9 Qershor, 2023

NBC News dhe reportazhi për afganët në Shqipëri

 NBC News dhe reportazhi për afganët në Shqipëri

Transmetuesi amerikan NBC News, ka publikuar një reportazh të afganëve që jetojnë në Shqipëri, duke intervistuar një studente afgane dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“Resortet verore përgjatë bregdetit shqiptar mirëpritën papandehur me qindra të ftuar – refugjatë afganë”, shkruan fillimisht NBC News.

Ata u larguan fill pasi talibanët morën në dorë vendin gjatë muajit gusht.

Kjo, pasi trupat amerikanë revokuan trupat e tyre ushtarake nga Kabuli.

“Ne e kemi të pamundur të jetojmë atje, sepse ata na janë vënë nga pas”, rrëfen Marwa Dashty, e cila gjendet në Tiranë.

Studentja 18-vjeçare afgane, tregon më tej se babai i saj Fahim Dashty – kryetari i Unionit Kombëtar të Gazetarëve në Afganistan – mbeti i vrarë gjatë një atentati në muajin shtator.

 

Edi Rama

“Ne u dhamë një disponueshmëri, me mendimin e arsyeshëm të asaj çka mund të bëjmë”, nënvizoi fillimisht kryeministri shqiptar për transmetuesin amerikan.

Rama ravijëzoi se zgjedhja për të mos i dërguar refugjatët afganë nëpër kampe ishte sepse “ne refuzojmë të ndërtojmë diçka të tillë”.

Këto të fundit, sipas kryeministrit, janë dehumanizuese dhe përçarëse për komunitetin.

“Ne nuk e bëmë për të drejtpeshuar çfarë është e drejtë apo jo, thjesht sepse këta jemi ne”, theksoi Rama gjatë intervistës.

Gjatë bisedës me transmetuesin amerikan, kryeministri ka treguar më tej se banorët e zonës kanë shprehur aprovimin e tyre për strehimin e refugjatëve afganë nëpër hotele.

 

NBC News bën një kredhje në të kaluarën për të sjellë në vëmendje se si u detyruan të zhvendosen 1 milion banorë, për shkak të luftës në Kosovë gjatë viteve ’90-të.

“Sigurisht që atdhesimi i katër mijë personave nuk do të shërbejë për të zgjidhur të gjitha problemet, por nuk është një shifër e vogël për një shtet të vogël si Shqipëria”, tha në vijim të fjalës së tij Rama.

Gjesti humanitar

Sasha Chanoff, themeluesi dhe CEO i organizatës humanitare, RefugePoint (Pikënisja e Refugjatëve) pohon se Shqipëria ishte shteti i parë në botë që doli haptazi për të mirëpritur të evakuaarit afganë.

“Kushtet në të cilat po jetojmë në Shqipëri janë shumë të mira, jemi shumë të lumtur dhe mirënjohës”, u shpreh më tej Dashty.

Studentja afgane dëshmon se si halla e saj e cila zotëron një green card amerikane gjendet në Gjermani prej tre muajsh dhe jeton në kampe me tenda.

 

Ndërkaq, Chanoff vëren se kjo pritje e afganëve për t’u riatdhesuar do të kthehet në një bumerang psikologjik për ta.

Në përmbyllje Dashty pranon se ëndërron të kthehet një ditë në shtëpinë e saj, si të gjithë refugjatët afganë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *