dhe as sipas tekave qeveritare por thjesht dhe vetëm sipas çmimeve të tregut, qoftë për tokën, ashtu edhe për banesat.

Prandaj, sot ne kemi dy mëkatarë përballë njëri-tjetrit: “Nënë Lizat” dhe qeverisjet shqiptare. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis tyre bëhet vetëm me marrëveshje të shkruara dhe transparente, përndryshe mëkatet do të vazhdojnë dhe prej tyre do ta pësojë vetëm “populli jomëkatar”.

****

*Verba volant, scripto manent – (lat: Fjalët i merr era, shkrimi mbetet)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *