2 Prill, 2023

Na iku jeta duke u marrë me Saliun

 Na iku jeta duke u marrë me Saliun

Nga Edona Llukaçaj

11 Dhjetori ishte si një udhëtim në kohë për të cilin nuk besoj se shqiptarët i kishte marrë fort malli. Ashtu siç ishte përbetuar, ish-kryeministri Berisha ia doli të mbledhë Kuvendin e Foltores në stadiumin Air Albania. Me pjesëmarrje të konsiderueshme të ndjekësve të tij, në mesin e të cilëve mund të jetë edhe shifra e përmendur e delegatëve, ai implementoi pa e ndjerë të nevojshme as të ngrejë dorën ndryshimet që kërkonte në statutin e Partisë Demokratike.

Në vijim, u shkarkuan në mungesë e pa fort mund kryetari, nënkryetarët dhe sekretari i përgjithshëm i partisë, një proces i shpejtë dhe mjaftueshëm transparent, në sinkron me organizimin e suksesshëm deri në detaje, çfarë të bën të mendosh se këtyre zotërinjve, ashtu si homologëve të tyre të kahut tjetër, nuk u mungojnë aftësitë organizative, por kur janë në pushtet, me sa duket, u qërrohet dëshira për të bërë diçka të qenësishme për këtë vend.

Në ditën e të ashtuquajturit ‘Rithemelim të PD-së’, z. Berisha mbajti edhe fjalimin e rradhës që ishte jo vetëm një përmbledhje e 27 foltoreve por edhe një ripërtypje e fjalimeve të tij ndër vite. Siç pritej, në të, nuk munguan as armiqtë e shpikur nga miqtë e vjetër, as qëndrimet e paepura me mitin e Davidit në sfond, as kërcënimi i rikthimit të Shqipërisë në kohë të errëta me sovranitet të diskutueshëm; të gjitha, të përforcuara nga unifikimin e figurës së vet prej shpëtimtari të ripërsëritur.

E ndonëse fituesi i duelit brenda PD-së nuk dihet, pasi as humbësi i përsëritur Basha, as i dorëhequri non grata Berisha nuk duan të hapin rrugë, e vërteta është se Berisha ia doli mbanë për të paktën tre muaj që të jetë sërish qendra e vëmendjes.

Diskursi populist mediokër, por që i ka bërë punë historikisht, thatësira në ide e njerëz që nuk mbizotëron vetëm partinë e tij, mungesa e zhvillimit, korrupsioni, rënia e mirëqënies që nuk justifikohen vetëm me pandemi e tërmet, ia kanë shtruar rrugën ish-kryeministrit.

Absurde, që vajza ime sot pothuajse në të njëjtën moshë që kisha unë në vitet ’90 po ‘dënohet’ të jetojë nën të njëjtin presion që jetova unë; të “uraganit të pandalshëm” që merr me vete çfarë i del përpara; detyrohet të kyçet në shtëpi si dikur unë, sepse tubimet me thirrma revolucionare mund të precipitojnë në mënyrë të paparashikueshme; e gjithashtu si unë në ’90, mund t’i duhet të mësohet edhe ajo me zhargonin poshtërues drejtuar kujtdo që nuk pajtohet me “uraganin”; e të jetojë me idenë se mbarë vendi duhet të bëhet pjesë e luftës së një individi për të pastruar emrin e vet përtej oqeanit.

E gjitha kjo jo thjesht se “liderit historik” i shkrepi të vazhdojë të bëjë histori, as sepse për pasardhës politik zgjodhi një figurë të zbehtë që mund ta drejtonte si të donte apo ta fshinte në pak javë, por sepse liderat “tanë” historikisht bezdisen shumë nga potencialet që mund t’i zëvendësojnë.

Berisha ka të drejtë – it’s the final countdown. Por jo për riciklim kultesh; për të ardhmen, na duhet një lider.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *