2 Shkurt, 2023

Të gjithë në rresht para Klodit të “Spitalit Amerikan”

 Të gjithë në rresht para Klodit të “Spitalit Amerikan”

Nga Adriatik Doçi

Klodian Allajbeu blen Autoritetin e Konkurrencës?! Si u fshehën të dhënat për të mbuluar kapjen e tregut spitalor nga oktapodi i monopoleve

Disa fakte dhe veprime komprometuese konfirmojnë influencën korruptive të oligarkut Klodian Allajbeu mbi institucione publike, me qëllim për të mbuluar veprimtarinë e tij grabitqare dhe për t’i shpëtuar ndëshkimit për kapjen e tregjeve të caktuara, kontratat e dyshimta koncesionare, kartelet, tenderat klientelistë, zaptimin e pronave publike, ndërtime të paligjshme dhe një sagë dallaveresh të kamufluara, me të njëjtin qëllim: Pasurimin duke zhvatur shqiptarët.

Me vendim të datës 23 shtator 2021, Autoriteti i Konkurrencës, i cili u hoqi gjobën 5 milionë euro kartelit të miellit, vendosi mbylljen e hetimit për tregun e shërbimit spitalor në Shqipëri. Krahas mbylljes së hetimit pa masa ndëshkuese, përqindja në shifra që mbulon Spitali Amerikan i ‘oktapodit’ Klodian Allajbeu në këtë treg, çuditërisht ishte censuruar, duke u zëvendësuar me “XX%”.

Autoriteti i Konkurrencës është organi publik që si kolonë të veprimtarisë së tij ka pikërisht mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg. Publikimi i shifrave për përqindjen e shërbimit që mbulon një kompani në treg është tregues nëse shërbimi është ose jo monopol i kompaninë, duke deformuar konkurrencën e lirë. Si i tillë, ky informacion është elementi kryesor i transparencës dhe baza e një raporti për një shërbim të caktuar, në rasatin konkret të shërbimit spitalor, ndarë në shërbimin e dializës për të sëmurët me veshka, kardiologjisë etj.

Pikërisht ky informacion themelor u fsheh nga Autoriteti i Konkurrencës, duke u kthyer kështu në ‘Autoriteti i Klod Allajbeut’.

Nisur nga ky akt skandaloz dhe komprometues, iu drejtova me një shkresë zyrtare Autoritetit të Konkurrencës, duke i kërkuar raportin e pacensuruar, në bazë të nenit 23 të Kushtetutës dhe ligjit për të drejtën e informimit.

Në 15 tetor të vitit 2021, Autoriteti i Konkurrencës, kthen përgjigje, duke refuzuar informacionin e kërkuar, me pretendimin se të dhënat mbi kapjen e tregut spitalor nga Klod Allajbeu, janë sekret tregtar, në zbatim të nenit 30, të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Baza ligjore e alibisë qesharake ishte gjithashtu qesharake.

Në këto rrethana, iu drejtova Komisionerit Publik për të ‘edukuar’ Autoritetin e Konkurrencës për të njohur Kushtetutën dhe ligjin për të drejtën e informimit. Komisionerit Publik, me vendim të datës 19 tetor 2021, i kërkoi Autoritetit të Konkurrencës të argumentonte deri në datë 26 tetor 2021, se pse kërkonte t’i fshihte të dhënat për Klod Allajbeun.

Në këto pozita dhe për të evituar një përballje gjyqësore, e cila do t’i diskreditonte në sytë e opinionit publik si ushtarë të oligarkut, krerët e Autoritetit të Konkurrencës më dërguan raportin e pacensuruar.

Përmbajtja e vendimit nuk lë vend për dyshime: Klodian Allajbeu ka kapur shërbimin e dializës, përmes kontrollit të Spitalit Amerikan dhe kompanisë DIA VITA e kamufluar nga një kioskë në Berat deri në Holandë.

Vendimi mbyllet me disa rekomandime për Ministrinë e Shëndetësisë dhe degët e saj për t’i hequr nga duart oligarkut Klod Allajbeut këtë monopol, me kosto për xhepat e shqiptarëve.

Nga ana e saj, Ogerta Manastirliu, po ‘reflekton’, duke kaluar në llogaritë e Klod Allajbeut dhjetëra milionë euro nga paratë publike, përmes procedurave me hije të theksuar korrupsioni.

Allajbeu, me anë të kompanive që kontrollon në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, ka kapur edhe shërimin e furnizimit me maska mbrojtëse. Mbi 10 milionë USD ka marrë vetëm përmes tre tenderave të dyshimtë, me garë formale dhe pa garë fare, por gjithnjë me ofertë gati sa fondi limit.

Manastirliu dhe çeta e saj, pothuajse e gjitha me dosje penale në SPAK, i ka dhënë Klod Allajbeut 1 milionë euro pa bërë asgjë. Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, paratë e shqiptarëve kanë kaluar në xhepat e oligarkut, përmes koncesionit abuziv me vlerë 80 milionë euro për shërimin e hemodializës. Para gjithë kësaj panorame vjedhjeje SPAK vijon të mbyllë sytë!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *