29 Nëntor, 2023

Në mes të berishizmit dhe putinizmit, fuqia e shërbimeve të fshehta në karrierat politike të vendeve ish-komuniste

 Në mes të berishizmit dhe putinizmit, fuqia e shërbimeve të fshehta në karrierat politike të vendeve ish-komuniste

Nga Bedri Islami

Në perandorinë e frikshme që sundoi Lindjen në më shumë se pesë dekada, nga cepat e largët të Siberisë, deri në përplasjet shkëmbore të Jonit, herë pas here, në sipërfaqen e saj, ndoshta shumë të rrallë, ndryshe nga egërsia e pararendësve apo pasuesve, dilnin liderë që kishin në vete diçka më liberale, më të hapur dhe që nuk ishin të frikshëm. Në Rusi u shfaq i tillë një figurë që do të kishte shkëlqim të shkurtër, Gorbaçovi, në Shqipëri hija e tij do të ndjehej te Ramiz Alia. Me këtë të fundit mund të bisedoje edhe gjëra të mbyllura që pak vite më parë do të ishin thellësisht heretike, megjithëse asnjëherë nuk do të mund të ishe i bindur nëse këto janë gjurmët e një të ardhme ndryshe.

Një përfaqësues i lartë klerik perëndimor, i cili erdhi në Shqipëri nga Rusia, në takimin me Ramiz Alinë, mes të tjerave, i tregoi edhe bisedën me Gorbaçovin, dakordësinë për lojën që do të ndiqnin dhe e pyeti, nëse ai, Ramizi, mund të luante të njëjtën lojë si edhe lideri rus.

-E luaj edhe më mirë se ai, u përgjigj presidenti shqiptar dhe pas syve i shkëlqej një dritë e habitshme.

Por, shumica e liderëve komunistë ishin dogmatikë, si ishte në natyrën e tyre, e ruajtën frymën agresive , për më tepër, edhe kur vendet e tyre ndërruan kursin, duke e transferuar mendësinë edhe në pasuesit e tyre. Në Rusi Putini krijoi rrymën e tij politike, putinizmin; në Shqipëri, ngjashëm me të, Berisha krijoi në krejt pak vite rrymën agresive në politikë, tejet e pranishme edhe sot, berishizmin.

Ka disa gjëra të përbashkëta mes tyre.

Si njëri, ashtu edhe tjetri vinin nga radhët e komunistëve fanatikë, konservatorë, të devotshëm ndaj komunizmit dhe adhurues të pushtet mbajtësve. Putini, njeriu i KGB, që u shndërrua në diplomat të fshehur, hyri në politikën ruse në një moment krize, ndoshta më të rëndën në periudhën pas sovjetike, Çeçeninë, dhe e dinte se ky ishte guri i tij i provës dhe rruga e domosdoshme drejt pushtetit. Ai vendosi dhunën si zgjidhje, e praktikoi atë deri në detaje, krijoi qeverinë kukull dhe zgjodhi kuislingët e domosdoshëm si gjymtyrë të pushtetit të tij. Çeçenia ishte prova që ai dha , në të njëjtën kohë dëshmia e njeriut që u ngjit në Kremlin përmes forcës më të madhe politike sunduese, KGB-së, besnik i oligarkisë së vjetër politike, duke krijuar në të njëjtën kohë edhe oligarkinë financiare rreth tij, e cila, qoftë edhe pa vullnetin e saj, në më të shumtën e rasteve vullnet plotë, mbështeti e vazhdon të mbështet rrugën e Putinit. Krimea ishte sinjali i tij drejt Perëndimit, prova e forcës në ndeshjen e ardhshme, pikërisht në këtë që po ndodh në Ukrainë.

Berisha ishte po ashtu, komunist fanatik dhe dishepull i komunizmit. Ishte e vetmja rrugë që zgjodhi ai për të qenë pjesë e elitës, qoftë edhe e nivelit të dytë, e cila priste të merrte pushtetin, por që nuk e kishte menduar kurrë në përmbysjen e sistemit. Besnik i asaj që i ishte betuar, i aftë për të gjetur veten në sipëroret e bijve të etërve të politikës izolacioniste, ai gjeti dhjetorin për të qenë primari i lëvizjes studentore, më shumë i deleguar se sa i vetëdijshëm, lëvizje, të cilën, pak kohë më pas e përmbyti në të gjithë strukturat e saj. Nëse Putini dihej se kishte qenë dhe vazhdonte të ishte njeriu i punëve të fshehta, Berisha gëzoi dhe gjeti që në fillim mbështetjen e grupimeve dhe elementëve që kishin pasur lidhje me një tjetër shërbim të fshehtë të fuqishëm, atë serb, që, po ashtu si KGB-ja, ishte një strukturë e fuqishme politike e pushtet mbajtëse, jashtë së cilës nuk mund të bëhej asnjë lëvizje politike apo transformuese. Fakt është se tani, në arkivat e shtetit shqiptar, të gjitha dosjet e bashkëpunëtorëve të shërbimit të fshehtë serb janë zhdukur, ato nuk ekzistojnë, ndërkohë që shumë ish të dënuar pikërisht për këtë veprimtari, e gjetën veten në ujërat e tyre në pushtetin presidencial të  Berishës. Zërat e mëvonshëm, apo akuzat e bëra në parlament, nga deputetë të së majtës politike, për lidhjet direkt të Berishës me  sigurimin e shtetit shqiptar, roli i tij denoncues në gjyqet politike, militantizmi i skajshëm, apo edhe më tej, ndërlidhja e punës së tij me shërbimin e fshehtë serb, aq sa janë të besuara, aq edhe kanë enigmën e tyre.

Të dy rrymat politike, pavarësisht hapësirës gjeografike të ndryshme, kalojnë dhe mbeten në përmbajtjen e tyre të njëjta, agresive në formë dhe kaotike në përmbajtje; me dominime të politikës halucioniste, të papërmbajtura në shpërthimet e tyre dhe delirante, por gjithnjë të rrezikshme.

Ata kanë tani një armik të përbashkët, Shtetet e Bashkuara; përmes tij mendimin e lirë dhe sovran, duke u fshehur pikërisht pas “sovranitetit” të rremë dhe absurd. Për to, shpesh herë, në mos gjithnjë, ka qenë e pamundur të konceptohet liria si e drejtë themelore, e aq më pak të mbështetet mendimi i lirë. Putini është njeri i rrezikshëm edhe për shkak të arsenalit që ka ende në dorën e tij, agresivitetit deri në çmendje, si ndodh aktualisht në Ukrainë; ai është i gatshëm të ndezë të gjithë butonat e luftës për hir të pushtetit dhe krijimit të ish shtetit sovjetik, të krijojë me patjetër Gulagun e tij, çka i risjell kohët e dikurshme të pushtetit të hapur të KGB-së. E ka të pamundur të shkëputet nga kjo mendësi, sepse në genin e tij, më parë se të futej civilizimi, është e pranishme, më shumë se asnjëherë që nga shembja e perandorisë të së Keqes,  statuja politike e sunduese e stalinizmit. Putini drejton Rusinë përmes tri instrumenteve: oligarkisë ushtarake, oligarkisë financiare dhe oligarkisë së bandave mafioze. Duke qëndruar si monark sipër tyre, me spektrin e pushtetit në dorë dhe fuqinë që të sjell ai pushtet, Rusia është bërë prej kohe shteti i sundimit të një njeriu mbi gjithë strukturën e shtetit, duke kaluar nga periudha e Jelcinit, si një “ vodkë” politike e përzier me ujë, në krijimin e kopjes së Stalinit, e cila edhe pse nuk “ mustaqet” e tij, pra sundimin absolut, përsëri është tejet e fuqishme për të përmbysur një vend, e për fat të keq, duke tentuar të përmbysë botën.

Berisha nuk ka hapësirë të tillë, por shëmbëlltyra është e habitshme. Ka bërë 30 vite jetë politike, duke mbushur kupën për të qenë në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit. Si president, duke u përbetuar për demokracinë e munguar, ngushtoi lirinë, e solli rishtas në kornizën e sistemit të shkuar, krijoi menjëherë modelin e presidentit autokrat, duke shkuar drejt vendosjes së një neodiktature politike, që kulmoi në majin e vitit 1966, si grusht brenda shtetit të së drejtës, për të mos e marrë më veten. Ashtu si Putini po thërret në ndihmë vasalët e tij nga Çeçenia, thuajse njëjtë, për të shtypur një revoltë lirie, Berisha mobilizoi shumë nga besnikët e tij veriorë, për të sulmuar jugun dhe vendi shkoi në dyert e luftës civile. Më shumë se 4000 mijë të vrarë janë dëshmia e marrëzisë së ethes pushtetore. Ballkani i vogël ka pasur gjithnjë epshin e diktatorëve të rrezikshëm, të ashpër dhe agresivë, qoftë edhe në një sistem pluralist, nga kjo ethe nuk shpëtoi as Shqipëria, pikërisht kur duhej të merrte frymë më lirisht se asnjëherë tjetër.

