1 Shkurt, 2023

Muharrem Xhafa: Ja si u themelua PKSH dhe pse Enver Hoxha u vendos në krye të saj, roli i Miladin Popoviç në krijimin e partisë

 Muharrem Xhafa: Ja si u themelua PKSH dhe pse Enver Hoxha u vendos në krye të saj, roli i Miladin Popoviç në krijimin e partisë

Sekretari i Parë i PPSH, Muharrem Xhafa, në 75-vjetorin e themelimit të Partisë Komuniste,  rrëfen në një intervistë për gazetën “Sot”se si u themelua partia dhe si e mori drejtimin e saj Enver Hoxha. Xhafa sjell të thënat dhe të pathënat e periudhës së themelimit të PKSH, si dhe hedh poshtë shumë akuza që i janë drejtuar figurës së Enver Hoxhës. Muharrem Xhafa deklaron se PKSH u themelua më 8 nëntor të vitit 1941, ku në një shtëpi të vjetër tiranase u mblodhën komunistët e vërtetë kundër fashizmit. Ballistët kanë hedhur akuza se PKSH është krijuar me ndihmën e serbit, Miladin Popoviç. Xhafa pranon se Enver Hoxha e çliroi nga burgu i Peqinit Popoviçin, të cilin e kishin futur fashistët, për të marrë pjesë në themelimin e PKSH. Sipas tij, Enver Hoxha dhe komunistët e themeluan partinë, ndërsa Popoviç dha ndihmesën e tij.

– Si lindi ideja e themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë?

Idetë nuk zbresin nga qielli! Idetë vijnë e lindin në kushtet e ekzistencës së realitetit konkret, objektiv. Siç dihet, në vendin tonë kishte vite që vepronin disa grupe komuniste në kuadrin e lëvizjes komuniste shqiptare. Që nga viti 1928-1929 në Korçë vepronte Grupi Komunist i Korçës dhe pastaj me radhë vijnë Grupi Komunist i Shkodrës, i të Rinjve. Të tre këta grupe komuniste u mblodhën më 8 nëntor 1941, për t’u bashkuar e për të formuar një parti të vetme komuniste të Shqipërisë. Ishte edhe grupi i Zjarrit, po ky nuk kishte pranuar ftesën për të marrë pjesë në mbledhjen themeluese të PKSH, se e quante veten Parti Komuniste. Ishte ekzistenca, qenia dhe veprimtaria, arritje e atyre grupeve komuniste, ajo që bëri të domosdoshme nevojën e bashkimit të grupeve komuniste në një parti të vetme komuniste të Shqipërisë. Sigurisht jo të gjithë komunistët kishin arritur menjëherë në këtë konkluzion, por drejtuesit më të rëndësishëm të tyre ishin bërë të ndërgjegjshëm për një gjë të tillë.

-PKSH, pse u themelua pikërisht më 8 nëntor të 1941 dhe ku u mblodhën komunistët për ta krijuar dhe prezantuar partinë e re?

Kjo nuk ka lidhje me ndonjë ngjarje apo datë historike të veçantë. Një gjë është e saktë, që bashkimin e grupeve komuniste në një parti të vetme komuniste e bënte të domosdoshëm lufta kundër fashizmit, e bënte të domosdoshëm lëvizja punëtore komuniste në vendin tonë, si edhe vullneti i masave të tjera punonjëse të qytetit e të fshatit, të rinisë në veçanti, për t’u çliruar nga pushtuesit e huaj, fakti pra që Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste, d.m.th faktori objektiv. Mbledhja themeluese u bë nga komunistët shqiptarë në Tiranë, në një shtëpi të thjeshtë tiranase. Pse si mendoni ju, ndryshe?! Pra, u themelua në Tiranë. Nuk e di a e ke lexuar, po unë për këtë çështje nuk po flas vetë, po ia lë fjalën Ismail Kadaresë. Ja si thotë Kadareja: “Kjo shtëpi prej qerpiçi, e thjeshtë e me baltë, më e madhërishme ngrihet se sallat e mbretërve! O shtëpi tiranase, o mure me baltë, baltë nga kjo tokë e zhuritur, e lashtë”!

– Përse u zgjodh Enver Hoxha kryetar i PKSH?

Edhe për këtë çështje Enver Hoxha ka qenë krejt i saktë. Enveri thekson se në mbledhjen themeluese të PK u zgjodhën me votim të fshehtë 7 vetë, anëtarë të KQ provizor të PKSH, por asnjëri prej tyre nuk u zgjodh në detyrën e sekretarit të KQ. Çështja e themeluesit ngrihet me qëllim nga antikomunistët e borgjezët reaksionarë për të bindur të tjerët se Enveri nuk ka luajtur ndonjë rol parësor në mbledhjen themeluese të PK. Enver Hoxha është quajtur me plot të drejtë themeluesi i PKSH. Ai në Tiranë drejtuesi i degës së Grupit Komunist të Korçës; Grupi Komunist i Korçës e ngarkoi të çelte mbledhjen themeluese të PK; e ngarkoi të fliste në mbledhje në emër të tyre për veprimtarinë e Grupit; e autorizoi të deklaronte në emër të Grupit të Korçës propozimin për formimin e PKSH.

Të gjithë përfaqësuesit e grupeve komuniste i besuan të bënte propozimin për themelimin e Partisë, ta hidhte këtë propozim në votë, të shpallte themelimin e Partisë! Enveri luajti rolin e liderit në debatet me Anastas Lulon e Sadik Premten. Po kështu, pa asnjë votë kundër u zgjodh me votim të fshehtë në KQ. Mund të flas edhe për merita të tjera. Por po e lë me kaq, për të thënë se ja, për të gjitha këto, Enver Hoxha është quajtur themeluesi e udhëheqësi i PKSH. I ngarkuar nga KQ provizor Enveri Hoxha drejtoi të gjitha ngjarjet kryesore të PK dhe në Konferencën e PKSH (mars 1943) u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i saj.

-Si u mbajt në këmbë regjimi i Enver Hoxhës dhe a ka pasur skenarë për ta rrëzuar atë?

Pushteti i Enver Hoxhës ishte i fuqishëm. I kishte rrënjët në popull, e donte gjithë populli, klasa punëtore, fshatarësia punonjëse, ish-partizanët, ushtarakët, rinia, gratë, intelektualët. Ishte shtet i organizuar, i drejtë, i jepte hakun gjithkujt! Antikomunistët e feudo-borgjezët çfarë nuk thonë sot, por ajo industri, bujqësi, arsim e kulturë, ushtria, administrata, fryma e sakrificës, drejtësia etj etj, do të mbeten vlera të përjetshme. Se ishte një shtet me ekonomi të fuqishme, me mbrojtje të pathyeshme, me një popull të tërë të gatshëm për të sakrifikuar për interesat e vendit, ja për këtë shkak u janë thyer koka e duart kenareve të shumtë të hartuar e të provuar për të rrëzuar pushtetin e Enverit.

– Në Shqipëri ka 3 a 4 Parti Komuniste, përse nuk bashkoheni si komunistë në një parti të vetme por qëndroni të përçarë? Madje kam dëgjuar që ata të PK kanë mbajtur Kongresin e tyre të 15-të. Ju, a ishit të ftuar?

Ju falënderoj për pyetjen dhe do të them diçka, shkurt! Është e vërtetë që sot ka zyrtarisht të njohura katër parti politike të spektrit komunist, që kanë qenë edhe pjesë e zgjedhjeve për organet e pushtetit, por kjo gjendje nuk është në nderin tonë, përkundrazi tregon se lëvizja komuniste në Shqipëri është e ndarë dhe e përçarë dhe se alternativa komuniste është pa forcën e duhur, e paqartë. Pa asnjë dyshim, kjo gjendje nuk i shërben klasës punëtore dhe masave të popullit shqiptar por borgjezisë. Për fat të keq, secila forcë politike komuniste e kupton bashkimin me forcat e tjera komuniste të dobishme nëse do t’i atashohen asaj, diçka kjo e pafalshme, megalomane. Shokët drejtues të Partisë Komuniste as që pranojnë të bisedohet për këtë problem, se, sipas tyre, ata përfaqësojnë Mëmën parti.

Unë kam dëgjuar që në Kongresin e tyre të fundit një pjesë të madhe të raportit e kishin mbushur me kritika kundër meje, Preng Çunit e Marko Dajtit, që përfaqësojmë PPSH, PK “8 Nëntori” dhe Frontin e Majtë. Pasi të njihemi gjerë me përmbajtjen e raporti të mbajtur në atë Kongres, ne do të shprehemi më të plotë e krejt qartë. Pa dashur të them se kush është fajtor, dua t’i bëj të ditur komunistëve, por edhe popullit, se të mos kuptosh në kushtet e tanishme domosdoshmërinë e bashkimit të komunistëve në një parti të vetme komuniste dhe të nxjerrësh lloj-lloj sebepesh kundër shokëve të tjerë komunistë, besnikë të mësimeve të shokut Enver Hoxha, kjo tregon se në tjetër vend “fle lepuri”! Pyetët, a ishim ftuar në Kongresin e PK? Jo, nuk na kishin ftuar! Ata janë më afër Partisë Komuniste greke, që në thelb është kundër Enver Hoxhës, kundër Kosovës, po nejse, do të flasim herë tjetër.

– Sa e vërtetë është që PKSH u themelua me ndihmën e Miladin Popoviçit?

Kjo është një përrallë e vjetër, që as vetë serbët që e krijuan nuk e besojnë më. Është një tezë e titistëve, që u pompua pas prishjes së Titos me Enver Hoxhën. Duhet të jetë injorant ai që i beson kësaj “përralle”! Po si u themeloka një parti komuniste (ose edhe tjetër) në zemër të Tiranës, me komunistë shqiptarë, në kushtet e një ilegaliteti të thellë në hundët e pushtuesve fashistë e të reaksionit shqiptar?! Duhet të jetë budalla ai që mendon se PKSH e themeloi Popoviçi, kur Miladinin e çliruan nga burgu i Peqinit, ku e kishin futur fashistët, komunistët shqiptarë në bazë të planit të hartuar me mençuri nga Enver Hoxha?

Dhe ishte Enveri me shokë ai që e ftoi të merrte pjesë në mbledhjen për themelimin e PK, sepse Miladini ishte një komunist me përvojë e internacionist! Ok, budallenjtë, le të mos u besojnë atyre çfarë thotë e shkruan Enver Hoxha, po le të lexojnë çfarë ka thënë e ka shkruar me dorën e tij e publikuar botërisht Miladin Popoviçi, i cili ka deklaruar jo një herë se PKSH e kanë themeluar komunistët shqiptarë e jo në dy komunistë jugosllavë, se edhe gjithë Partia (Lidhja) Komuniste e Jugosllavisë të kishte qenë aty, Partinë Komuniste të Shqipërisë e kanë themeluar komunistët shqiptarë në Tiranë, jo në Beograd.

Nëse dikush me synime antikombëtare ose i budallallepsur nga propaganda kundër Enverit e komunizmit ngatërron ndihmën e Miladinit në mbledhjen themeluese të PK me rolin e themeluesit, ai le të vazhdojë t’u shërbejë serbëve! Populli e di të vërtetën! Kjo që po shkruaj unë është e vërteta! Bukur e pat thënë këtë gjë edhe Fadil Hoxha në një prej intervistave të tij në mediat televizive të Shqipërisë borgjeze. Dhe diçka tjetër: Askush nuk e ka mohuar ndihmën e Popoviçit në mbledhjen për themelimin e PKSH. Kush të dojë le të lexojë Enver Hoxhën, i cili kurrë nuk e ka mohuar këtë ndihmë internacionaliste! Unë u sugjeroj “budallenjve” të mësojnë se Tito e vrau prapa shpine Miladinin, sepse ai tha të vërtetën për themelimin e PKSH dhe se Kosova i përket Shqipërisë!

-Ka mjaft akuza, madje thuhet se janë të dokumentuara se Enver Hoxha i vrau kundërshtarit e tij gjatë luftës. Ju si i komentoni këto akuza?

Akuzat kundër Enver Hoxhës për vrasjen e shokëve të tij gjatë LANÇ-it janë pa baza, krejt pa baza! Akuzat janë shtuar e stërzmadhuar pas përmbysjes së socializmit në vendin tonë, me qëllim që të njolloset LANÇ-i, lavdia e saj dhe Komandanti i Përgjithshëm, Enver Hoxha! Asnjëherë Enver Hoxha nuk ka qenë pjesë e ndonjë klani dhe as ka punuar me tarafe! Madje, Enveri ishte i ashpër me ata kuadro të qendrës a të bazës që manifestonin raste klanesh e tarafesh!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *