Mirela Kumbaro sqaron pse Vjosa nuk u shpall Park Kombëtar

Qeveria e ka në plan shpalljen Park Kombëtar të lumit Vjosa, por më parë duhet të ketë një studim të detajuar për zonën dhe një model zhvillimi të qëndrueshëm.
Këtë tha ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në emisionin ‘Sot’, në Euronews Albania, e pyetur se pse me vendimin e fundit të qeverisë Vjosa u shpall vetëm Park Natyror dhe jo Park Kombëtar.
Kumbaro shpjegoi se përpara se t’i jepet statusi një zone, duhet të studiohen pasojat që mund të sjellë për banorët të cilët jetojnë aty.
“Vendimet merren mbi bazat e studimeve që të kuptojmë çfarë do të sjellë shpallja Park Kombëtar. Sigurisht, e kemi në axhendë që Vjosa të shpallet Park Kombëtar, por më parë duhet të kemi një panoramë shumë të qartë çfarë zhvillimesh mund të lejojmë, sepse duhet t’u japim njerëzve që jetojnë aty mundësinë të jetojnë. Pra, duhet të kemi të qartë çfarë plani zhvillimi do t’i japim kësaj zone”, shpjegoi ministrja.
Kumbaro tha se me shpalljen e Vjosës Park Natyror ndalohen zhvillimet e rënda industriale, ndërsa shtoi se aty janë anuluar disa projekte HEC-esh të 10 vjetëve më parë.
Në mbrojtje të lumit Vjosa përmes shpalljes së tij Park Kombëtar ka dalë edhe aktori i njohur amerikan Leonardo DiCaprio, i cili prej vitesh është kthyer një zë i fortë i kauzave mjedisore.