2 Shkurt, 2023

Në mëngjes ata, në drekë ata, në darkë ata, në pritje të shtatorit…

 Në mëngjes ata, në drekë ata, në darkë ata, në pritje të shtatorit…

Nga Bledi Lumani

Ngrihesh në mëngjes e hap TV apo portalet për të parë mos largqoftë ka ndodhur gjësendi kur ke qenë në gjumë, të dalin ata, njëri duke bërë ndonjë shëtitje majë biçikletës a ecje nga Liqeni, tjetri me denoncimet e “qytetarit digital” që në pikë të sabahut.

Shkon në punë dhe kur ke kohë hedh një sy nga telefoni çfarë ka ndodhur, prapë ata, tani jo më një apo dy lajme, por në breshëri, tre, katër, pesë, gjashtë, nga secili.

Kthehesh nga puna dhe hap TV për t’u relaksuar paksa, prapë ata.

Shkon të flesh po s’të zë gjumi se vapë bëj hesapi, e hap TV, prapë ata, herë vetë, herë gruaja, dhëndri, djali, nusja, për të mos folur për pagatorët e tyre, që të duket se do t’i hedhin aty brenda tek dhoma e gjumit stërklat e pështymës, nga marrazi me të cilin i mbrojnë nga akuzat që i kanë sa një mal.

Epo ditë e re, lajm i ri thuhet, por në fakt është i njëjti avaz, përditë e përditë.

Dhe të mendosh që personazhet e kësaj marrëzie kolektive, janë llumi i llumit, që kanë vrarë, vjedhur, spiunuar, shantazhuar e bërë gjithfarë pisllëqesh hapur fare, madje edhe duke u krenuar nëpër banaqe televizive.

Epo mirë thamë, tani që u shpallën non grata e iu dolën dosjet, të paktën do zënë ndonjë cep e nuk do ndihen më, dhe ne do biem në qetësi e nuk do na fanepsen më mëngjes, drekë e darkë, se për t’u dënuar nuk bëhet fjalë!

Por me sa duket e paskemi pasur gabim!

Jo vetëm që nuk u strukën nga turpi e frika, por tani nuk shkulen më nga ekranet jo se jo, por thonë se do bëjnë namin në shtator, meqë në gusht njerëzit janë me pushime.

Deri atëherë, do duhet t’i durojmë, mëngjes, drekë e darkë.

Në shtator pastaj, kushedi, ndoshta dhe Arbeni i SPAK-ut kthehet i ftilluar nga pushimet!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *