26 Mars, 2023

MOS O ZOT/ Mbi deklaratën e Lulzim Bashës: “Si është PD-ja sot, do jetë Shqipëria nesër”

 MOS O ZOT/ Mbi deklaratën e Lulzim Bashës: “Si është PD-ja sot, do jetë Shqipëria nesër”

Nga Viktor Malaj

Si është PD sot, do të jetë Shqipëria nesër. dhe…e di se Shqipëria nesër do të jetë e fortë dhe e bukur… Lulzim Basha

Thënia e mësipërme e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë mund të interpretohet në disa mënyra: E para, si dëshirë e tij që Shqipëria e nesërme të jetë shembëlltyrë e PD-së së sotme; e dyta, që ai beson se partia që ai drejton është ashtu si iu nevojitet shqiptarëve opozita politike dhe, e treta, thjesht si pohim se vendi do të ketë nesër, nën qeverisjen e opozitës aktuale, fytyrën që shfaq kjo opozitë sot.

Në rastin e parë, deklarimi i mësipërm do të ishte i turpshëm, domethënës dhe i dëmshëm. Në të dytin, pohimi do të ishte i gënjeshtërt dhe, në të tretin, plotësisht i vërtetë.

Që Shqipëria, ashtu si çdo vend tjetër, ka nevojë për rotacion politik, kjo as që diskutohet. Qeverisja aktuale as nuk është ajo që dëshirojnë shumica e shqiptarëve dhe as nuk është më e mira që shqiptarët mund të ndërtojnë.

Korrupsioni është lemerisës, paaftësia e shumë dikastereve qendrore është e dukshme, apatia e mjaft zyrtarëve qendror dhe lokalë po shton çdo ditë dëshpërimin dhe pakënaqësitë e banorëve të këtij vendi, efektiviteti i të quajturës “Reformë në Drejtësi” është tepër larg pritshmërive dhe nevojave të popullit shqiptar.

Fatkeqësia më e madhe nuk qëndron tek niveli i pakënaqshëm i qeverisjes së sotme, por tek niveli i mjerë i kandidatëve politikë për zëvendësimin e qeverisjes. Edhe vetë figurat kryesore të PD-së e pranojnë se kjo parti ndodhet në ditët e saj më të këqija.

Edhe në ditët e saj më të mira PD ka qenë e padenjë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe këtë përcaktim nuk e ndryshojnë dot përrallat që na tregojnë sot S. Berisha, L. Basha dhe bashkëpunëtorët e tyre rreth heqjes së vizave apo pranimit të vendit në NATO.

Shqipëria, gjatë 31 viteve të fundit në përgjithësi, dhe gjatë qeverisjeve të PD-së në veçanti, ka qenë vendi i paligjshmërisë dhe padrejtësisë, i korrupsionit dhe hajnisë, i pabarazisë së skajshme dhe i pandëshkueshmërisë, i aleancave politikë me botën e krimit dhe zhvlerësim i vullneteve popullore, vendi i përbetimit me fjalë të politikanëve për t’i shërbyer popullit dhe i mbështetjes me vepra të një pakice oligarkike, hajdute dhe të paskrupullt.

Partia e sotme Demokratike gjendet e ndarë në dy pjesë, të cilat akuzojnë njëra-tjetrën për banditizëm, terrorizëm, paligjshmëri dhe korrupsion. Por, përveç kësaj, kjo parti (të dy gjysmat e saj) shfaqet cullak si një grupim politik pa kurrfarë ideshë, as vizioni dhe, çfarë është thelbësisht e rëndësishme, pa kurrfarë brejtje ndërgjegjeje për gabimet, fajet dhe krimet e kryer prej “elitës” së saj drejtuese, në pushtet apo në opozitë.

Si e tillë, një Shqipëri e nesërme, nën drejtimin e saj dhe aleatëve të saj në biznesin politik, nuk do të ishte “një Shqipëri e fortë dhe e bukur”, siç ndjell e mashtron shqiptarët Basha, por një Shqipëri e dobët, e përçarë dhe e shëmtuar. Rrjedhimisht, cilido shqiptar që i do të mirën vendit, pavarësisht pëlqimit apo mospëlqimit për qeverisjen aktuale, do të thoshte: Mos o Zot një Shqipëri e nesërme si PD-ja e sotme!

Me të drejtë, shumëkush do të pyeste: A po kërkoni që shumica aktuale dhe z. Rama të qëndrojnë në pushtet pafundësisht? Kurrësesi jo! Partia Demokratike është po aq e rëndësishme për vendin sa çdo parti kryesore shqiptare, por që të meritojë drejtimin e vendit dhe t’iu shërbejë si duhet shqiptarëve, ajo duhet të ndryshojë shumëçka, shpejt dhe fort.

Ndarja gjysmake dhe e imponuar nga Sali Berisha dhe berishizmi është veçse hapi i parë dhe më i vogël. Që të bëhet bindëse dhe e votueshme në shumicë, asaj i nevojitet një analizë e thellë, e hollësishme dhe e ndershme e të shkuarës së saj.

Të bësh një analizë të tillë të duhet guxim dhe ndershmëri. PD është shfaqur përherë e guximshme, por jo në të mirë të vendit dhe popullit. Guximi i saj ka qenë i lidhur me paligjshmërinë, mospërfilljen e ligjeve të shtetit dhe të moralit shoqëror, me nëpërkëmbjen e vullnetit popullor dhe të interesave kombëtare.

Në këto kushte, me njerëz të tillë si një karabullak në kupolën e PD-së së Lushnjës, që pohonte se “armiku i vetëm i shqiptarëve është Edi Rama” (shprehje e huazuar nga eprorët e tij Berisha dhe Basha), kjo parti as mund të rinovohet dhe as meriton të votëbesohet.

Nuk mund të pretendosh se je dikush tjetër vetëm pse denigron kundërshtarin, premton luftë kundër korrupsionit dhe “veting të politikanëve”, në një kohë kur ke qenë vetë i akuzuar publikisht dhe penalisht për akte madhore korrupsioni dhe e ke mbyllur ndjekjen penale me procedura, kur vetë je milioner pa pasur asnjë lloj biznesi dhe kur ke qenë ministër në qeveri që kanë kryer korrupsion e krime dhe që vetë populli shqiptar i ka braktisur në shumicë dërmuese.
L. Basha ka qenë në dijeni të krimeve dhe veprimeve antidemokratike të Berishës dhe PD-së kur në pranverën e vitit 2005 vendosi t’i bashkohej asaj.

E, nëse për ato krime dhe faje të deriatëhershme ai nuk ka përgjegjësi vetjake, për krimet e kryer mbas vitit 2005 nga qeverisjet dhe opozicioni i kësaj partie, ai është fajtor dhe bashkëfajtor. Nëse tani, pas prishjes me Berishën dhe klanin e tij, Basha pohon se “nuk iu përgjigja atyre që sulmuan selinë e PD-së siç veproi Berisha në 21 janar 2011”, ai duhet të sqarojë gjithçka që lidhet me krimin e vrasjeve dhe plagosjeve të paligjshme në bulevard.

Basha ka qenë eprori direkt (Ministër i Brendshëm) i vrasësve të 21 janarit dhe ka qenë i pranishëm në vendngjarje, ashtu si Berisha. Gjasat e lidhjes së tij me vrasësit dhe fajësisë së tij penale janë më të mëdha se të Berishës, por nëse Berisha ka qenë urdhërdhënësi i drejtpërdrejtë i akteve kriminale, atëherë z. Basha duhet ta bëjë publike këtë.

Në korrupsionin prej 230 milion euro të rrugës Durrës-Kukës, Basha ka qenë Ministër i Transporteve dhe mbikqyrës e firmosës i shumë dokumenteve që mundësuan “zhdukjen” e parave të popullit shqiptar. Nëse miratimet e veprimeve që “legjitimonin” korrupsionin i ka bërë nën hyqmin e Berishës, ai duhet ta pohojë dhe provojë këtë, përndryshe mbetet ai përgjegjësi kryesor.

Firmën në Marrëveshjen e Detit me Greqinë e ka vënë Lulzim Basha dhe jo S. Berisha prandaj, nëse këtë e ka bërë me urdhër të ish-Kryeministrit, edhe këtë duhet ta shpallë publikisht.

Nga ana tjetër, z. Basha pohoi para disa kohësh se për të gjitha vendimet politike të marrë nga opozita qysh nga 2013, z. Berisha ka qenë në dijeni dhe ka dhënë pëlqimin e tij. Pëlqimi i Berishës nuk e zvogëlon përgjegjësinë e Bashës, por imponimi i Berishës do ta ndryshonte gjendjen e punëve dhe moralin e kryetarit formal (deri dje) të PD-së.

Lulzim Basha dhe ata që e rrethojnë nevojitet t’iu tregojnë shqiptarëve hapur dhe me sinqeritet nëse ata pajtohen me fajet dhe krimet e kryer nga establishmenti politik i PD-së gjatë këtyre 31 viteve, apo jo. Nëse jo, cilët kanë qenë përgjegjësit moralë, historikë, politikë dhe ligjor të atyre akteve dhe çfarë e si mendojnë drejtuesit aktualë të PD-së se duhet të bëjnë në të ardhmen për ndryshimin rrënjësor të partisë së tyre.

Vetëm kur kupola drejtuese e PD-së të arrijë që moralin, kulturën dhe sjelljet e tyre t’i bëjnë të denja për mbiemrin që i kanë vënë partisë, vetëm atëherë ata do të meritojnë besimin e shumicës së shqiptarëve. Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë të ngutëshme për këtë “katarsis”. Po e presim sepse PD-ja na duhet sot dhe në të ardhmen.

Por, derisa të ndodhë kjo, MOS O ZOT! që Shqipëria e nesërme të jetë si PD-ja e sotme. Ndryshoni veten në mënyrë që të ndryshoni Shqipërinë. Shkëputja nga Berisha por ruajtja e moralit politik berishist nuk janë tregues të sinqeritetit politik dhe as e bëjnë PD-në më të dobishme.

Ndëshkimi dhe ndryshimi i vetes janë veprimet më të vështira dhe më të guximshme të njeriut. Njëkohësisht, edhe më fisnike. Përndryshe, do të vazhdoni të rrini aty ku e meritoni dhe e keqja më e madhe i bëhet vendit dhe jo juve.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *