Misteri i vdekjes së turistëve rusë në Qerret, sipas toksikologut Qemal Poçi: Çfarë nuk shkon me hetimet e deritanishme dhe disa fakte që s’i dimë për klorin

Nga Qemal Poçi
Me të drejtë helmimi i katër turistëve rusë në hotelin “GLORIA” më 15 tetor, tërhoqi vëmendjen e institucioneve tona dhe mediave. Nga institucionet përkatëse dhe hetuesia, u hodhën mendime të ndryshme për zbulimin e shkaktarëve të helmimit, kurse nuk munguan edhe “teori konspirative” nga sharlatanët.
Instituti i Shëndetit Publik, akoma pa u thelluar në zbardhjen e problemit dhe pa kryer asnjë analizë, vuri në dyshim helmimin nga klori, si njërin prej shkaktarëve të mundshëm, midis të tjerëve. Kurse, një institucion tjetër mendon se shkaku kryesor qe monoksidi i karbonit.
U fol se prokurori i Kavajës, nuk e kishte marrë “në mënyrë shkencore” mostrën e ujit. Prandaj, të katër institucionet (i Shëndetit Publik, ISVU, i Mjekësisë Ligjore dhe AKU), u angazhuan se të gjitha analizat do të kryheshin nga e para.
Në pritje të rezultateve të analizave që duhet të kishin përfunduar prej kohësh, me 30 nëntor, një muaj e gjysmë më vonë, institucionet e mësipërme, hoqën dorë nga angazhimi dhe kërkuan ndihmë nga struktura të specializuara të FASH dhe Shërbimit të Inteligjencës.
Sipas tyre, në formë të përmbledhur, shkaqet e tërheqjes janë : “mungesa e dukshme e provave i ka futur ata në udhëkryq të hetimit; nuk ka prova bindëse për të ardhur në përfundimet e duhura; ka vështiresi për gjetjen e gjurmëve kimike apo biologjike; dyshohet për agjentë të sofistikuar të shkencës për vrasjen e rusëve etj.
Prandaj, institucionet e mësipërme kërkojnë përfshirjen në hetime të Shtabit të Përgjithshëm të FA apo të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, pasi ata vetë disponojnë mjetet përkatëse të sofistikuara etj. etj. Prej tyre kërkohet kryerja e eksperimenteve, për të provuar nëse turistët rusë janë helmuar apo jo nga agjentët kimikë dhe biologjikë.
Megjithatë, ata kanë arritur në përfundimin se: “Çdo ditë e më tepër përforcohet fakti, se familja ruse Burenkova, nuk është vrarë nga klori dhe as me gazin e saunës”. Unë mendoj, se para se të arrihej në këtë përfundim, institucionet e mësipërme duhet të deklaronin, se çfarë analizash apo hetime janë kryer dhe cilat janë rezultatet e tyre, që i sollën ata në përfundimet e mësipërme.
Të bën përshtypje, se më tepër se një herë, si shkaktarë të fatkeqësisë përmenden faktorët kimikë dhe biologjikë. Për rastin konkret, kur kemi të bëjmë me një vdekje apoplektike, si faktorë kimikë mund të jenë klori, oksidi i karbonit, apo alkooli metilik. Kurse, si faktorë biologjikë, mund të jenë botulinusi që prodhon një helm shumë të fortë apo aflatoksina e prodhuar nga myku Aspargylus Flavus.
Por, pa kryer asnjë analizë, jo vetëm për faktorët e mësipërm kimikë apo biologjikë, ata, përjashtimin e klorit e quajnë absolut. Dhe kjo, kur pikërisht klori mund të jetë shkaktari kryesor. Pasi, botulinusi dhe aflatoksina p.sh si faktorë biologjikë, kanë një periudhë latente, i sëmuri reagon dhe ankohet, pra jep shenja të sëmundjes.
Ashtu sikurse edhe monoksidi i karbonit dhe alkooli metilik (si faktorë kimikë), helmet që shoqërohen me vdekjen, kanë shenja paralajmëruese. Jam i sigurt, se autorët, asnjërin prej faktorëve të mësipërm nuk e kanë studiuar, por kanë ardhur në përfundime jo me analizat e kryera, por apriori (me vota).
Kurse, në rastin për të cilin flasim, viktimat vdiqën në mënyrë superakute, pa lëvizur fare nga vendi ku ndodheshin dhe pa kërkuar ndihmë.
Për të përjashtuar njërin apo tjetrin faktor, apo pistë, duhet të mbështetesh në fakte, analiza të kryera, ndjekja e klinikes, rezultatet e mjekimit dhe (sidomos) autopsia.
Në rastin e helmimit me klor, autopsia e personit që ka ndërruar jetë, është përcaktuese, determinuese. Pyetja është: a është kryer autopsia, a është marrë materiali patologjik nga viktima (organe, gjak, përmbajtje të ushqimit të konsumuar) dhe a janë kryer analiza. Cili është përfundimi i analizave të kryera dhe autopsisë në qoftëse u krye. Institucionet të cilave ju kërkohet ndihma: çfarë analiza duhet të kryejnë me pajisjet e sofistikuara”. Mbi ç’baza nisen autorët që e përjashtojnë klorin në mënyrë absolute, si njërin nga faktorët e mundshëm të helmimit?
Autorët e këtyre deklarimeve, nuk e dinë se pikërisht klori qe elementi kimik i parë dhe i vetëm, që në luftën e parë botërore, hapi epokën e përdorimit të armës kimike si armë të dëmtimit në masë në fushën e betejës. 22 prilli 1915 ka hyrë në histori si “dita e zezë e kimisë”.
Atë ditë, ushtria gjermane përdori 180 ton klor në balona në formë gazi në fushat e Flandrës kundër koalicionit anglo-francez për 15 minuta. Rezultati: u dëmtuan 15 mijë veta, prej të cilëve 5 mijë vdiqën.
Apo, në 15 maj 1945, ushtria gjermane përdori kundër ushtrisë ruse në frontin perëndimor të Varshavës, klorin në formë gazi. Si rezultat, vdiqën 5,000 veta.
Edhe kur LHL u perfeksionuan, klori mbeti elementi kimik kryesor përbërës në LHL të tilla si klorpikrin, kloracetofenon, fosgjen, difosgjen etj etj. Në luftën e parë botërore vdiqën një milion veta nga arma kimike. Edhe më vonë, klori u bë si një nga komponentët kryesorë të LHL të reja, që më vonë u futën në armatimin kimik të shteteve të ndryshme.
Klori është toksik dhe ka veprim asfiktik, mbytës. Tretet mirë në ujë dhe dy atome klor (Cl2), kur bashkohen me ujin, japin 2 molekula acid klorhidrik dhe çlirojnë një atom oksigjen. Është pikërisht ky oksigjen që dezinfekton ujin gjatë klorifikimit.
Në përqendrime të larta, klori mund të shkaktojë helmime “rrufe”, që i paraprijnë helmimit akut. Në këto përqëndrime (“rrufe’’), ai shkakton ndërprerjen e menjëhershme të frymëmarrjes dhe veprimtarisë së zemrës. Në helmimet e formës “rrufe” apo akute, në autopsi janë të shprehura ndryshimet anatomo-patologjike në rrugët e frymëmarrjes (trake, bronke) dhe në zemër.
Prandaj, për diagnostifikimin e helmimeve nga klori, autopsia ka rëndësi të veçantë. Vetëm autopsia mund të jetë përcaktues i saktë i helmimeve nga klori. Por kjo hallkë te ne mungon, pasi trupat e viktimave janë tërhequr në Rusi.
Duke u nisur nga sa më sipër, unë mendoj se, nëqoftëse në përfshirjen e FA dhe Inteligjencës nuk do të gjendet ndonjë gjë e veçantë, i vetmi shkak i helmimit të turistëve rusë është klori.
Kam përshtypjen se personat që janë marrë me ndjekjen e problemit, janë përqëndruar vetëm tek deklarimet e personelit, të cilët në ndonjë rast kanë qenë kontradiktore ose jo të plota. P.sh, në deklaratën e parë, personi që bëri klorifikimin, në fillim deklaroi: “Unë jam i ri dhe kam zbatuar porosinë e që më la shoku para meje. Ujit i hodha vetëm një gotë klor”.
Por nuk thuhet, sa qe sasia e klorit (pesha). Gota qe e rakisë, teke apo dopio (50-100ml), e ujit (180-200 ml), apo krikëll birre (500-100 ml).
Në deklarimin e dytë, në praninë e personelit, në formën e dëshmitarit, deklaroi: “Kur më lajmëruan se do të vinin turistët rusë, e zbraza pishinën , e pastrova, bile duke e kruar fundin, e mbusha me ujë dhe e klorifikova”.
Turistët rusë, pasi hëngrën darkë në një lokal midis Librazhdit dhe Elbasanit, kërkuan të përgatitej pishina dhe sauna. Prej andej, deri në Tiranë, mjafton një orë e gjysmë ose dy. Nuk del llogaritja: Sa kohë kaloi nga çasti kur turistët rusë njoftuan se po ktheheshin në hotel, kur u njoftua punonjësi që do të zbrazte pishinën prej 60 m2 (jo ton), do ta pastronte, do ta rimbushte etj.
Mendoj se koha prej 1.5-2 orë, qe e pamjaftueshme, dhe ndoshta nuk është e gjithë periudha e klorifikimit (sidomos e zbrazjes dhe e rimbushjes së 60,000 litra ujë). Deklarimet e mëvonshme të personelit të hotelit, të cilët nuk e kanë ndjekur procedurën e mësipërme, nuk duhet të merren parasysh.
Nuk del: si furnizohej hoteli me klor, ku ruhej dhe si administrohej. Sa qe përqindja e klorit aktiv në preparatin që u përdor për klorifikim. A ka rregullore të shkruara për klorifikimin e pishinave të ndryshme, sidomos në resortet turistike, kush i kontrollon ato ligjërisht, dhe në rastin konkret, cili rregull është shkelur.
Për të përjashtuar dyshimet, për agjentët kimikë që mund të dyshohet (klor, monoksid karboni apo alkool metilik (metanol), mund të vihet në eksperiment në një kavje apo lepuj, duke i futur ata në eksikator (kambana xhami) me autor Toriçelli, dhe duke futur në të agjentin përkatës.
Nga jashtë mund të ndiqet klinika, kurse pas ngordhjes bëhet autopsia, ose në vend të eksikatorit, mund të përgatitet kamera e posaçme e helmimit, apo eksperimenti të kryhet direkt në dollapin aspirator.
Ndërsa, për të përjashtuar agjentët biologjikë, të supozuar (botulinus dhe aflatoksina), fillimisht duhet të kontrollohet forma sporagjike e tyre në analiza mikrobiologjike. Nëqoftëse rezultati i përbashkët del pozitiv, duhet të kryhet analiza kimike e veçantë për helmin botulianik apo aflatoksinën.
Sqaroj, se dyshimet e mija për klorin, si një nga shkaktarët e mundshëm të helmimit, i kam bërë prej kohësh në strukturat përkatëse.