9 Dhjetor, 2023

Në Përmetin e glikove të famshme, që tashmë janë kthyer në markë

 Në Përmetin e glikove të famshme, që tashmë janë kthyer në markë

Në ciklin e emisioneve: Shqipëria që prodhon, këtë herë Rudina Xhunga ju njeh me glikotë e Përmetit. Gazetarja ka shkuar në Përmet dhe e shoqëruar nga Alma Hoxha, kryetaja e Bashkëse së Përmetit ka bërë xhiron e shtëpive të glikove dhe mandej të punishteve e lagjes së glikove, me një qëllim; të promovojë traditën e Përmetit që tashmë është kthyer në markë të qytetit.

Glikotë e gjysheve, tani bëhen nga nënat dhe mbesat dhe nxirren në treg. Kush shkoi ne Përmet dhe nuk provoi një gliko para kafesë, kush nuk bleu një suvenir ta marrë me vete! Tanime glikoja nuk është vetëm tradite, është markë, ka hyrë në treg dhe është biznes e fitim nga tradita.

Alma Hoxha: Shumë faleminderit Rudina që jeni në Përmet. Kur po bisedonim para disa ditësh menjëherë mu kujtuan takimet e para që keni bërë në Përmet, emisionet për turizmin dhe besoj që edhe ju e patë se sa shumë ka ecur turizmi në qytetin tonë.

Rudina Xhunga: E pabesueshme!

Alma Hoxha: Atëherë kur flisnit ju, edhe mua më dukej ëndërr. ‘Çfarë thotë Rudina?”,mendoja me vete. Sot, kemi ecur shumë por e dimë se sa shumë rrugë kemi ende për të bërë, për të arritur atje ku duhet. Shumë faleminderit që keni ardhur të bëni një emision për glikonë. Përmeti identifikohet me glikonë. Ne sot pamë përgatitjen e glikosë së shalqirit, por ne quajmë mbretin e glikove, kaçkën.

Rudina Xhunga: Kjo është kaçka, arrë e re e mbushur me bajame. Ajo që ju keni traditë, tashmë po kthehet në biznes.

Alma Hoxha: E vërtetë. Shumë vite më përpara, as që e çonim në mendje.

Glikotë e Përmetit, tradita që po kthehet në markë!

Rudina Xhunga: Nuk e di çfarë bëje ti në vitin 2010 në Përmet, me çfarë merreshe atë kohë?

Alma Hoxha: Unë kam qenë mësuese. Kam punuar për shumë kohë në arsim, kam qenë drejtuese e arsimit, dhe pas kësaj erdha në krye të bashkisë së Përmetit. Është një punë krejt tjetër, por arsimi të ndihmon shumë, të bësh edhe bashkinë. Dhe po të më pyesje se cila ka qenë puna që kam bërë me më shumë zemër, dhe më e vështira gjithashtu, përgjigja do të jetë arsimi. Megjithatë të dyja kanë qenë të bukura, nuk i ndaj nga njëra-tjetra.

Rudina Xhunga: Ndërsa unë në 2010 vija në Përmet dhe stafi i Top Channel që më shoqëronte atëherë, sapo ndaluan në qendër të qytetit, thanë po këtu pse na solle. Sepse ne shkonim në qytetet e mëdha, flisnim për turizmin. U thashë që ju solla sepse ky është një qytet që do të prodhojë turizëm.

“Po kur?”-, thanë ata.

“Një ditë”,-u thashë. Dhe ja, erdha në këtë ditë që ky qytet e prodhon turizmin.

Alma Hoxha: Dhe ta mendosh që atëherë e promovonit Përmetin mes shumë qyteteve të mëdha. Përmeti ishte i vetmi qytet i vogël që ju filluat ta promovonit.

Rudina Xhunga: Jam shumë e lumtur që këtë qytet, në këtë moment e drejton një mësuese, sepse nuk ka ish-mësues. Je mësuese gjithë jetën, një mësuese që ka kaq shumë dashuri dhe direkt të çon te zemra e gjërave.

Alma Hoxha: Unë jam rritur në këtë qytet dhe Përmeti është i dashur, jo vetëm për Përmetarët, por kushdo që vjen në Përmet dashurohet dhe vjen përsëri. Kjo është ajo që ne kemi arritur deri me tani, që një turist ta rikthejmë përsëri dhe të qëndrojë më gjatë. Çdo kush që vinte, qëndronte vetëm një natë sepse nuk kishte çfarë të bënte më shumë në Përmet. Sot të gjithë operatorët turistikë të ofrojnë mundësi të ndryshme. Në Përmet mund të bësh rafting, ecje me kuaj, ecje nëpër male, të hash gliko.

Rudina Xhunga: Jo vetëm të hash gliko, por edhe të bësh gliko. Sepse kjo është një turizëm më vete.

Alma Hoxha: Në këtë zonë industrial të qytetit, dikur kishim 2 punishte glikosh, tani janë shtatë.

Glikotë e Përmetit, tradita që po kthehet në markë!

Rudina Xhunga: Kjo është bërë lagja e glikove.

Alma Hoxha: Unë e quajta zonë industriale, ndërsa ju e thatë më bukur, lagja e glikove.

Rudina Xhunga: Nuk e ka kështu emrin, por kështu do ta quajmë tani.

Nje dite Përmeti do te ketë Festën e Glikosë, do të sfilojnë aty të gjitha llojet se ky qytet dhe gurin e bën gliko. Pastaj do të ketë Festën e Barbarosës, sepse nuk ka shtëpi e avlli pa barbarose dhe gkikoja e do pak për aromë. Përmeti i muzikës, i zemres se mirë dhe duarve të arta, ka ndryshuar sa nuk njihet, por një gjë eshte si ngahërë, glikoja, simboli i qytetit qe një ditë do të vije në çdo qytet, çdo kafe e restorant dhe do serviret si nga duart e gjysheve përmetare. I ëmbël qoftë Përmeti, ngaherë

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *