Mustafa Nano: Jetojmë në kapitalizëm, natyrisht që ne do marrim më shumë lekë se fukarenjtë

Shoqëria është përfshirë nga një diskutim i madh, nga njëra anë për cënimin e të dhënave personale dhe nga ana tjetër, për nivelin e pagave, të bëra publike nga rrjedhja e të dhënave. Fillimisht janari, dje lista e muajit prill.
Lidhur me këtë diskutim, analisti Mustafa Nano tha se diferencimet mes të pasurve dhe të varfërve janë të mëdha, por nëse financimet janë legale gjithçka është në rregull, por nëse nuk justifikohen atëherë është problem dhe duhen hetuar.
“Jetojmë në kapitalizëm dhe në kapitalizëm ka diferencime”, u shpreh Nano.
Z. Nano, çfarë domethënie ka publikimi I këtyre të dhënave?
Nano: Gazetarët për mua kanë bërë punën e tyre dhe sa herë tu bien në dorë duhet ta bëjnë, përveç rrethanave kur dëmtohet siguria kombëtare. Gazetarët nuk i bëj me faj. Këtu ka plasur një lloj histerie për nivelin e pagave, ky është një problem i madh. Diferenca mes të pasurve dhe të varfërve është shumë e madhe. Kemi një lloj histerie kundër atyre që paguhen shumë. Ty mund të mos të të zërë gjumi pse Ben Blushi merr aq para por nëse i ka krijuar në financime legale është ok, nëse nuk justifikohet atëherë është problem. Jetojmë në kapitalizëm dhe në kapitalizëm ka diferencime.
Kryeminsitri Edi Rama foli për një skemë destabilizimi dhe ngriti dyshime se pas saj fshihet ish kryeministri. Ju e besoni këtë skenar?
Nano: Nuk e besoj, ashtu siç nuk besoj skenarin e Bashës. Nuk e kuptoj ç’rol kanë të dhënat në manipulimin e zgjedhjeve të kaluara. Edhe Rama ka përgjegjësi në dikastere. Ekspertët thonë se me këtë që ka ndodhur është kompromentuar digjitalizimi i çdo sektor i jetës ekonomike. Nuk shoh ndonjë gjë alarmante, ka vende që i publikojnë vetë këto. Këtu ndoshta ka një ligj për këtë. Unë mendoj se çdo qytetar duhet ti bëjë transparente. Unë nuk ndihem i rrezikuar që dikush ka marrë vesh që unë marr kaq lekë në vit.
Si mendoni se po reagon shoqëria shqiptarë përballë këtyre të dhënave, a po kërkohet llogari sa duhet, tek shteti, që theu besimin e qytetarëve të tij?
Nano: Nuk shoh ndonjë reagim qytetar, këtë e shoh të pasqyruar nga puna jonë. Ndonjë reagim qytetar nëpër shoqata apo manifestime nuk kam parë, nuk besoj se mund të ketë sepse këtu potestat janë vrarë. Njerëzit këtu po ti thërrasësh për protestë mendojnë se po përdoren nga politika. Protesta e studentëve që ishte nga më të bukurat dhe u prish. Do na duhen vite për të ndodhur një protestë tjetër e bukur.
Më të paguarit rezultojnë analistë dhe njerëz të medias, a mund të jetë kjo një mënyrë për t’i goditur përpara opinionit publik?
Nano: Ka një animozitet të madh për analistët dhe gazetarët. Gazetarët dhe analistët dalin në studio dhe mbrojnë njërën palë dhe duket sikur bëjnë lojëra politike për përfitime dhe nuk e përjashtoj të ndodhë. Gazetarët marrin pjesë në treg dhe secili ka një çmim të caktuar dhe çmimi vjen prej nevojës. Nëse verifikohet që këto gazetarë paguhen për qëndrimet që mund të mbajnë atëherë këtu është gjë tjetër.
Përqëndrohemi në zhvillimet brenda Partisë Demokratike. Deri më 5 janar i kanë lënë afat Lulzim Bashës për të liruar zyrën. Çfarë do ndodhi deri në këtë datë sipas jush? Si po vepron Basha përballë këtyre ultimatumive, në gjykimin tua?
Nano: Kjo është një lojë nervash. Këto po përpiqen të testojnë nëse do ti rezistojë presionit nga jashtë. Presionet i shoh të kota. Nuk besoj që Basha do lëvizë që aty. Konfliktet zgjidhen duke negociuar. Është një kulturë që burimin e ka te Berisha. Ai krijon iluzionin që me protesta do bien nga pushteti. Këto janë kërcënime kot. Nuk kanë për ta marrë selinë, vetëm nëse ia jep gjyqi.
Mund të ketë një pol të tretë, siç thotë z. Duka dhe z. Shehu ?
Nano: Krijimi i një poli të tretë është nevojë dramatike, por nuk mund të krijohet. Shehi dhe Duka janë pjesë e kësaj politike, kanë bërë marrëveshjet e tyre. Nuk e shoh alternativën e tretë nga njerëz që i kanë përkitur këtij establishmenti dhe forca politike nuk mund të krijohet. Politi i tretë mund të krijohet nga jashtë.