Berisha u mbështet edhe ai, në krijimin e oligarkisë të pushtetit të tij. Fillimisht përmes shërbimit të fshehtë, ku vendosi alter egon e tij, Gazideden, duke krijuar hibridin e egërsuar të Sigurimit të Shtetit me Shërbimin Informativ, që veç emrin kishin ndryshe, por egërsinë dhe kontrollin mbi jetët njerëzore synuan ta kishin të njëjtë; më pas, në pak vite, u krijuan fillesat e oligarkisë financiare, përmes teorisë Zero dhe Çekut të Bardhë – që tani vendosin mbi ecurinë e pushtetit, dhe bandat e frikshme mafioze, që tani kanë fituar të drejtën e “ qytetarisë”.

Berisha ka edhe ai luftën e tij, vitin 1997, ashtu si ka edhe humbjen e tij : ishte presidenti i parë në pluralizëm , i cili u detyrua të largohej nga selia presidenciale nga revolta masive e njerëzve, të cilët, edhe sot e kësaj dite, pa mësuar asgjë nga e djeshmja, i mbiquan “ bandat komuniste”.

Si kryeministër, sidomos në pjesën e dytë të mandatit të tij, ai lejoi fuqizimin e oligarkisë financiare, duke e bërë pjesë të politikës dhe krijuar hapësirën e duhur për të shkuar akti i tyre edhe drejt tragjedive, si ajo e Gërdecit, në të cilën familja e tij ishte e përfshirë deri në detaje. Pasuria e fëmijëve, krijuar sidomos në këtë periudhë të kujton pasurinë e vajzave të Putinit, që e shfrytëzuan autoritetin e babait për të ngritur një perandori përrallore të pasurisë, duke patur lidhje të ndjeshme , jo vetëm me pushtetin, por edhe me oligarkinë financiare ruse dhe krerët e njohur të bandave të mëdha, të cilët kanë në duart e tyre pasuritë kombëtare ruse. Familja Berisha aq i kishte hapësirat, aq bëri, por ngushtuan lirinë dhe qeverisjen, duke e kërkuar pushtetin të përjetshëm dhe kjo solli 21 janarin. Një burrë shteti, qoftë edhe normal, pas 21 janarit duhet të kishte bërë të vetmen gjë normale: largimin e pakthyeshëm nga pushteti, marrjen me vete të ndihmësit të tij qeveritar dhe bashkautor në krim, i cili edhe sot e kësaj dite duke qenë në selinë presidenciale ka shpallur luftën e tij kundër Shteteve të Bashkuara, megjithëse më shumë ngjan si Sanço Panço, se sa një Don Kishot modern. “Sovranistët” tanë pushtetarë janë kopjet e këqija të “sovranistit” të Kremlinit, dhe do të jenë po aq humbës sa edhe ai.

Ndoshta mund të jetë element për të studiuar vetëdijen njerëzore fakti që pasuesit medialë më të zëshëm të Berishës në veçanti, dhe të berishizmit në përgjithësi janë në të njëjtën kohë, ose më saktë, shfaqen vrullshëm si antiamerikanë dhe përkrahës të luftës së Putinit. Ende pa filluar lufta në Ukrainë, ata ishin përçues të këtij mendimi autokrat dhe agresiv, të fshehur si sovranist, kur vetë prej kohe nuk kanë asnjë farë mëvetësi politike apo vetjake. Si mediat e njohura putiniste, ta zëmë Sputnik, në portalet e krijuara prej kohe në Shqipëri, të cilat kanë edhe hapësirën e tyre, pezmi dhe mllefi ndaj politikës liridashëse dhe afishuese të demokracisë, është aq i zi dhe i dendur, sa që të kujton kur etërit apo gjyshërit e tyre, dhe vetë Berisha, ishin pjesë e luftës ndaj Perëndimit si vlerë dhe mendësi bashkëjetese.

Është e natyrshme, por edhe fat që berishizmi në Shqipëri, nuk ka as forcën dhe as arsenalin e sivëllait të tij politik rus. Por nostalgjia mbetet, edhe kur ajo është në selinë presidenciale, edhe kur frymon në foltoret e politikës, ashtu si mbetet edhe agresiviteti politik e jo vetëm politik.

Ndoshta është pikërisht kjo përshfaqje e dhimbshme që, sadopak fsheh dhe na duket  e durueshme qeveria e tanishme.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *